Konomi, gjykata i ndaloi regjistrimin e pronave

Sep 15, 2011 | 12:40
Gjyqtari i vrare: Skerdilajd Konomi

Zbardhet vendimi gjyqësor që e pengoi gjyqtarin Skerdilajd Konomi, i vrarë tragjikisht mëngjesin e së premtes, të regjistronte pronën e rifituar në bregdet me vendim të Gjykatës së Lartë.Vendimi në fjalë është dhënë në Gjykatën e Tiranës më 13 gusht të këtij viti, edhe pse në muaj pushimesh, thuajse dy muaj pasi u shpall vendimi i Gjykatës së Lartë, që i njohu familjes së Konomi pronësinë e dhjetëra hektarëve truall toke në bregdetin e Durrësit, në Hamallaj. Me vendimin e Gjykatës së Tiranës “ngrijnë” 58.6 hektarë truall, duke pezulluar kryerjen e veprimeve juridike për tjetërsimin e tij. Referuar vendimit të Gjykatës së kryeqytetit dhe atij të Gjykatës së Lartë, vërehet se kjo sipërfaqe ndodhet në të njëjtat zona kadastrale të fshatit Hamallaj, ku ndodheshin edhe trojet mbi të cilat fitoi të drejtën e pronësisë familja Konomi. Palë kërkuese në këtë kërkesë-padi janë nëntë persona, anëtarë të familjeve Toptani, Mullaj dhe Hamzaraj, të gjithë lindur dhe banues në Tiranë. Kërkesë-padia mbante si objekt: “Caktimin e masës së sigurimit së padisë duke pezulluar deri në përfundim të padisë së themelit kryerjen e veprimeve juridike të tjetërsimit të pronave, përfshirë dhe pezullimin e kryerjes së veprimeve pranë ZVR të Paluajtshme Durrës, si dhe çdo veprimi tjetër juridik që kufizon të drejtat e pronësisë mbi pronën e regjistruar në ZVRP të Paluajtshme Durrës, si dhe në regjistrat kadastralë të Bashkisë Sukth, qarku Durrës”. Si palë e tretë në proces ishte edhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Si rregull, pas fitimit të gjyqit në Gjykatën e Lartë, Konomi mund ta regjistronte pronën në emrin e tij në Hipotekë, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të vendimit të Gjykatës së Tiranës dhënë më 13 gusht. Pas këtij vendimi, pritej që në tetor të fillonin seancat me qëllim lirimin e pronës në fjalë ku familja Konomi kishte si mbështetës kryesor gjyqtarin me kujdesin e tij ndaj dokumenteve dhe procedurave.
VENDIMI
“Gjykata vendosi pezullimin e kryerjes së veprimeve juridike të tjetërsimit të pronës, përfshirë këtu pezullimin e veprimeve pranë ZVRPP Durrës, si dhe çdo veprim tjetër juridik që kufizon të drejtat e pronësisë deri në përfundim të shqyrtimit të padisë së themelit”, thuhej në diapozitivin e vendimit të Gjykatës. Sipas vendimit, një kopje e të cilit zotërohet nga gazeta, bëhet e ditur se “ngrirja” është vendosur për një sipërfaqe prej 58.6 hektarësh. Po sipas vendimit, kjo sipërfaqe rezulton e ndarë në nëntë parcela, të gjendura në zona kadastrale të fshatit Hamallaj, bashkia Sukth. “Më datë 14.11.2008, përfaqësuesi i paditësve ka paraqitur në Zyrën Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Durrës kërkesën me nr. 331 prot. për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronës së tij të ndodhur në Hamallaj, bashkia Sukth, në zonat kadastrale 1925 dhe 3241, me kufij: veri – në vijën e Mullirit të Ali bej Qorraliut e vëllezër; jug – pyllin e Rrushkullit, të shoqërisë anonime ‘EIAA’, duke filluar nga derdhja e hurdhës së Pepës në det, tuj rimat drejt lindjes deri ku puqet me kallam të Vorbes; lindje – me hendek të Vorbes që e kufizon me pyllin e Zija Beut dhe Ramazan Lalën; perëndim – me detin Adriatik, ku derdhet vija e mullirit deri në kufi të Rrushkullit (kufizimet sipas dokumentit hipotekor).
Në lidhje me këtë kërkesë të paraqitur në përputhje me ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, ka filluar procedura e shqyrtimit administrativ të saj dhe është arritur deri në përgatitjen e një relacioni përfundimtar ligjor në lidhje me vlerësimin e kërkesës, duke shprehur mendimin se kërkesa ishte e bazuar në dokumente shkresore e në ligj dhe, si e tillë, duhej pranuar”, thuhej në arsyetimin e vendimit të gjykatës. Në të njëjtin vendim, gjykata arsyetonte se “rezulton se deri më sot, prej personit të tretë nuk është nxjerrë një vendim lidhur me kërkesën e paditësve, megjithëse kërkesa e tyre ka rreth dy vite e gjysmë që është depozituar pranë të paditurit (personi i tretë). Në mbështetje të kësaj kërkese, kërkuesit kanë paraqitur dokumentet e marra me vulë të njehsuar me origjinalin nga ZRKK Pronave Durrës, si dhe dokumente të tjera të noterizuara ose të njehsuara me origjinalin, të marra nga organe të administratës shtetërore”. “Ekziston rreziku, nisur nga të dhënat e sipërshkruara në lidhje me mosmarrjen e vendimit nga ana e AKK Pronave Tiranë, se në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të kësaj kërkesë-padie, e drejta e kërkuar nga kërkuesit do të bëhet e pamundur për t’u ekzekutuar, për shkak se mund të kalojë pronësia në persona të tretë, ose i vështirë, pasi mund t’u kalojë me koncesion të tretëve, duke u konsideruar pronë e lirë nga shteti dhe nga organet e tij, si Ministria e Mjedisit, Ministra e Turizmit, Ministria e Ekonomisë dhe Privatizimit, Drejtoria e Shërbimit Pyjor Durrës, Bashkia Sukth etj.”, përfundonte arsyetimi i gjykatës.

“Policia e Prokuroria të bashkëpunojnë për zbardhjen e vrasjes së gjyqtarit”

KORÇE – Ambasadori Amerikan, Aleksandër Arvizu, ka apeluar për më tepër bashkëpunim mes Policisë dhe Drejtësisë për zbardhjen e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi në qytetin e Vlorës. Zbardhja e vrasjes tronditëse sipas Arvizut ka si domosdoshmëri një bashkëpunim më të thellë mes Policisë dhe organit të akuzës. Nga qyteti i Ersekës, ku Arvizu është ndalur për të përuruar kopshtin numër 2 të këtij qyteti, ai e ka konsideruar vrasjen një ngjarje tragjike. “Ai ishte baba i dy fëmijëve dhe bashkëshort, ndaj la pas një familje. Dikush donte ta vriste dhe e vrau. Unë i bëj thirrje Policisë dhe Drejtësisë të bashkëpunojnë për të arritur zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje”, u shpreh diplomati amerikan. Arvizu është ndalur në qytetin e Ersekës për të përuruar një prej investimeve të USAID-it, siç është kopshti Nr.2 i këtij qyteti, rikonstruksioni i të cilit ka arritur vlerën 170.000 USD. Pas apelit për zbardhjen e plotë të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ambasadori Arvizu ka vijuar axhendën e tij në qytetin e Pogradecit. Në një vizitë të zhvilluar në Bashkinë e këtij qyteti, diplomati amerikan është përqendruar tek procesi i decentralizimit dhe transparencës si një prej elementeve kyçe për pushtetin lokal. “Ne folëm së bashku me kryebashkiakun e Pogradecit për decentralizimin dhe dua të them se ai është element kyç në këtë vend demokratik. Duhet të gjejmë një mënyrë për të ndihmuar krerët e bashkive dhe komunave, pavarësisht ngjyrës që mund të ketë flamuri, i kuq apo blu”.                      dh.d

Krimet, nesër vlonjatët në protestë
Situata e pasigurisë për shkak të kriminalitetit gjithnjë e në rritje në qytetin e Vlorës, ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe ndërmarrjen nismave qytetare për një tubim me moton “Bashkë kundër krimit”. Nisma qytetare është publikuar në rrjetin social “Facebook”, ndërsa iniciuesit e saj janë qytetarë të angazhuar në shoqërinë civile. “Krimi ka goditur rëndë qytetin tonë, sigurinë, jetën, pronën. Po vriten njerëz me dhe pa uniformë, me dhe pa imunitet. Po cenohet e grabitet prona private dhe ajo publike. Krimi po tjetërson mënyrën tonë të të menduarit e të jetuarit. Në burg kriminelët!”, thuhet në rrjetin social.

Armand Bajrami


© Panorama.al

Te lidhura