Konflikti tek Uji i Ftohtë, pronari lidhet me zinxhirë

Dec 29, 2011 | 11:41
Protesta e djeshme në zonën e Ujit të Ftohtë

Tensioni mes forca-ve të Gardës dhe pronarëve të ligjshëm në zonën e vilave qeveritare ka vijuar edhe ditën e djeshme. Frika se Garda mund të ndërhynte natën për të rrethuar sërish pronat e tyre, ka bërë që disa prej banorëve të gdhihen aty. Ata kanë sfiduar temperaturat disa gradë nën zero, duke ruajtur gjatë të gjithë natës pronat e tyre. Dje mbërriti në vend edhe Përmbarimi privat, por nuk arritën të zbatojnë vendimin e Gjykatës së Lartë. Në shenjë proteste, një prej pronarëve është vetëlidhur me zinxhirë në portën e hekurit, me të cilët ata kanë rrethuar disa kohë më parë sipërfaqen që pretendonin se ishte në pronësi të tyre. Pronarët e kësaj zone, Kadënaj, Paço dhe Memushi, nuk janë larguar për asnjë çast, duke ndenjur përgjatë të gjithë natës në vend. “Kemi frikë se nëse largohemi ne, Garda do të veprojë natën dhe do të kryejë sërish rrethimin e pronave tona me tel. Kemi qëndruar gjatë të gjithë natës në mes të ftohtit për të drejtën tonë. Do të qëndrojmë sërish sonte (mbrëmë), derisa të zgjidhet situata dhe përfaqësuesit e Drejtorisë së Vilave Qeveritare të njohin vendimin e Gjykatës, e cila na jep të drejtë ne për pronësinë e sipërfaqes për të cilën ka nisur konflikti.
Që në orët e para të mëngjesit, në zonë mbërritën forcat e Gardës, ndërsa në ndihmë të tyre edhe ata të FNSH-së.

Banor i lidhur me zinxhirë

Situata ka qenë gjithë kohës e tensionuar, pasi banorët kishin formuar kordonë për të mos lejuar veprimin e Gardës. Në orën 10:00 mbërriti Përmbarimi për të zbatuar vendimin e Gjykatës, pasi kjo e fundit u ka dhënë të drejtën pronarëve të ligjshëm, duke ua kthyer pronën e tyre. Përfaqësuesit e Përmbarimit kryen një takim rreth 30 minuta me drejtoreshën e Vilave Qeveritare. Ata diskutuan me qëllim që të binin dakord për zbatimin e vendimit të Gjykatës, për t’ua kthyer pronën pronarëve të ligjshëm. Por takimi nuk ka sjellë asnjë rezultat, pasi secila palë ka qëndruar në të vetën. Përfaqësuesit e vilave janë shprehur se territori është i tyre dhe se nuk do njohin vendimin e Gjykatës. Të ndodhur në këtë situatë, përmbaruesit kërkuan mbështetjen e Policisë së Vlorës për të zbatuar vendimin. Por ata nuk e gjetën mbështetjen e Policisë, me pretendimin se kanë angazhime të tjera me rastin e festive të fundvitit. “Do të rri lidhur derisa të më kthehet prona e ligjshme. Kjo pronë më është njohur edhe nga Gjykata e Lartë para pak muajsh’, u shpreh një prej protestuesve që u vetëlidh me zinxhirë.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura