Konsullata greke refuzon certifikatën pa “kombësi”

May 28, 2011 | 10:29

Konsullata greke në Gjirokastër nuk njeh certifikatat e reja të shtetit shqiptar.Mungesa e elementit “kombësi” në dokumentin zyrtar solli reagimin konkret nga ana e autoriteteve helene të Konsullatës së Përgjithshme greke në Gjirokastër. Ky reagim vjen një ditë pas publikimit të deklaratës së OMONIA-s për mungesën e etnicitetit në certifikatat e reja, të lëshuara nga autoritetet e Gjendjes Civile. Shqetësimi ka qenë mjaft i prekshëm nga ana e të interesuarve që kanë dashur të legalizojnë dokumentacione të ndryshme në përfaqësinë diplomatike në jug të vendit. Sipas Përparim Kasit nga Gjirokastra, certifikata e tij është refuzuar të merret në dorëzim nga ana e përgjegjësve konsullorë grekë. “Kur u paraqita në sportel, autoritetet greke, pasi panë certifikatën, m’u drejtuan se ajo nuk vlente. Më kërkuan t’u  paraqisja një dokument identifikimi, ku të ishte shënuar etnia”, u shpreh Kasi. Sipas tij, konsullata do t’ia kishte pranuar nëse do t’u kishte paraqitur një certifikatë të marrë javën e kaluar, kur kombësia ishte e shënuar. “Certifikatën që çova në Konsullatë, e tërhoqa të hënën e kaluar në zyrën e gjendjes civile të Bashkisë së Gjirokastrës”, u shpreh më tej Kasi. Veprimet konsullore dje kanë qenë të aplikueshme për personat që dispononin certifikata ku ishte shënuar kombësia, por që mbanin datën e para 23 majit. Burime nga Konsullata e Përgjithshme Greke në Gjirokastër, të cilat nuk pranuan të identifikohen, sqarojnë se procesi i pranimit të certifikatave pa etninë përkatëse të shtetasve shqiptarë është suprimuar deri në një urdhër të dytë nga ana e Ministrisë së Jashtme të vendit fqinj.
Ndërkaq, një tjetër shtetasi, i cili është pjesë e minoritetit grek në fshatin Aliko të Sarandës, nuk i është pranuar dokumenti i ri. Duke qenë pjesë e minoritetit, Kosta Sara, pensionist, u shpreh se reagimi i Konsullatës ka qenë më se i drejtë, pasi sipas tij, nuk është normale t’i mohohet etnia. “Nuk ka përse shteti shqiptar të më mohojë mua dhe fëmijëve të mi etninë që e kam të shenjtë. Ky veprim i Konsullatës Greke duhej, pasi, në të kundërt, etnia në certifikata nuk do të vendosej”, u shpreh më tej i moshuari, mjaft i indinjuar. Dje, shumica e personave që kërkonin të legalizonin dokumentacionet e tyre në Konsullatë, dispononin certifikatat e vjetra. Por, disa të tjerë, të cilët mësuan nga personat që iu kthyen mbrapsht dokumentet, vendosën të mos futeshin fare në Konsullatë, derisa të gjendet një zgjidhje ndërmjet dy shteteve. “Nuk është e drejtë të na sorollatin në këtë mënyrë. Kot sa pres, pasi e di që nuk do të më legalizojnë certifikatën”, u shpreh një grua, e cila vendosi të largohej pa u futur në këtë institucionin diplomatik, ndonëse kishte pritur disa momente në radhë.

OMONIA: Të ndërhyjë shteti, veprim tendencioz

Krerët e organizatës OMONIA në jug të vendit i kërkuan dy ditë më parë shtetit shqiptarë të korrigjojnë në mënyrë të menjëhershme heqjen e elementit të kombësisë në certifikata. “Janë të shumta pikat e dobëta dhe tendencioziteti në çështjen që lidhet me procedurën dhe formatin e ri të lëshimit të certifikatave nga gjendja civile. Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek, OMONIA, pasi e shqyrtoi çështjen, e denoncon publikisht atë. Theksojmë se nuk është e mundur që të tolerojmë dinakëri anadollake të kësaj natyre, me të cilat burokracia dhe klasa politike tentojnë gjenocidin statistikor të Minoritetit Etnik Grek në tokat e tij amtare”, thuhej ndër të tjera në deklaratën e OMONIA-s. Sipas drejtuesve të kësaj organizate, akti në fjalë, pa asnjë lloj paralajmërimi nga qeveria shqiptare për të ndryshuar formatin dhe përmbajtjen e certifikatës së lindjes dhe që të mos referohet më elementi i kombësisë, përveçse krijon probleme të shumta të karakterit teknik dhe burokratik, konfirmon me fakte se cilat janë mentalitetet që zotërojnë në aparatin shtetëror edhe për sa i përket çështjes së regjistrimit të popullsisë.

MEGA: Të korrigjohet etniciteti në certifikatë

SARANDE- Pas OMONIA-s, reagon edhe Partia më e re e minoritetit grek, MEGA, për heqjen e elementit “kombësi” nga certifikata. Etniciteti nuk përcaktohet më në këtë dokument, duke filluar që prej 23 majit të këtij viti, ndaj, nëpërmjet një deklarate të bërë dje publike, krerë të Partisë më të re të minoritetit në jug të vendit me qendër në Sarandë, i kërkuan shtetit shqiptar ta korrigjojë atë menjëherë. “Partia MEGA ndjek me shqetësim të madh të gjithë fushatën e organizuar kohët e fundit nga qendra të caktuara lidhur me regjistrimin e popullsisë. Gjithashtu, shprehim shqetësimin tonë me veprimin e fundit të ndërmarrë nga ana e qeverisë për vendimin e saj të datës 19 janar 2011 për miratimin e modelit të ri të certifikatës dhe hyrjen në fuqi në muajin maj 2011. Ky vendim ka shkaktuar reagime në gjirin e minoritetit që jeton në Shqipëri. Një veprim i tillë është ndërmarrë edhe shumë vite më parë, por, pas reagimit të minoritetit, është ruajtur modeli në të cilin shënohej kombësia”, thuhej në deklaratën e MEGA-s. Më tej, në deklaratën që mbante firmën e kreut të kësaj Partie, Kristal Kiço, thuhej se “vendimi i qeverisë vjen pas debateve të shumta që janë bërë kohët e fundit, lidhur me deklarimin e kombësisë dhe besimit në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë. Duam të besojmë se qeveria nuk ka rënë pre e presioneve të qarqeve nacionaliste dhe se do të jetë garant i respektimit të të drejtave të minoritetit grek”.                  sh.d

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

© Panorama.al

Te lidhura