Konfiskohen 2.6 mln euro të trafikut të narkotikeve

Dec 15, 2011 | 12:34
Gjykata e Krimeve të Rënda

Në zbatim të ligjit “Antimafia”, Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje konfiskimin e një pasurie prej afro 2.6 milionë eurosh, të përfituara nga veprimtaria kriminale. Vendimi u shpall nga një trupë gjykuese, e kryesuar nga gjyqtarja Liljana Baku. Në këtë vendim, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për Krimet e Rënda, e përfaqësuar në këtë proces nga prokurori Adnand Xholi, për kalimin në llogari të shtetit të shtatë llogarive bankare në emër të vëllezërve Aleksandër dhe Sokol Shehu, si edhe të afërmit të tyre, Can Murataj dhe mikut të tyre Fatos Zeka. Në cilësinë e personave të tretë, në kërkesën e Prokurorisë ishin edhe 6 persona të tjerë. Sipas Prokurorisë, vëllezërit Shehu që nga viti 2006 po hetohen në shtetin grek për veprat penale të “krijimit të organizatës kriminale”, “trafikimit të qenieve njerëzore me qëllim ushtrimin e prostitucionit” dhe “pastrimit të parave”. Për rrjedhojë, organi i akuzës në Shqipëri nisi hetimin e pasurive të tyre në vendin tonë. Menjëherë pas regjistrimit të procedimit penal në Shqipëri, Prokuroria vendosi nën përgjim numrat telefonikë të personave të lidhur me vëllezërit Shehu. Sipas Prokurorisë, janë fiksuar biseda ku vëllezërit Shehu telefonojnë familjarët dhe miqtë e tyre në Shqipëri, duke u thënë se kanë filluar të krijojnë alibitë e tyre në lidhje me veprat penale për të cilat po hetohen në Greqi. Po sipas këtyre telefonatave, një prej tyre i kërkon ndihmë Can Muratajt të mundohet të kryejë veprime të cilat justifikojnë të ardhurat monetare.
PËRGJIMET
Përgjimet telefonike të bisedave hyrëse tek miqtë dhe familjarët e tyre në Shqipëri kanë nxjerrë të gjitha “të palarat” dhe mënyrat që vëllezërit Shehu përpiqeshin të justifikonin pasurinë e tyre të madhe monetare. Sipas Prokurorisë, metodat kishin shkuar deri aty sa familjarët dhe miqtë e tij në Shqipëri duhet të paraqesin një “realitet fals” nëpërmjet fotove. Kështu, sipas akuzës, në një bisedë të qershorit 2009 mes Aleksandër Shehut dhe Can Muratajt, provohet fakti se si po mundohen që të justifikojnë burimin e të ardhurave, që duan të përpilojnë dhe deklarata noteriale fiktive që kapnin shumën e 500 mijë eurove. “Deklarata të cilat do t’i noterizonin dhe do t`ia dërgonin Aleksandër Shehut në shtetin grek”, pohonte Prokuroria. Në biseda telefonike të mëvonshme, po në vazhdën e krijimit të alibisë për justifikimin e pasurisë, Aleksandër Shehu kërkon fotografi me “aktorë”. “Për këtë arsye, Aleksandri i kërkon që të përgatisë foto të ndryshme të tokave me të mbjella në pronësi të tyre dhe të personave të tjerë, kryesisht bostane, portokaj e të tjera. Për këtë i kërkon që të përpilojë kontrata qiraje, fiktive, me fshatarë të ndryshëm, të fotografojë fshatarë të ndryshëm që punojnë në toka me rrogë, mjete bujqësore të marra nga fshatarë të ndryshëm. Këto dokumente, kontrata, si dhe fotografi, duhet të noterizoheshin. Për këtë qellim, angazhohen edhe shtetasit Fatos Zeka dhe Allan Shehu. Gjithashtu, Aleksandri i kërkon Canit që të mundohet që karburanti i ndodhur në Vorë të figurojë në emrin e tij. … Nga ana tjetër kërkon që të bëjë edhe fotografi të montuara, ku sigla e një kompanie karburanti të zëvendësohet me siglën e firmës “Shehu”, të fotografojë punëtorë të ndryshëm me bluza me mbishkrimin e firmës “Shehu”, të cilët punojnë në këtë karburant, me qëllim që të vërtetohet fakti që ky karburant është ende në pronësi të Aleksandrit dhe nxjerr të ardhura. Aleksandri i kërkon Canit që të kryejë të gjitha këto veprime dhe të nxjerrë nga këto aktivitete, duke falsifikuar edhe kontrata qiraje të paqena apo edhe shifra të fryra, një shumë fitimi prej 50.000 eurosh në muaj”, thuhej në dosjen e akuzës.
JAHTE NË SHQIPËRI
Një nga vëllezërit Shehu kishte në plan të krijonte një shoqëri për turizëm me jahte në Shqipëri. Të paktën kështu është pretenduar në gjykim nga një prej personave, palë e tretë në proces. Sipas Prokurorisë, një marrëveshje e paraqitur si provë në proces për krijimin e kësaj shoqërie nuk provonte justifikimin e burimit të të ardhurave. “Një marrëveshje bashkëpunimi e datës 09.07.2007, ndërmjet shtetasve S. Gërguri dhe Aleksandër Shehu, sipas së cilës palët kanë shprehur interes të përbashkët për të bashkëpunuar në realizimin e një biznesi në fushën e transportit detar dhe turizmit dhe objekti i marrëveshjes ka qenë krijimi i një shoqërie të përbashkët për transportin detar dhe turizmit me jahte në Republikën e Shqipërisë me emrin “Rrugët e Arta të Detit”. Interesi do jetë i barabartë 50/50, kapitali do jetë 2.5 milionë euro dhe S. Gërguri do të dorëzojë në tri këste, përkatësisht 500.000 euro brenda datës 31 dhjetor 2007, një milion euro brenda datës 31 dhjetor 2008 dhe kësti i tretë prej 1 milion eurosh, brenda datës 31 dhjetor 2009. Por, të gjitha provat shkresore të paraqitura rreth aktivitetit të S. Gurgurit, pasqyrojnë vetëm veprimtarinë e tij të kryer në Shqipëri deri në vitin 1995-1996, periudhë e cila është shumë kohë para aktivitetit kriminal të të hetuarve Aleksandër dhe Sokol Shehu. Kurse për periudhën tjetër gjatë gjykimit nuk është paraqitur ndonjë provë shkresore që të provonte faktin se S. Gërguri, dispononte ndonjë shumë të tillë të fituar në mënyrë të ligjshme, e cila do ishte e pasqyruar në bilancet përkatëse, por nuk u paraqit as ndonjë mandat, i cili të provonte faktin e dorëzimit të kësaj shume nga S. Gërguri tek Aleksandër Shehu”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.

Dele 450 mijë euro
Nga pohimet e marra nga personat e tretë në proces, Prokuroria e ka cilësuar si absurd pretendimin e S.Muratajt, se 200 dele bënin 450 mijë euro. “Nga pohimet e personit të tretë S. Murataj, rezulton se nuk është i besueshëm për justifikimin e burimit të të ardhurave, për shkak se pohon që 200 dele bëjne 450 mijë euro, absurd si pretendim. Ndërkohë që nga përgjimet del qartë fakti se si mundoheshin të justifikonin të ardhurat e Aleksandër dhe Sokol Shehut.

Përfundimi i akuzës
Sipas Prokurorisë, nga faktet e përmendura në gjykim dhe hetimet e kryera rezultonte që pasuritë janë të regjistruara në emrin e të hetuarve Aleksandër dhe Sokol Shehu, familjaret e tyre dhe personat e lidhur me ta, më konkretisht shtetasit Can Murataj (kunati) dhe Fatos Zeka (lidhje shoqërore). Gjithashtu, sipas akuzës, rezultonte e provuar se pasuritë e tyre janë krijuar pas vitit 2006, vit në të cilin është provuar fillimi i aktivitetit kriminal të të hetuarve Aleksandër dhe Sokol Shehu.

2.6 milione
euro është afërsisht totali i shumës së konfiskuar dje nga Gjykata për Krimet e Rënda, e dyshuar si e ardhur nga veprimtari kriminale

KONFISKIMI (sipas verifikimit në 21 maj 2009)
1. Llogari në emër të Aleksandër Shehut
me gjendje 2.966 lekë
2. Llogari në emër të Aleksandër Shehut,
me gjendje 967 dollarë
3. Llogari në euro, me gjendje aktuale 507 271 euro.
4. Llogari në emër të Aleksandër Shehut,
me gjendje 519 274. 85  euro.
5. Llogari në emër të Aleksandër Shehut,
gjendje 549 965.38  euro.
6. Llogari bankare në euro,
në emër të Sokol Shehut dhe Fatos Zekës, me gjendje aktuale 522,561 euro.
7. Llogari bankare në euro në emër të Can Muratajt, në shumën 500.000  euro.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura