CEZ Shpërndarje ka hedhur poshtë një pjesë të mirë të pikave të propozuara në kontratën e re të energjisë sa u përket kamatëvonesave, trajtimit të mbifaturimeve, dëmshpërblimit automatik apo afateve të verifikimit.Përfaqësues të kësaj kompanie argumentuan se ulja e kamatëvonesës nga 0.5 për qind e vlerës së faturës në ditë në 0.1 për qind e vlerës së faturës do të ndikojë direkt në përgjegjshmërinë e qytetarëve për të paguar. “Ne mendojmë që në fuqi të lihet niveli aktual i kamatëvonesës, sepse mendojmë që kjo është një shtysë më shumë që qytetarët paguajnë, ulja e saj mendojmë që do të prekë këtë pjesë”, tha Aurora Alimadhi, drejtore juridike në CEZ. Ndërkaq, ajo theksoi se CEZ Shpërndarje gjithashtu kundërshton me ngulm edhe pjesën ku përcaktohet pezullimi i faturave, të cilat mendohet se mund të ketë mbifaturim. Propozimi në kontratën \e Entit Rregullator të Energjisë është që, në rast se qytetari merr një faturë me një vlerë dukshëm më të lartë se mesatarja e zakonshme mujore, kjo faturë pezullohet për pagesë deri në momentin e verifikimit. Përfaqësuesit e CEZ nga ana tjetër propozuan që fatura të vijojë të mbetet në fuqi dhe të ekzistojë detyrimi për t’u shlyer, por të shkurtohen afatet e verifikimit nga 30 ditë në 10 apo 15 ditë. Pra, qytetari mund të shlyejë detyrimin në vlerën që shënohet në faturë, por pas verifikimit nëse rezulton mbifaturim, kjo pjesë t’i rimbursohet me “energji” për kohën në vijim sipas vlerës së faturuar tepër. Një tjetër pikë që u diskutua ishte ajo lidhur me dëmshpërblimin automatik, ku edhe këtu CEZ nuk shprehu aprovimin e tij. Drejtori i Divizionit të Shpërndarjes pranë CEZ, Admirim Lakra, kundërshtoi këtë propozim të kontratës së re, pasi një praktikë e tillë është e vështirë të zbatohet edhe në vendet e tjera. Ai solli në vëmendje faktin që, pavarësisht përpjekjeve për një cilësi të mirë të furnizimit me energji, rrjeti i amortizuar është një pengesë. Sakaq, përfaqësues të ERE kanë pritur propozimet e CEZ, por nga ana tjetër kanë theksuar se kontrata e re garanton një marrëdhënie të drejtë mes konsumatorit dhe kompanisë CEZ. Sipas tyre, një pikë që CEZ duhet të ketë parasysh është aksesi i qytetarëve për të verifikuar matësit në çdo kohë, gjë e cila aktualisht është e vështirë të kryhet. Dëgjimorja publike e organizuar dje nga Enti Rregullator i Energjisë do të shërbejë për të pasqyruar rregullimet finale në kontratën e cila do të miratohet brenda shtatorit nga Bordi i Komisionerëve dhe në janar të vitit të ardhshëm do të hyjë në fuqi.
Cilësia e tensionit
Në draft-kontratë theksohet se “furnizuesi ka për detyrë që të respektojë parametrat e cilësisë së tensionit konform Kodit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me këto devijime të lejuara: për kryeqytetin +/-5%, për zonat urbane +/-10%, dhe për zonat rurale +10/-15%. Lidhur me cilësinë e tensionit dje përfaqësues të CEZ Shpërndarje u ankuan se, tolerimi +/- 10% që i bëhet OST-së në tension e dëmton jashtëzakonisht kompaninë e shpërndarjes.
Pikat që kundërshton CEZ
. Niveli i kamatëvonesës: CEZ kërkon që të lihet në fuqi kamatëvonesa 0.5 për qind e vlerës së faturës në ditë dhe jo 0.1 për qind, sikurse propozohet.
. Pezullimi i faturave: Faturat ku konstatohet mbifaturim, nuk duhet të pezullohen nga pagesa, por duhet të shkurtohet afati i verifikimit të tyre.
. Dëmshpërblimi automatik: Në kushtet ekzistuese të mos përfshihet dëmshpërblimi automatik, pasi ky vështirë se mund të realizohet.
. Afatet e ndërprerjeve: Konsumatorit t’i lihen në dispozicion 30 ditë nga lëshimi i faturës për të bërë shlyerjen, në të kundërt të lajmërohet 48 orë para për ndërprerje të energjisë. Aktualisht, shlyerja e faturës mund të bëhet deri në fund të muajit pasardhës.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











