Koncesioni, përgjigjja nga Italia rrëzon padinë e PS

Jun 15, 2012 | 14:21
Miniera e Bulqizës

Një letër-porosi e mbërritur në Proku-rorinë e Tiranës nga Italia vë në pozita të vështira padinë e ngritur nga Partia Socialiste ndaj ish-ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, sot ministër i Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Në kuadër të hetimeve për padinë e bërë nga deputeti Sajmir Tahiri në shtator 2011, Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës ka kryer hetime prej disa muajsh. Opozita pretendonte në padinë e saj se ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, kishte anashkaluar Kuvendin në modifikimin e një kontrate koncesionare me kompaninë “ACR” për aktivitet investimi në miniera në Bulqizë. Fjala ishte për një shtesë kontrate të bërë në datën 9 korrik 2009 nga Ministria e Ekonomisë. Argumentimi ishte se ndryshe nga sa kishte vendosur Kuvendi, METE kishte precizuar emrin e subjektit përfitues duke pretenduar se procedura ishte vendimmarrje e re, tjetër nga ajo që ishte kaluar në Kuvend. Deputeti i PS theksonte në padinë e tij se kompanisë përfituese i ishin falur detyrime dhe në vendimmarrje Ministria e Ekonomisë kishte anashkaluar Kuvendin e Shqipërisë. Për të hedhur dritë mbi këtë situatë, Prokuroria iu drejtua me letër-porosi kompanisë dhe autoriteteve gjyqësore italiane, prej nga mbërriti përgjigjja se kompania përfituese e koncesionit ishte filial i kompanisë për të cilën Kuvendi i Shqipërisë e kishte miratuar koncesionin. Bashkë me këtë fakt, sipas Prokurorisë, është sqaruar se përfitimi financiar në drejtim të faljes së detyrimit, një shumë rreth 1.6 milion euro, ka qenë në fakt një shumë me të cilën shteti shqiptar duhej ta kompensonte kompaninë në fjalë. Kjo pasi me ligj, shteti shqiptar kompenson një pjesë të detyrimeve për kompanitë që importojnë mallra dhe lëndë të caktuara jashtë Shqipërisë. Në këtë kategori hyn edhe kompania përfituese e koncesionit, e cila ka importuar jashtë vendit minerale të caktuara. “Në kallëzim theksohej se Ministria e Ekonomisë ka shtyrë dhe nuk ka vjelë gjobat për kompani të caktuara në Bulqizë. Në fakt, bëhet fjalë për të njëjtën kompani së cilës i takonte kompensimi për importin e mallit jashtë vendit”, kanë thënë burimet nga hetimi i çështjes. Sipas tyre, pavarësisht petër-porosisë së ardhur nga Italia, organi i akuzës është duke shqyrtuar tërësinë e provave dhe materialeve të mbledhura me qëllim zbardhjen e çështjes. Në kuadër të këtij hetimi mësohet se është marrë në pyetje edhe ministri Genc Ruli. Ky i fundit ka paditur Sajmir Tahirin për shpifje dhe kërkon 5 milionë lekë dëmshpërblim në gjykatë për akuzat që janë bërë lidhje me koncesionet në Bulqizë.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura