KORÇA – Një prej qarqeve që prej ditësh është i mbuluar nga bora është ai i Korçës. I ftohti në Juglindje ka arritur deri në 15 gradë nën zero, duke vështirësuar jetesën e përditshme të banorëve. Për shkak se jo vetëm rrugicat karakteristike të qytetit, por edhe lagje të tëra ndodhen nën akull, për qytetarët është bërë e vështirë lëvizja. Rastet e frakturave janë shtuar së tepërmi në grupmosha nga më të ndryshmet. Jo vetëm fëmijët, por edhe të moshuarit janë ata të cilët janë lënduar si pasojë e rrëshqitjes dhe rrëzimit në akull. Ortopedi Koço Mati në spitalin rajonal të qytetit thotë se vetëm gjatë ditëve të fundit janë regjistruar mesatarisht 15 raste të frakturave në ditë. Sipas tij, kryesisht frakturat janë në gjymtyrë dhe kyçe. Por temperaturat disa gradë nën zero kanë dyfishuar edhe rastet problematike te të sëmurët kardiakë. Mjekët thonë se deri në 10 raste në ditë paraqiten në urgjencën e spitalit, ku një pjesë e të sëmurëve kanë nevojë për shtrim. Këtë fillimviti, përveç rasteve të të moshuarve, numri i të cilëve është mbizotërues për sa i përket problemeve dhe sëmundjeve të zemrës, janë regjistruar dhe pacientë të grupmoshës 35-40 vjeç. Pavarësisht se rrugët nacionale raportohen si të hapura dhe të kalueshme pa zinxhirë, ngricat e këtij fillimviti janë bërë një burim i padiskutueshëm aksidentesh. Brenda dy javëve të fundit, shifrat e regjistruara ku drejtuesit e mjeteve kanë humbur kontrollin si pasojë e rrëshqitjes në akull janë shqetësuese. Gjashtë aksidente me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e 8 të tjerëve janë evidentuar nga njësia e qarkullimit rrugor Korçë dhe po kaq të tillë janë regjistruar vetëm me dëme materiale. I ftohti siberian i regjistruar të hënën ka sjellë edhe një rritje të çmimit të druve. Ndërsa pa ardhur sezoni i dimrit, çmimi i një metri kub dru shkon nga 15-16 mijë lekë, aktualisht një metër kub shitet me 24 mijë lekë. dh.d











