Konsensus PD-PS: Miratohet Kodi Rrugor, skema e re për gjobat

Dec 6, 2011 | 10:31

Parlamenti miratoi dje me 117 vota pro ndryshimet në Kodin Rrugor.

Tejkalimi i shpejtësisë, 1 mijë deri në 12 mijë lekë.

Parlamenti miratoi dje me 117 vota pro ndryshimet në Kodin Rrugor. Pas një jave debatesh mes maxhorancës dhe opozitës, në seancën e djeshme kuvendore është arritur marrëveshja, çka ka bërë që të gjithë deputetët të votojnë për rritjen e nivelit të gjobave për drejtuesit e automjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Komisioni i Veprimtarive Prodhuese u mblodh në mëngjes, në orën 09:00, për të diskutuar disa propozime të deputetit të Partisë Socialiste, Eduard Shalsi. Konsensusi i arritur në Komision i hapi rrugë votimit në seancë parlamentare të tri propozimeve që kishte bërë qeveria, si dhe atyre të bëra nga Komisioni i Ligjeve. Gjatë diskutimeve para se të miratohej ligji, nënkryetari socialist Shalsi tha se “kemi insistuar në disa pika që ne i gjykojmë se janë të rëndësishme, një nga të cilat është sistemi i pikëzimit të patentave. Kodi Rrugor është një nga elementet, por nuk duhet ndarë këtu. Sistemi i pikëzimit që ne propozuam është një ndryshim shumë i rëndësishëm, i cili nuk do të hyjë në fuqi menjëherë”. Ndërsa ministri Olldashi kërkoi që forcat politike të bien dakord dhe Kodi Rrugor të kthehet në ligj që kërkon shumicë të thjeshtë, dhe jo 84 vota.
Gjobat e reja
Në mbledhjen e djeshme të Komisionit u hodh poshtë propozimi i qeverisë për të katërfishuar gjobat për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe propozimi i PS-së për t’i dyfishuar ato. Deputetët ranë dakord për të gjetur një formulë të ndërmjetme, e cila ngushton diapazonin mes gjobës minimale dhe asaj maksimale. Konkretisht, nëse për shkeljen e një rregulli në Kodin e vjetër ishte parashikuar një gjobë nga pesë qind deri në dy mijë lekë dhe sipas propozimit të qeverisë ajo bëhej nga dy mijë në tetë mijë lekë, Komisioni propozoi dyfishimin e gjobës minimale dhe gjoba maksimale të jetë sa trefishi i asaj minimales. Pra, sipas variantit të miratuar në Parlament për një gjobë që deri tani ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë, ajo të bëhet një mijë deri në tri mijë lekë. Sipas variantit përfundimtar të votuar në Kuvend, drejtuesi i mjetit që kalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/orë ndëshkohet me masë administrative gjobë nga një mijë deri në tri mijë lekë. Më parë kjo gjobë ka qenë nga pesë qind deri në dy mijë lekë. Në të njëjtën kohë, shoferi që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 10 km/orë dhe jo me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë dy mijë deri në gjashtë mijë lekë. Më parë për këtë shkelje drejtuesit e automjeteve paguanin nga një mijë deri në katër mijë lekë. “Cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga katër mijë dymbëdhjetë mijë lekë. (Ishte nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë). Si pasojë e kësaj shkeljeje merret masa administrative plotësuese me pezullimin e leje-drejtimit nga një deri në tre muaj. Në qoftë se shkelja është kryer nga një drejtues mjeti që e zotëron leje-drejtimin prej më pak se 3 vjetësh, pezullimi i leje-drejtimit bëhet për tre deri gjashtë muaj”, thuhet në pikën 9 të nenit 140 të ligjit të miratuar dje. Në Parlament u votua edhe propozimi për të aplikuar sistemin e pikëzimit të patentave. “Me aktin e dhënies së leje-drejtimit jepet gjithashtu një sasi prej njëzet pikësh për çdo drejtues mjeti. Një sasi e tillë pikësh, e shënuar në Arkivin Kombëtar të personave të pajisur me leje-drejtimi pëson zbritje, në bazë të njoftimeve për shkeljet e normave të sjelljes për të cilat është parashikuar një sanksion administrativ plotësues i pezullimit të drejtimit”, thuhet në nenin 120 pika 1 të ligjit të votuar.

Alkooli
“Është i ndaluar drejtimi i mjeteve në gjendje të dehur si pasojë e përdorimit të pijeve alkoolike. Është i ndaluar drejtimi i mjeteve pas përdorimit të pijeve alkoolike dhe nën ndikimin e alkoolit. Cilido që drejton mjetin nën ndikimin e alkoolit, ndëshkohet me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. Pas verifikimit të shkeljes zbatohet masa administrative e pezullimit të leje-drejtimit nga gjashtë muaj deri në një vit dhe nga një vit deri në dy vjet”, thuhet në ndryshimet e nenit 184 të Kodit Rrugor.

gjobat
Në nenet 203 dhe 204 të Kodit Rrugor, të ndryshuara dje, thuhet se “në të gjitha rastet e parashikuara me gjobë, nëse arkëtimi i vlerës së gjobës nga kundërvajtësi bëhet brenda pesë ditësh nga dita që vendimi ka marrë formën e prerë, gjoba ulet me 20 për qind të vlerës. Parashkrimi i së drejtës për vjeljen e shumave të detyruara nga masat administrative me gjobë për shkeljet e parashikuara nga ky Kod, është rregulluar me ligjin nr. 10279, datë 20.05.2010 ‘Për kundërvajtjet administrative’”.

Gjobat e reja për drejtuesit e automjeteve
Neni 140, pika 7

Cilido që nuk respekton kufijtë minimalë të shpejtësisë ose kalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/orë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë një mijë deri në tri mijë lekë. (Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë).
Neni 140, pika 8
Cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 10 km/orë dhe jo me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë dy mijë deri në gjashtë mijë lekë. (Ishte nga një mijë deri në katër mijë lekë).
Neni 140, pika 9
Cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga katër mijë dymbëdhjetë mijë lekë. (Ishte nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë). Si pasojë e kësaj shkeljeje merret masa administrative plotësuese me pezullimin e leje-drejtimit nga një deri në tre muaj. Në qoftë se shkelja është kryer nga një drejtues mjeti që e zotëron leje-drejtimin prej më pak se 3 vjetësh, pezullimi i leje-drejtimit bëhet për tre deri gjashtë muaj.
Neni 140, pika 10
Cilido që shkel dispozitat e pikës 4, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tri mijë lekë. (Ishte nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë).
Neni 141
Cilido që qarkullon kundërvajtje në kthesat, në rakordimet konvekse ose në ndonjë rast tjetër me fushëpamje të kufizuar, ose që e përshkon karrexhatën kundërvajtje kur rruga është e ndarë në disa karrexhata të veçanta, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë në gjashtë mijë lekë. (Ishte nga një mijë deri në katër mijë lekë). Cilido që shkel dispozitat e tjera të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Neni 142, pika 4
Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (qarkullimi i mjeteve në rreshta paralele), ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë. (Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë).
Neni 143, pika 10
Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (përparësia), ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë. (Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë).
Neni 144, pika 2
Cilido që nuk sillet në mënyrën e treguar nga sinjalizimi rrugor, ose nga normat përkatëse të akteve në zbatim, si dhe nga polici i trafikut, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë. Janë përjashtuar masat e veçanta të parashikuara në nenet 6 dhe 7. (Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë).
Neni 145, pika 5
Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (mënyra e veprimit në kalimet në nivel) ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tri mijë lekë. (Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë).
Neni 146, pika 15
Cilido që kryen një parakalim pa zbatuar dispozitat e pikave 2, 3, 4, 5 dhe 8 ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tri mijë lekë. (Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë).
Neni 146, pika 16
Cilido që nuk zbaton ndalimet e parakalimit sipas pikave 9, 10, 11, 12, 13 ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë në tre mijë lekë. (Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë). Kur nuk zbatohen ndalimet e parakalimit sipas pikës 14, masa administrative është me gjobë nga dy mijë në gjashtë mijë lekë. (Ishte nga një mijë deri në katër mijë lekë).
Neni 147, pika 4
Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (largësia e sigurisë ndërmjet mjeteve) ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë. (Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë).
Neni 150, pika 3
Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (sinjalizimi pamor dhe ndriçimi i mjeteve), ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tri mijë lekë. (Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë).
Neni 151, pika 11
Cilido që shkel dispozitat e tjera të këtij neni (përdorimi i sistemeve të sinjalizimit pamor dhe mjeteve me motor dhe rimorkiove) ose përdor në mënyrë të gabuar sistemet e sinjalizimit me ndriçim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë. (Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë).
Neni 152, pika 7
Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (ndryshimi drejtimit a i korsisë ose manovra të tjera), ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë. (Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë).
Neni 156, pika 6
Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (ndalimi i qëndrimit dhe pushimit të mjeteve), ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë (Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë).
Neni 160, pika 5
Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (sinjalizimi i mjetit të ndaluar), ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë. (Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë).
Neni 162, pika 8
Cilido që shkel dispozitat e pikave të mësipërme të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në te mijë lekë. (Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë).
Neni 163, pika 3
Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (tërheqja e mjeteve me avari), ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë. (Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë).

Kuvendi: Mediu kërkon një minutë heshtje për Godon
Ndarja nga jeta e “Plakut të urtë” të politikës, Sabri Godos, është përkujtuar me një minutë heshtje në seancën plenare të ditës së hënë. Kryetari i Partisë Republikanë, Fatmir Mediu, para nisjes së diskutimit për buxhetin e vitit 2012 kërkoi nga demokratët dhe socialistët të mbanin heshtje në kujtim të ish-deputetit Sabri Godo. Qeveria, në nder të ndarjes nga jeta të Godos, e shpalli ditën e diel zi kombëtare. Sabri Godo lindi në Delvinë më 8 gusht 1929 dhe mori pjesë në Luftën Antifashiste në moshë të re. Zoti Godo u nda nga jeta të shtunën, në moshën 82-vjeçare. Politikan, shkrimtar, skenarist, Godo që prej dorëheqjes nga kryetar i Partisë Republikane, të cilën e themeloi në vitin 1991, mbante postin “President Nderi” i Asamblesë Kombëtare të kësaj partie. Po ashtu, Kushtetuta aktuale e Republikës së Shqipërisë mban firmën e Godos, si bashkëkryetar i komisionit që e hartoi.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura