Korçë, pas letrës kërcënuese tentojnë granatën nga dritarja

May 28, 2011 | 11:17

KORÇE- I hidhet granatë banesës së një 35-vjeçari në Korçë, pasi është kanosur dhe sulmuar me armë edhe pak ditë më parë. Ngjarja ndodhi natën në banesën e shtetasit Pali Pavlli, në lagjen “Nr. 11” të qytetit. Policia bëri të ditur se persona ende të paidentifikuar kanë hedhur një granatë në banesën e 35-vjeçarit. Granata, sipas Policisë, ka shpërthyer poshtë dritares së dhomës së gjumit të familjes Pavlli. Autorët e kanë hedhur për ta futur lëndën plasëse nga xhamat e dritares, por ajo është përplasur me murin e banesës ku ndodheshin pesë anëtarët e familjes, midis të cilëve edhe gruaja shtatzëne dhe fëmija tjetër 2 vjeç i Pavllit. Nga shpërthimi i granatës u shënuan vetëm dëme materiale të banesës, konkretisht thyerje të xhamave të dritares së dhomës së gjumit dhe dëme të tjera përreth. Kjo është hera e dytë brenda muajit që banesa e 35-vjeçarit sulmohet. Më 1 maj, persona të paidentifikuar sulmuan me armë banesën e tij në orët e vona të natës, duke i lëne në portën e shtëpisë private edhe një letër kërcënuese, në të cilën shkruhej: “Je i vdekur, nga shoku yt i vjetër…” Policia tha se po heton të kaluarën e 35-vjeçarit lidhur me këto kërcënime, si pistën e konflikteve të vjetra, ndërsa ende nuk ka mundur të identifikojë autorët. Dyshohet se ngjarjet e tanishme mund të ketë lidhje me trazirat e vitit ‘97.                                      g.a

© Panorama.al

Te lidhura