Zgjedhjet vendore sapo përfunduan. Mundësia për një fitore të trefishtë për kryetarët e bashkive, këshillat bashkiakë dhe votën popullore, duket e vështirë për t’u arritur nga secila prej dy partive të mëdha. Kjo mund të jetë shkak për tensionim të mëtejshëm të politikës shqiptare, kur realisht kërkohet dalja sa më parë nga kriza. Shumë analistë, por edhe politikanë, presin me ankth të komentojnë rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Grupime dhe analiza preferenciale apo deri edhe militante, ndoshta do të rriten dhe mund të bëhen akoma më të lodhshme për publikun… Ka shumë aspekte të impaktit politik të këtyre zgjedhjeve që vlejnë të analizohen, po tentoj të fokusohem te njëri prej tyre, pikërisht te përqindja shumë e lartë e personave që nuk iu përgjigjën një sondazhi të kryer nga një kompani e specializuar, menjëherë sapo u mbyllën kutitë e votimit.
Ndoshta ekspertët e kësaj kompanie, në kushtet kur ishte kaq i lartë numri i të pyeturve që nuk iu përgjigjën anketës (rreth 1/3), mund ta kishin konsideruar të padobishëm publikimin e sondazhit të tyre. Kjo jo thjesht për të ruajtur kredibilitetin e kompanisë, por sidomos për pamundësinë e deklaruar të tyre për të qartësuar sadopak arsyet reale të kësaj shumice me efekt deri përcaktues.
Tani konkludohet se pjesa më e madhe e tyre ka votuar për Ramën, duke pranuar faktin që opozita theksoi qartë se kërkohej votë kundër Kryeministrit dhe qeverisjes së tij, këta votues të padeklaruar për një sondazh, rezulton se me votë janë deklaruar kundër maxhorancës.
Pra, 30% e votuesve të Tiranës (sondazhet synojnë që nëpërmjet kampionit përzgjedhës të përllogaritin rezultatin sa më të afërt të të gjithë votuesve), votuesit e kryeqytetit të një vendi që inspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, në vitin 2011 kanë frikë të shprehin votën e tyre gjatë sondazheve.
Ky është kontributi real i sondazhit të kompanisë “Gani Bobi”, i cili na ndihmon të kuptojmë se sa të rënda dhe të mprehta janë sfidat tona, nga të cilat, më e rëndësishmja dhe që influencon sfidat e tjera ekonomike dhe sociale është sfida e demokratizimit.
Disa analistë do të kryejnë shumë rikalkulime statistikore që t’i zvogëlojnë përmasat dhe efektet e pjesës që realisht ka pasur frikë të shprehet për votën e vet.
Koha e harxhuar për rikalkulime nuk do të jetë më e vlefshme se koha që duhet për analiza të thelluara politike për shkaqet reale, që gati 1/3 e votuesve të kryeqytetit, edhe pas votimit, nuk e deklarojnë votën e tyre.
Ndoshta do të tentohet deri edhe të fshihet thelbi i arsyeve reale, duke abuzuar me kulturën e votuesve tanë. Në këtë rast, fakti që ky tregues (mosshprehja e votës në një sondazh), është përkeqësuar në raport me sondazhet e viteve të tjera, do ta bëjë jorealist apo të keqpërdorur përkushtimin e disa analistëve.
Gjithashtu, mund të tentohet të argumentohet me pasivitetin e votuesve tanë, mungesën e dëshirës, apo përtesën për t’iu përgjigjur pyetjeve etj., argumente të cilat vështirë se mund të jenë bindëse, sepse këta votues nuk kanë përtuar për të votuar, ata kanë përmbushur një detyrim qytetar për të përzgjedhur kryebashkiakun e tyre.
Realiteti duhet parë në sy, një pjesë në rritje e qytetarëve të kryeqytetit ndihen të frikësuar për të shprehur votën e tyre edhe pasi ata kanë votuar. Ata nuk shprehen as përpara disa intervistuesve që nuk ua kërkojnë identitetin, por thjesht për cilin kandidat kanë votuar.
Pikërisht frika nga maxhoranca në një përmasë kaq të madhe dhe te votuesit e kryeqytetit, kërkon një analizë shumë më të thellë dhe më të plotë për shkaqet reale.
Në këtë kontekst, kontributi real i sondazhit ishte identifikimi i faktit që tregon se sa e madhe është pjesa e frikësuar e votuesve shqiptarë. Sado të lexohet dhe sido që të lexohet ky mesazh, kjo mbetet për t’u parë. Rreziku që të fshihen shkaqet dhe përmasat reale të këtij fenomeni mbetet i lartë.
Duhen qartësuar faktorët që e kanë prodhuar këtë frikë, arroganca qeverisëse, niveli i lartë i korrupsionit, vrasja e demonstruesve paqësorë, largimi për bindje politike nga administrata e njerëzve të kualifikuar, bllokimi i mundësive për të rinj në administratë për shkak të korruptimit të procesit të marrjes në punë, rritja e abuzivitetit të administratës publike, rënia e aktivitetit ekonomik, rritja e varfërisë etj. Studiuesit mund ta bëjnë këtë analizë komplekse dhe të vështirë më mirë se politikanët.
Strategjitë e mbajtjes së pushtetit me çdo kusht, edhe pa përmirësuar standardet reale të demokracisë së vendit, duket se vazhdojnë të rrezikojnë të ardhmen tonë.
Frika te rreth 1/3 e votuesve tanë në kryeqytet tregon se sa shqetësuese janë përmasat dhe pasojat e frikës nga maxhoranca. Rritja e lirive të një populli mund të mos e bëjë më të lehtë qeverisjen e tij, por e bën gjithnjë e më produktive. Korrelacioni pozitiv midis lirive politike dhe sfidave ekonomike e sociale të çdo vendi, e imponon zhdukjen e frikës nga maxhorancat, ku rruga e vetme është rritja e lirive.
Ish-presidenti amerikan, Thomas Jefferson (1743 – 1826) do të theksonte se “kur njerëzit kanë frikë nga qeveria e tyre, atje është tirania; kur qeveria ka frikë nga populli, atje është liria”. Ky leksion nga historia e demokracive moderne është i vlefshëm jo vetëm për një palë zgjedhje dhe jo vetëm për një periudhë të caktuar të historisë së çdo vendi.
Ai është shumë aktual dhe shumë i dobishëm, aq më shumë për vendin tonë, si për shkak të historisë së vështirë në të shkuarën, por sidomos në funksion të sfidave të së ardhmes.
© Panorama.al












