
Zbardhet me vonesë vendimi i gjykatës që rrëzoi shtyrjen e burgimit
Shpallet për të dytën herë në kërkim Naum Disho. I dënuari për dhunimin e varrezave në fshatin Boboshticë i shpëton sërish arrestimit. Hallakatjet gjyqësore në lidhje me çështjen “Boboshtica”, përveçse kanë shënuar një rast të paprecedentë në institucionet e Drejtësisë në qytetin e Korçës, kanë bërë që ndaj Naum Dishos të lëshohet një tjetër urdhër-arresti, ndërkohë që ky i fundit vijon të mbetet i lirë. Prokuroria e Korçës ka lëshuar brenda pak ditësh urdhrin e dytë për vendosjen në pranga të kreut të organizatës OMONIA, i dënuar me një vit burg për dhunimin e varrezave në fshatin Boboshticë. Kalimi i çështjes në shkallën hierarkike të Drejtësisë ka bërë që i dënuari me një vit heqje lirie të mos qëndrojë asnjë çast pas hekurave të qelisë së burgut. Shqyrtimi i kësaj çështjeje sa në Gjykatën e Faktit në atë të Apelit ka bërë që për të dytën herë Disho t’i shpëtojë arrestimit, pasi edhe këtë herë ai nuk është gjetur në vendbanimin e tij. Sipas të dhënave, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për të rrëzuar kërkesën e mbrojtësit në lidhje me shtyrjen e këtij arrestimi, ka sjellë një mandat-arrest të dytë, i cili ka mbërritur në duart e zyrtarëve të Policisë, por këta të fundit konfirmojnë se nuk kanë mundur ta venë në zbatim këtë urdhër, pasi nuk dihet një vendndodhje e mundshme e Dishos. Rrëzimi i kërkesës së mbrojtjes la në fuqi vendimin e Apelit, sipas të cilit Disho duhet të ishte në qeli për të vuajtur dënimin e tij me 1 vit burg për akuzën e dhunimit të varreve. Prokuroria e rrethit, pas seancës së 27 janarit, ka lëshuar rishtazi edhe urdhrin për ndalimin e Dishos, por sipas burimeve nga Policia, ka qenë e pamundur vënia në zbatim e tij, sepse Disho nuk ndodhej në banesë dhe pas kërkimeve rezulton i zhdukur. Duket se pasi është dhënë dënimi i formës së prerë si rrjedhojë e të cilit Dishos i hiqet liria për një vit, ai është fshehur duke mos dalë në publik në asnjë rrethanë, madje duke mos qenë prezent as në seancën e fundit gjyqësore. Më 13 janar, Gjykata e Shkallës së Parë pranoi kërkesën e mbrojtjes për shtyrjen e ekzekutimit, gjë e cila automatikisht shmang ekzekutimin e urdhër-arrestit deri në marrjen në shqyrtim të kërkesës nga kjo Gjykatë. Urdhër-arresti i lëshuar ndaj Dishos nuk ishte i ekzekutueshëm deri në momentin kur gjykata shqyrtoi kërkesën e mbrojtjes dhe u shpreh në lidhje me vendimin e saj. Rrëzimi i kërkesës së mbrojtjes në vendimin e gjykatës ka sjellë edhe heqjen e pezullimit të urdhër-arrestit, duke bërë kështu që ndaj Dishos të lëshohet një tjetër urdhër-arrest. Më 27 janar Gjykata e Faktit rrëzoi kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të arrestimit, ndërkohë që pritet apelimi i këtij vendimi nga mbrojtësi i Dishos, i cili e konsideroi këtë vendim të padrejtë.
© Panorama.alDënimi i Dishos në qershor 2011
Në qershor të vitit të shkuar, Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë shpalli fajtor Naum Dishon, duke e dënuar 1 vit për dhunimin e varreve. Ai u akuzua pas ndërhyrjes me punime betoni në zgjerim të një platforme prej betoni, e cila ndodhej në këto varre dhe ngritjen e shkallëve po prej betoni, mes për mes varrezave. Më 10 janar, Gjykata e Apelit u shpreh për ta dënuar me një vit burg Naum Dishon, duke lënë kështu në fuqi të njëjtin vendim me Gjykatën e Faktit.











