Konflikti për pronat, gjendet e vrarë me plumb pas koke “shenjtorja Eleonorë”

Nov 16, 2011 | 8:33

Drejtuesja e misionit “Eleonorë” gjatë përplasjes me policinë

TIRANE / Policia: Drejtuesja e sektit fetar u qëllua me pistoletë “TT” në pjesën e pasme të veshit.
Viktima la letër: Më mirë i marr jetën vetes, se të më marrin tokën.

“Dear God! Më mirë i marr jetën vetes, se të më marrin pronën…”. Ky është teksti i letrës që është gjetur pranë trupit të Eleonora Bregut, gruas së vetëshpallur shenjtore e fondacionit “Eleonorë”, me seli te “Komuna e Parisit” pranë Selitës në Tiranë. Drejtuesja e sektit fetar u gjet e vdekur mbrëmë në një dhomë në katin e dytë të kompleksit të saj. Dyshohet se viktima është qëlluar me një pistoletë tip “TT”. Plaga ka hyrje mbrapa veshit të djathtë dhe dalje në pjesën e sipërme të kokës. E vetëquajtura shenjtore është rrëzuar në krevatin e saj, në dhomën e fjetjes, në katin e dytë të “rezidencës” së saj. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:15, në vendin e njohur tashmë si “Fondacioni i shenjtë Eleonorë”, tek “Kodra e diellit” në Tiranë. Policia është lajmëruar për ngjarjen nga djali i shenjtores së vetëshpallur, Eleonora Bregu, i cili ka denoncuar se e ka gjetur nënën të vdekur dhe me një armë zjarri në prehrin e saj. Drejt vendit të ngjarjes shkuan menjëherë forca të shumta të policisë, nga Komisariati Nr.1 dhe Nr.2, si dhe oficerë të Krimeve të Rënda. Burime nga grupi hetimor thanë se nga të gjitha faktet, provat, dëshmitë dhe mënyra se si është gjetur viktima, si dhe letra që është gjetur pranë saj, rezulton që ngjarja është vetëvrasje. Megjithatë, nuk është lënë pas dore edhe mundësia e një vrasjeje, duke u nisur kryesisht nga pretendimet e besimtarëve, të cilët edhe mbrëmë kanë pasur debate me policinë, që nuk i lejonte të futeshin brenda vendit të ngjarjes.
VETEVRASJA
Personat e parë që janë marrë në pyetje rreth vetëvrasjes së “shenjtores” Eleonora Bregu, kanë qenë dy rojet që qëndrojnë tek porta hyrëse e vakëfit me sipërfaqe prej 14 mijë metrash katrorë. Djali i Eleonorës ka qenë personi i parë që e ka parë të pajetë në dhomën e saj të fjetjes. Burime nga Policia thanë se rojet kanë dëshmuar që as para dhe as pasi është dëgjuar një krismë nga brenda ndërtesës ku rrinte Eleonora, nuk kanë parë njeri të futet apo të dalë nga rrethimi. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, aty nuk ndodheshin as besimtarët dhe asnjëri prej 3 fëmijëve të Eleonorës. Djali i saj ka qenë aty pranë kur është dëgjuar krisma dhe kur i është afruar portës së “Fondacionit”, këtë fakt ia kanë konfirmuar edhe rojet. Ai është futur me nxitim brenda dhe ka gjetur të ëmën të pajetë mbi krevat në dhomën e saj. Menjëherë ai ka lajmëruar policinë, duke qenë se kur i është afruar, e ka parë të gjakosur dhe në prehër i ka gjetur një pistoletë. Ai ka lajmëruar policinë, duke denoncuar se nëna i është vrarë, pa pretenduar nëse ishte vrasje apo vetëvrasje, edhe pse më vonë bashkë me besimtarët e tjerë të fondacionit, pretendonin se Eleonorën mund ta kenë vrarë për shkak të pronës.
HETIMI
Grupi hetimor ka mbledhur të gjitha dëshmitë dhe ka marrë në shqyrtim provat e gjetura në vendin e ngjarjes. Veç pistoletës tip “TT”, që është gjetur në prehrin e Eleonorës, që sipas burimeve do të ekzaminohet për krahasimin e gjurmëve të gishtave, në krevatin ku ajo është gjetur e pajetë, është sekuestruar një letër që mbante firmën dhe vulën e fondacionit të “shenjtë” që ajo drejtonte. “O dear God! Më mirë marr jetën, se të më marrin pronën…”, sipas burimeve ky është teksti i letrës që Eleonora ka shkruar para vetëvrasjes.

Konfliktet për pronën ku u ndërtua fondacioni

Policia Ndërtimore tek fondacioni në Selitë

Misioni i “shenjtores” Eleonorë, e ka emërtesën zyrtare “Lidhja Hyjnore e Vakëfit të Shenjtë Eleonorë” dhe është themeluar më 20 korrik 1987. Ndërsa ë në vitin 1996 është regjistruar si person juridik. Ky fondacion i shenjtë është ndërtuar në një zonë mjaft të lakmuar dhe të populluar së fundmi në Tiranë, që tashmë quhet “Kodra e Diellit”, në një sipërfaqe relativisht të madhe, prej 14 mijë metrash katrorë, mbi një pronë që vit pas viti ka sjellë “përplasje” mes pronarëve, komunës Farkë, besimtarëve dhe policisë. Për këtë pronë, ku Eleonora vazhdimisht pretendonte se ishte pronë e shenjtë, ka pasur dy procese gjyqësore me dy familje të hershme tiranase, që pretendonin se është toka e tyre. Dy familjet që kanë pronësinë mbi truallin ku ajo ngriti tempullin, vilën dhe një tyrbe, e kanë hedhur në gjyq. Pas një odiseje gjyqësore, gati 9-vjeçare dhe një mali me dokumente e argumente, familjet Vorpsi dhe Bogdani janë tashmë thuajse në fund të aventurës që u mban peng 14 mijë metra katrorë truall. Një vendim gjykate i jepte të drejtë familjes Bogdani të merrnin 4 mijë metrat katrorë që u përkisnin. Familja tjetër, ajo e Vorpsve, ishte në pritje të ekzekutimit të një vendimi për prishjen e objekteve të paligjshme të misionit nga ana e Policisë Ndërtimore, kur një numër anëtarësh të sektit, së bashku me Eleonorën nisën një grevë urie, disa vite më parë, që bëri edhe zhurmë në media. Afati që i ishte lënë asaj dhe pasuesve për të larguar sendet personale dhe për t’u hapur rrugën fadromave, sërish nuk u respektua. Por konfliktet e vazhdueshme Eleonora dhe besimtarët e saj nuk i kanë pasur vetëm me pronarët e truallit që ata kanë “pushtuar”, duke e quajtur të shenjtë. Ata kanë pasur probleme të vazhdueshme edhe me përfaqësuesit e Komunës Farkë dhe forcat e rendit, që shpeshherë i kanë akuzuar se i kanë dhunuar. Besimtarët dhe vetë Eleonora nuk lejuan fadromat të shembnin vendin e tyre të shenjtë, ku është llogaritur se do të kalojë Unaza e Madhe e Tiranës, për të cilën tashmë kanë nisur punimet.

Padia e rreme për “dy polumbarë me helm”
Katër vjet më parë, Eleonora pretendoi se e kanë helmuar

Eleonora Bregu në 2006

Në vitin 2006, “shenjtorja” Eleonora Bregu vuri në alarm Policinë e Tiranës, duke denoncuar se kishin tentuar ta vrisnin duke e detyruar me forcë të pinte nga një shishe një lloj lëngu, që ajo shprehej se ishte helm. Denoncimi u krye në Komisariatin Nr.1 nga djali, vajza e saj, si dhe disa besimtarë, të cilët pretendonin se Eleonora ishte sulmuar mesnatën e 24 majit të vitit 2007 nga dy persona të paidentifikuar, të maskuar dhe me veshje të posaçme për të mos lënë gjurme. Sipas misionit, disa orë më vonë, Eleonora Bregu u gjet me konvulsione, të vjella, diarre dhe djersitje. Mjekët i dhanë ndihmën, duke deklaruar se “konvulsionet duhet të ishin shenjat e fundit të jetës së saj”. Bregu deklaroi atëherë se, sipas saj, autorët i futën me dhunë në gojë një shishe me helm. Eleonora pretendonte gjithashtu se “të shenjtët punuan për t’i mbrojtur trurin, zemrën dhe organet vitale”. Veprimet hetimore u kryen nga oficerët e Komisariatit Nr. 2, të cilët pas verifikimit të viktimës dhe këqyrjes paraprake të vendngjarjes thanë se nuk ka rezultuar të ketë shenja dhune. Sipas Policisë, në trupin dhe fytyrën e Eleonorës nuk ka pasur shenja që të vërtetojnë ushtrim dhune fizike kundrejt saj. Pasi u krye edhe ekzaminimi mjekoligjor, ku nuk u konstatua asnjë lënë kimike helmuese në organizmin e Eloonorës, kallëzimi i saj u klasifikua si i rremë, por nga ana tjetër ajo ngulte këmbë se analizat i ishin bërë gabim. Për këtë arsye, disa ditë më pas ajo udhëtoi privatisht drejt Turqisë dhe pretendonte se mjekët atje i thanë se ishte helmuar me “benzodiazepinë”, substancë gjumëndjellëse.

Shërbesa e fundit në Kurban Bajram
Sipas burimeve të Policisë së Tiranës, shërbesa e fundit e kryer nga “shenjtorja Eleonorë” është parë të zhvillohet pak javë më parë në ditën e Kurban Bajramit. Veç shërbesave fetare me personelin e fondacionit të saj, gruaja e vetëvrarë ditën e djeshme pretendonte se arrinte të shëronte persona të sëmurë dhe me probleme mendore e deri edhe mangësi fizike.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura