Koncesionet, Naço: Në 2011 u dhanë 50 HEC

Jan 20, 2012 | 11:05
Ministri Naço

Ishin të shumtë sektorët që ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës lakoi dje si sektorë me zhvillim pozitiv gjatë 2011-s, por kryefjala duket se do të jenë koncesionet. Në analizën vjetore për 2011-n, ministri Nasip Naço theksoi se vitin e kaluar u dhanë me dhjetëra koncesione hidrocentralesh. “Vetëm në vitin 2011, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka nënshkruar 12 kontrata koncensioni me biznesin vendës dhe të huaj, të cilat parashikojnë ndërtimin e rreth 50 hidrocentraleve të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj, me një fuqi të instaluar rreth 300 megavat, dhe me një vlerë investimi rreth 40 miliardë lekë. Vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2011 kanë filluar prodhimin katër hidrocentrale me fuqi të instaluar prej rreth 20 megavat, me vlerë investimi rreth 3 miliardë lekë”, u shpreh ministri i Ekonomisë. E ndërsa 2011-ta u la pas, duket se në fushën e koncesioneve për këtë vit METE ka plane të tjera. Ministri Nasip Naço deklaroi se shumë shpejt do të hapet gara ndërkombëtare për dhënien me koncesion të hidrocentraleve mbi kaskadën e lumenjve Vjosa dhe Osum e nga ana tjetër, do të privatizohen disa HEC-e të rëndësishme. “Pas kalimit të ligjit për privatizimin e 5 hidrocentraleve: të Ulzës, Shkopetit, Lanabregasit, “Bistrica 1” dhe “Bistrica 2”, ne jemi gati që të kalojmë në proces privatizimi, një privatizim që do të bëhet 100 për qind dhe i plotë”, u shpreh Naço.

© Panorama.al

Te lidhura