Kontrollet, mungon higjiena në 14 kopshte e çerdhe

May 6, 2011 | 11:06

Probleme me higjienën në kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit. Nga sa bën me dije Drejtoria e Higjienës, këto ditë del raporti i plotë me situatën e plotësimit të kushteve higjieno-sanitare në të gjitha këto institucione, ku do të lihen edhe detyrat përkatëse, mosrealizimi i të cilave do të shoqërohet me mbylljen e tyre. Nga kontrollet e bëra deri më tani, në shumë prej çerdheve dhe kopshteve është raportuar si problem lagështira, për të cilën laboratorët po bëjnë edhe matjet e detajuara që të konfiromojnë nivelin e rrezikshmërisë. Në masë e amortizuar ka rezultuar të jetë baza didaktike, si tavolinat, karriget apo raftet e gjërat e tjera të nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor. Në kushte të këqija rezultojnë të jenë edhe suvatë e mureve, të cilat janë me lagështirë dhe bëhen problematike veçanërisht gjatë dimrit, duke qenë se kthehen në vatra për burim infeksionesh. Nga 29 çerdhet e kontrolluara deri më tani, në 4 prej tyre ka rezultuar si problem shqetësues prania e lagështirës. Po ashtu, edhe mungesa e ambienteve krahasuar me numrin e fëmijëve. Krahas këtyre çerdheve, kjo problematike është vënë re edhe në 10 kopshte të ndryshme publike. Mosplotësimi i kushteve higjieno-sanitare është vënë re edhe në kopshtet që i janë nënshtruar rikonstruksionit. Pranë këtyre të fundit shqetësimet janë vënë re veçanërisht në ambientet e kuzhinës, ku gatuhet për të vegjlit. Kjo, pasi jo vetëm që kanë kapacitete të kufizuara përballë numrit të fëmijëve të regjistruar, por edhe pajisja e tyre bëhet me mjete që nuk mund të përballojnë këtë fluks.

© Panorama.al

Te lidhura