Janë gjobitur me nga 10 mijë lekë, 16 ndërmarrje të prodhimit të bukës në Vlorë, për shkak të marrëveshjes së fshehtë të këtyre të fundit për fiksimin e çmimit. Masa e kësaj gjobe është limituar në këtë nivel, për shkak se kompanitë kanë reflektuar menjëherë pas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës. Për katër ndërmarrje të tjera që operojnë në këtë treg, masa e gjobës ka qenë më e lartë në nivelin 20 mijë lekë, për shkak se ato nuk kanë respektuar vendimin e Konkurrencës. Kjo situatë filloi në muajin prill, kur Autoriteti deklaroi se kishte të dhëna për një marrëveshje të fshehtë mes 20 ndërmarrjeve të prodhimit të bukës në Vlorë, të cilat kishin rënë dakord për fiksimin e çmimit duke e rritur atë me 20 lekë. Autoriteti kërkoi në atë kohë që ndërmarrjet të hiqnin dorë nga kjo situatë dhe vijoi me hetimin e thelluar të tregut. Sipas një njoftimi të Autoritetit, dje bëhet me dije se “Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij të fundit, shqyrtoi raportin e hetimit të thelluar ‘Në tregun e prodhimit dhe tregtimit të bukës në qytetin e Vlorës’ dhe pretendimet e palëve nën hetim në seancën dëgjimore të zhvilluar në ambientet e Autoritetit të Konkurrencës, më datë 19.07.2011” dhe në këtë takim janë marrë vendimet për sanksionet ndaj ndërmarrjeve. Në vlerësimin e masës së gjobës, Autoriteti merr parasysh periudhën e shkurtër të shkeljes së ligjit, masën e lartë të informalitetit nga biznese të palicencuara dhe mosraportimin e saktë të faturave tatimore, apo edhe mungesa e bilanceve për 12 nga 20 subjekte nën hetim. Por nuk kanë qenë vetëm gjobat për të cilat Autoriteti ka dhënë “ok” në mbledhjen e Komisionit. Sakaq, i janë dhënë rekomandime edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të ndërhyrë, në mënyrë që të ketë sa më pak abuzime në kurriz të konsumatorit. Në deklaratën e Autoritetit theksohet se “Komisioni i Konkurrencës i ka rekomanduar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të evidentojë shkallën e lartë të informalitetit dhe përdorimin e kasave fiskale tek subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në prodhimin dhe tregtimin e bukës në qytetin e Vlorës”.
20 ndermarrje
janë gjobitur gjithsej nga Autoriteti i Konkurrencës, për shkak të një marrëveshjeje të fshehtë të lidhur mes tyre për fiksimin e çmimit të bukës në qytetin e Vlorës. 16 prej ndërmarrjeve janë gjobitur me nga një shumë prej 10 mijë lekësh, kurse 4 ndërmarrje të tjera janë gjobitur me nga 20 mijë lekë, për shkak se nuk kanë reaguar pas vendimit të Autoritetit në prill











