Konstituohet Këshilli i Qarkut, Tasim Mema në krye

Sep 29, 2011 | 10:38
Tasim Mema, kreu i Këshillit të Qarkut me kryebashkiakun Basha

Konstituohet Këshilli i ri i Qarkut në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës thirri dje mbledhjen e parë ku u zgjodh Kryesia e Këshillit dhe kryetari. Më 73 vota pro, 3 abstenime dhe 1 kundër, Tasim Mema do të jetë në krye të Këshillit. Nënkryetar u zgjodh Korab Lita me 65 vota pro dhe 2 abstenime. Në Kryesinë e Këshillit të Qarkut u zgjodhën përfaqësues nga dy koalicionet e mëdha politike, “Aleanca për qytetarin” dhe “Aleanca për të ardhmen”. Kryesia u zgjodh me 64 vota pro dhe 2 kundër. Anëtarët e Kryesisë së Këshillit u zgjodhën: Ferdinand Poni, Shezai Rrokaj, Xhelal Mziu, Fiqiri Ismaili, Enver Reci, Fatbardh Plaku, Ndriçim Dushku, Lulzim Basha dhe Njazi Kosovrastri. Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, kërkoi bashkëpunim, pavarësisht ngjyrimeve politike, në shërbim të qytetarëve. “Kërkoj angazhimin tuaj për një bashkëpunim sa më të frytshëm gjatë kësaj mbledhjeje, në shërbim të interesave të qytetarëve të qarkut tonë, të cilët na kanë zgjedhur, mbi të gjitha, jo për ngjyrat politike që përfaqësojmë ose që përfaqësuam gjatë fushatës, por për një shërbim sa më të mirë, sa më të shpejtë, efikas, dinjitoz ndaj interesave të tyre të përditshme, por dhe interesave të tyre afatgjata”, tha kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha. “Për të zhvilluar Tiranën e madhe është domosdoshmëri puna e përditshme në mbledhjen e Këshillit të Qarkut, vizion i cili ngërthen në vetvete shtrirjen e bulevardeve të zhvillimit ekonomik, shoqëror, turistik, mjedisor, por dhe bulevardeve fizike, infrastrukturës së re, transportit publik me mjete moderne. Do të jetë e pamundur nëse ajo nuk do të ndodhet në shpirtin, mendjen dhe punën e përditshme të Këshillit të Qarkut”, tha Basha para anëtarëve të qarkut.

© Panorama.al

Te lidhura