Konomi, hapen dosjet e pronave të familjes

Sep 11, 2011 | 11:38
Gjyqtari i vrarë, Skerdilajd Konomi

Pista e vrasjes për shkak të konflikteve të pronësisë mbetet versioni më i fortë në lidhje me atentatin me eksploziv ku gjeti vdekjen gjyqtari i Vlorës, Skerdilajd Konomi.Grupi hetimor i ngjarjes me ekspertë dhe prokurorë të Krimeve të Rënda nga Prokuroria dhe Policia, ka urdhëruar dje hetuesit të kryejnë verifikime dhe sekuestrim dokumentesh në Hipotekën e Durrësit, në Gjykatën e këtij qyteti dhe në Agjencinë e Pronave për disa troje me sipërfaqe të mëdha toke ku Skerdilajd Konomi ishte trashëgimtar në Hamallaj dhe te Gjiri i Lalzit. Përqendrimi te pista e problemeve të pronësisë ka ardhur për shkak se nga informacionet e grumbulluara nuk është arritur të gjendet ndonjë provë për mundësinë e një ekzekutimi për shkak të detyrës. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, aktualisht Skerdilajd Konomi kishte në shqyrtim tetë dosje, nga të cilat një dëshmi trashëgimie dhe të tjerat urdhra ekzekutimi për kredimarrës nga bankat, si dhe detyrime ndaj qytetarëve për shlyerjen e faturave të energjisë elektrike. Rëndësia e vogël e këtyre çështjeve është bërë shkak për lënien disi mënjanë të veprimeve hetimore mbi mundësinë e vrasjes për shkak të detyrës. Dje Prokuroria ka kërkuar edhe tabulatet e celularit të gjyqtarit nga kompanitë telefonike.
Pistat e hetimit
Edhe ditën e djeshme, Policia e Vlorës së bashku me ekspertët dhe Prokurorët së Krimeve të Rënda kanë vazhduar hetimet në dy pista kryesore: vrasje për shkak të detyrës dhe konfliktet personale. Numri i personave të shoqëruar në polici ditën e djeshme ka qenë më i vogël, ndërkohë hetuesit janë përqendruar te pyetjet e rrethit të personave të afërt me gjyqtarin. Kështu, mësohet se prokurorët e Krimeve të Rënda kanë marrë në pyetje dajën e Skerdilajd Konomit, xhaxhain e tij dhe disa kushërinj e të afërm. Nga burimet e hetimit mësohet se të afërmit e gjyqtarit kanë thënë se 33-vjeçari nuk ka pasur konflikte apo mosmarrëveshje personale, ndonëse ai ka qenë në një konflikt gjyqësor prej më se një viti për një truall të trashëguar nga nëna e babait në Hamallaj, zonë pranë Gjirit të Lalzit në Durrës. Pa pohuar se dinë diçka konkrete për këtë version, të afërmit e gjyqtarit kanë thanë se “beteja ligjore” për këto prona, e cila kishte përfunduar në korrik 2011 me fitoren e Skerdilajd Konomit, mund të ketë qenë shkaku i vetëm i krimit. Dëshmitarët e kanë përshkruar gjyqtarin si një njeri me temperament të qetë, që nuk konfliktohej me njeri, ndërkohë që e kanë konsideruar atë si shumë të angazhuar në çështjen e trashëgimisë së pronave, konkretisht në sigurimin e dokumenteve dhe provave me të cilat do të fitonte trashëgiminë e tokave në fjalë.
Hetime në Durrës
Anëtarët e grupit të hetimit që është ngritur për zbardhjen e vrasjes së gjyqtarit të Vlorës, kanë kryer dje veprime hetimore në Hipotekën dhe AKKP-në e Vlorës dhe të Durrësit. Sipas burimeve nga hetimi, gjyqtari kishte fituar pronësinë e disa trojeve në Durrës dhe në Vlorë, ndërsa ditët e fundit, Skerdilajd Konomi ka qenë në Durrës ku ishte interesuar për regjistrimin në Hipotekë të pronave që kishte fituar me vendim të Gjykatës së Lartë në korrik të këtij viti. Dokumentet e këtij procesi gjyqësor, si dhe dosjet e pronave në Hipotekë dhe në Agjencinë e Pronave janë marrë dje nga hetuesit për të parë kush kanë qenë personat e tjerë të interesuar për sipërfaqet e tokës që ka përfituar gjyqtari Konomi në cilësinë e trashëgimtarit. Disa prej personave “në betejë ligjore” me gjyqtarin për sipërfaqet e tokave në fjalë mësohet se janë përmendur në dëshminë e tij nga daja i 33-vjeçarit që gjeti vdekjen nga shpërthimi i eksplozivit në automjetin e gruas së tij tri ditë më parë në Vlorë.

Spahiu: Të mblidhet KLD, krimi të mos e fitojë betejën me shtetin

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, e cilësoi atentatin ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi, një mesazh mafioz adresuar pushtetit gjyqësor. Pas homazheve të kryera në Vlorë, Spahiu reagoi duke kërkuar që të zbardhet sa më shpejt kjo ngjarje e rëndë, pasi asnjë person nuk është kapur edhe pas një dite nga krimi. “Janë 24 orë, fatkeqësisht, që kanë kaluar, që jemi ndarë nga kolegu, miku, shoku, një nga prurjet dhe krenaritë e Drejtësisë shqiptare, por fatkeqësisht edhe me kalimin e 24 orëve, vrasësit, ekzekutorët dhe organizatorët nuk janë në bankën e të akuzuarve. Personalisht vlerësoj që ishte një mesazh. Një mesazh mafioz, i cili drejtpërdrejt u adresua në pushtetin gjyqësor dhe në sistemin e Drejtësisë. Nëpërmjet këtij mesazhi mafioz krimi, krimi i organizuar në Shqipëri, i cili ka zhvlerësuar jetën e shqiptarëve, i cili çdo ditë po godet familjet shqiptare, ka tentuar të sfidojë pjesën më të shëndoshë të Drejtësisë shqiptare”, deklaroi Spahiu. Ai tha dje se ka vendosur të kërkojë urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me qëllim ta analizojë këtë ngjarje të rëndë. “Është shumë e rëndësishme që në këtë moment krimi mos të fitojë betejën me shtetin, me sistemin e Drejtësisë”. Sipas tij, të gjithë mekanizmat shtetërorë duhet ta vënë në axhendën e tyre, pasi këto 24 orë, të cilat ende nuk janë zbardhur nga kjo vrasje mafioze, mund të bëhen 24 ditë, 24 javë, 24 muaj, 24 vite, ashtu siç ka ndodhur me krime të tjera. “Jo më larg se dy vjet më parë u tentua për t’u vrarë një nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Paturpësisht u nxorën shumë pista dhe ende nuk është zbardhur. Shpresojmë që krimi mos ta sfidojë Drejtësinë shqiptare”.

Metko: Së shpejti kapim autorët
Drejtori i Policisë së Vlorës, Ylli Metko, pasi ka marrë pjesë dje në ceremoninë e varrimit të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ka premtuar se shumë shpejt do të ketë një emër për autorësinë e ngjarjes. “Në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda po punojmë intensivisht dhe mendojmë se së shpejti do të ketë edhe një emër të autorit. Ngjarja është shumë e rëndë. Kësaj radhe krimi nuk ka kursyer as Drejtësinë”, deklaroi drejtori i Policisë së Vlorës. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka angazhuar ekspertët dhe specialistët më të mirë, të cilët prej dy ditësh ndodhen në Vlorë duke kryer hetime në lidhje me shkakun e ngjarjes.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura