Pedagogu Ervin Goci ka komentuar financimin e koncertit të Kanye West nga qeveria me 4 milionë euro nga fondi i emergjncës, duke e cilësuar atë si “koncesionin e radhës” dhe një “aferë të pastër korruptive”.
“Rastin e koncertit e kam quajtur koncesioni i radhës. Dikush mund ta quajë këtë mendjemadhësi, pakujdesi apo një lloj neglizhence ndaj halleve të njerëzve, por unë e kam quajtur koncesioni i radhës”, deklaroi ai, ndërsa shtoi se qeveria ka dalë garantë në një aferë të pastër korruptive, njëjti siç ishte Tuneli i Llogarasë.
Më tej ai u ndal edhe te protesta, ku tha se reagimi i qeverisë ndaj protestuesve ka qenë denigrues, pasi qytetarët janë etiketuar me terma të ndryshëm nga përfaqësues të mazhorancës.
Ai tha se protesta nuk ka si objektiv vetëm largimin e kryeministrit Edi Rama, por, sipas tij, “shpëtimin e Shqipërisë” nga klasa politike.
“Nuk është thjesht dorëheqja e Edi Ramës. Edi Rama është thjesht një pengesë që ne do ta kalojmë, por synimi është shpëtimi i Shqipërisë. Shpëtimi i Shqipërisë do të thotë që duhet të fshihet, në kuptimin literal të fjalës, kjo klasë politike”, tha Goci.
Pedagogu Ervin Goci: Bulevardi është bërë si një lloj hapësire pelegrinazhi, ku njerëzit, si Krishti, mbajnë hallet në shpinën e tyre. Garantoj që, pa diskutim, 60-70% e tyre kanë halle madhore dhe emergjenca.
Kur dëgjon kryeministrin pastaj, apo të tjerë, t’i quajmë deputetë është fjalë e madhe, por ata të cilët tallen, i denigrojnë, i quajnë iranianë, i quajnë agjentë, njerëz të futur e ku ta di unë. E kupton që këta jo vetëm që janë shkëputur dhe nuk kanë asnjë lloj ndershmërie, por e kanë ndarë mendjen që ta sulmojnë qytetarin shqiptar deri në fund.
Pra, është një sistem jashtëzakonisht armiqësor, shumë i ashpër, shumë i dhunshëm, shumë denigrues, pervers, dhe kjo, mendoj unë, është ai fakt që e ka mbajtur protestën gjallë, sepse kjo protestë ka një mision: shpëtimin e Shqipërisë.
Nuk është thjesht dorëheqja e Edi Ramës. Edi Rama është thjesht një pengesë që ne do ta kalojmë, por synimi është shpëtimi i Shqipërisë. Shpëtimi i Shqipërisë do të thotë që duhet të fshihet, në kuptimin literal të fjalës, kjo klasë politike, këto interesa okulte, këta oligarkë të ndryrë që janë duke thithur gjakun e shqiptarëve dhe që, për mua, nuk janë biznesmenë, nuk meritojnë asnjë lloj konsiderate nga populli.
Nëse ka konsideratë, nuk mund të shkosh të marrësh përsipër një koncert dhe pastaj të marrësh 4 milionë euro nga shteti. Kjo nuk është biznes, është pazare, janë marrëveshjet që bëjnë këta në tryezën e bixhozit.
Rastin e koncertit e kam quajtur koncesioni i radhës. Dikush mund ta quajë këtë mendjemadhësi, pakujdesi apo një lloj neglizhence ndaj halleve të njerëzve, por unë e kam quajtur koncesioni i radhës.
Këtu çdo lloj aktiviteti, çdo lloj marrëdhënieje e politikës me biznesin, çdo lloj parash që kalojnë nga buxheti publik është një lloj koncesioni. Koncesioni është që, për çdo aktivitet që ka biznesi, shteti u del garant dhe u thotë se, në çdo rast, do të dalin të fituar.
Këta kanë dalë garantë në një aferë të pastër korruptive, siç ishte Tuneli i Llogarasë. Çfarë ndryshimi ka? U futëm me 80 milionë, e anuluan dhe u futën me 140 milionë. Edhe këta të njëjtën gjë.
© Panorama.al











