Kontrolli i kasave një herë në vit, vendoset çmim tavan

Sep 6, 2012 | 12:00
Ministri i Financave, Bode

Qeveria ka vendosur të ulë koston e mirëmbajtjes së pajisjes fiskale që përdorin sot bizneset. Përmes një vendimi të miratuar dje, u bë ndryshimi i radhës ku kontrolli i pajisjeve nga dy herë në vit, që është aktualisht, do të bëhet vetëm një herë në vit. Kjo sipas kreut të qeverisë do të rezultojë edhe me një ulje të kostos për biznesin që paguan plot 9400 lekë për mirëmbajtjen. Qeveria ka vendosur një çmim tavan për këtë shpenzim, duke i kufizuar kështu kompanitë për çmimet e tyre. “Shoqëria e autorizuar, një herë në 12 (dymbëdhjetë) muaj është e detyruar të kryejë kontrollin periodik teknik të pajisjeve dhe sistemeve fiskale dhe çmimi tavan duhet të jetë jo më shumë se 4 000 (katër mijë) lekë. Tatimpaguesi siguron aksesin për kryerjen e kontrollit nga stafi teknik i kompanisë së autorizuar”, thuhet në vendimin e qeverisë. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha ka vlerësuar se ky është një lehtësim që i bëhet biznesit. “Mendoj se ky është një lehtësim serioz që u bëhet bizneseve në veprimtarinë e tyre. Pra, nga dy kontrolle në vit, do të kenë vetëm një kontroll në vit dhe ai do të jetë me më pak se gjysmën e çmimit të kontrolleve që bëheshin deri tani”, u shpreh Kryeministri.

© Panorama.al

Te lidhura