Korçarët, merkato te Flamurtari

Jun 4, 2012 | 13:34

Skënderbeu fokusohet në merkato te lojtarët e Flamurtarit. Drejtuesit e klubit korçar nuk dëshirojnë t’i bëjnë publike tratativat e mundshme, por gjithsesi burime të sigurta pranë tyre tregojnë se kampionët në fuqi janë të interesuar për të paktën 3 lojtarë kuqezi. Edhe pse mes dy klubeve nuk ka pasur aspak marrëdhënie të mira, te Skënderbeu duket se e kanë vlerësuar maksimalisht Flamurtarin, duke pasur parasysh se kërkojnë të kenë shërbimet e disa prej lojtarëve titullarë të tij. Së fundmi ka dalë në skenë emri i mbrojtësit të talentuar, Franc Veliu. Lojtari njihet si beniamini i presidentit Shpëtim Gjika dhe kësisoj gjasat për një transferim të mundshëm te Skënderbeu janë të pakta. Megjithatë, përderisa në sezonin e kaluar u bë pjesë e korçarëve një sulmues si Daniel Xhafaj, nuk është çudi që edhe vlonjati Veliu të zgjedhë Skënderbeun për vazhdimin e karrierës. Mësohet se bisedimet me Veliun kanë nisur, por palët duket se nuk dëshirojnë të japin detaje, duke mbajtur gjithçka të fshehtë. Përveç mbrojtësit Veliu, Skënderbeu interesohet edhe për mesfushorin Nijaz Lena e gjithashtu sulmuesin Pero Pejiç. Opsionet mbeten të hapura, në një kohë që dy lojtarët mësohet se shpallen automatikisht të lirë pas ndeshjeve të Ligës së Europës. Lena është një nga preferencat e hershme të presidentit Zeqo. Edhe pse ky i fundit nuk është shprehur publikisht, mësohet se ka insistuar në bisedat me bashkëpunëtorët e tij se e dëshiron shumë një mesfushë me Lenën, Shkëmbin dhe Orlesin. Ndoshta këtë sezon kjo mund të bëhet realitet, por gjithsesi mbetet për t’u parë, pasi Skënderbeu duhet të fitojë së pari rivalitetin me një klub si Flamurtari, që gjithashtu ka qenë shumë aktiv në merkato.

Merr vizën, Cikalleshi drejt Koresë
Sokol Cikalleshi ka marrë vizën për në Korenë e Jugut dhe, sipas të gjitha gjasave, më 7 qershor do të marrë avionin e do t’i drejtohet kontinentit të largët. Pak ditë më parë ai u nis drejt Serbisë që të siguronte këtë vizë dhe më pas i është drejtuar Italisë për të pushuar pak ditë. Burime të sigurta pranë lojtarit bëjnë me dije se ai do të ulet të bisedojë edhe një herë me drejtuesit e klubit të FC Seul, pra skuadrës së kryeqytetit të vendit dhe të vendosë nëse do të firmosë apo jo. Ky është klubi i vetëm që ofron një shumë të konsiderueshme për kartonin e tij, në total 300 mijë euro, nga e cila do përfitojë KS Besa.

© Panorama.al

Te lidhura