Gjykata për Krimet e Rënda ka shpallur dje dy vendime konfiskimi, duke kaluar në llogari të shtetit dy llogari bankare dhe një sipërfaqe trualli në pronësi të dy personave të akuzuar për krime të rënda.Pronat e koksifikuara janë pasuri të sekuestruara më parë në zbatim të ligjit “Antimafia”, pasi dyshohej se sigurimi i tyre është bërë në rrugë kriminale. Dy nga pasuritë e konfiskuara i përkisnin Afrim Hoxhës, një prej të akuzuarve dhe të dënuarit me 18 vjet burg nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda, si “anëtar” i “Bandës së Lushnjës”. Ndërsa tjetra i përkiste Oltjon Sadikajt. Ai dyshohet të jetë përfshirë në pengmarrjen e një 74-vjeçareje në qershor të vitit 2009 në Selanik, Greqi. Ndërkohë, gjykata liroi nga sekuestroja shtatë pasuri të Afrim Hoxhës, pasi nuk u provua prejardhja e tyre nga “paratë e krimit”. Vendimet e konfiskimit u shpallën dy ditët e kaluara tek Krimet e Rënda. Kështu, sipas vendimit të shpallur nga gjyqtari Klodian Kurushi, ndaj Afrim Hoxhës, gjykata vendosi konfiskimin e një sipërfaqeje pre 110 metër katror truall me vendndodhje në lagjen “Skënder Libohova” në Lushnjë. Gjithashtu, gjykata konfiskoi një llogari bankare të Afrim Hoxhës në shumën 1 148, 81 euro. Në të njëjtin vendim, gjykata liroi shtatë pasuri të sekuestruara të Hoxhës. Sipas vendimit, togat e zeza rrëzuan kërkesën për konfiskimin e pasurive: truall + ndërtesë, me sipërfaqe totale 200 m2 në Lushnjë; apartament banimi me sipërfaqe 132. 95 m2, në Tiranë; një garazh në Tiranë; motoçikletë “YAMAHA”; automjetit tip “Mitsubishi – Pajero”; mjetit kamion “Saurer” dhe një mjet “Benz”. Bëhet e ditur se këto pasuri janë lëshuar nga sekuestroja, pasi, gjatë shqyrtimit gjyqësor, janë paraqitur prova që faktonin sigurimin e tyre, para se ndaj Hoxhës të niste procedimi penal i Prokurorisë. Ndërkohë, vendimi i shpallur nga gjyqtarja Liljana Baku, ndaj të pandehurit Oltion Sadikaj, i konfiskoi atij një llogari prej 30 mijë euro. “Konfiskimin e llogarisë bankare me nr. 40529**** e çelur në datën 23.07.2009 në shumën 30000 euro, në emër të shtetasit Oltjon Bashkim Sadikaj”, thuhej në vendimin e gjykatës. ar.ba
Pronat e konfiskuara
Sipërfaqe truall 110 metër katror, Lushnjë
Llogari bankare 1 148, 81 euro
Llogari bankare 30 mije euro
Të liruara
Truall + ndërtesë, me sipërfaqe totale 200 m2, në Lushnjë Apartament banimi me sipërfaqe 132. 95 m2, në Tiranë
Një garazh në Tiranë; motoçikletë “YAMAHA”
Automjetit tip “Mitsubishi – Pajero”
Mjetit kamion “Saurer” dhe një mjet “Benz”
Armand Bajrami
© Panorama.al











