Mënyra më e mirë, ankandi. Sa më pak koncesione me negocim.
Koncesionet janë vënë në fokusin e Autoritetit të Konkurrencës me synimin e përmirësimit të procedurave të dhënies së tyre duke zbatuar parimet e konkurrencës.
Në një udhëzues të hartuar dhe miratuar nga ky institucion, kalon në skaner gjithë procesi që zbatohet nga institucionet në një rast koncesioni, duke dhënë këshillat në ndihmë të një konkurrence të lirë dhe përfituese për qytetarët. Analiza e Autoritetit të Konkurrencës bazohet nga eksperienca e kaluar e koncesioneve në vendin tonë, duke bërë vërejtjet për pikat që duhet të shihen më me kujdes, duke filluar nga lloji i procedurës, ankand apo negocim, kohëzgjatja apo vlerësimi i sektorit të koncesionit.
Praktikat
Por, cilat janë disa nga praktikat që Autoriteti i Konkurrencës thekson se duhen shmangur në rastin e një koncesioni? Fillimisht theksohet se ankandi është mënyra më e mirë e dhënies së një koncesioni, pasi është një procedurë konkurruese që garanton në një farë mënyre edhe konkurrencë në treg. Në përzgjedhjen e mënyrës së ankandit, Konkurrenca analizon se duhet të përcaktohen qartë kriteret e ankandit, lloji i ankandit dhe rrethanat që kanë vendosur këtë përzgjedhje. Për Autoritetin e Konkurrencës është e rëndësishme që të shmangen abuzime që mund të vijnë për shkak të marrëveshjeve të fshehta mes ofertuesve. “Konceptimi/hartimi i ankandit mund të lehtësojë marrëveshjen e ndaluar nëpërmjet proceseve që lejojnë komunikimin ndërmjet ofertuesve. Përveç komunikimit direkt (p.sh. në një takim sekret në një dhomë hoteli), ofertuesit ndonjëherë komunikojnë nëpërmjet ‘sinjaleve’. Ofertuesit mund të komunikojnë apo t’i bëjnë të ditura qëllimet e tyre indirekt nëpërmjet deklaratave në gazeta ose nëpërmjet mënyrave në të cilat ata strukturojnë ofertat e tyre”, thuhet në udhëzuesin e Konkurrencës. Për të zgjidhur këtë problematikë, ky institucion thekson se ofertat e mbyllura mund të jenë zgjidhja e duhur për të kufizuar komunikimin mes ofertuesve. Udhëzuesi sqaron gjithashtu se mënyra se si konceptohet ankandi për një koncesion mundet indirekt të lehtësojë marrëveshjen e fshehtë ndërmjet palëve private dhe të korruptojë zyrtarët e qeverisë kur ka mungesë të proceseve formale dhe transparente gjatë dhënies së koncesionit. Konceptimi i ankandeve në mënyrë që në të marrin pjesë sa më pak ofertues, është kundër parimeve të konkurrencës dhe në këtë pikë duhet që hartuesit të jenë të kujdesshëm që të lënë hapësira për sa më shumë ofertues. Për të shmangur abuzimet dhe shkeljet apo praktikat jokonkurruese, AK propozon që të ketë sa më pak procedura koncesioni që jepen “me negocim dhe pa procedurë konkurruese” për shmangien e korrupsionit dhe mbrojtjen e konkurrencës.
Një pikë e rëndësishme e mënyrës se si konceptohet një koncesion, është hartimi i kushteve të kontratës, sidomos për periudhën pas dhënies së koncesionit. Kështu, AK sugjeron se duhet të jetë e përcaktuar qartë kohëzgjatja dhe të jetë përllogaritur afati që lejon investime në koncesion nga ana e ofruesit, një periudhë të kthimit të vlerës së investuar dhe detyrime të qarta për ofertuesin që do të marrë koncesionin. Kjo, sipas Autoritetit, shmang mundësinë që investitori të devijojë nga investimet e planifikuara, por edhe nga detyrimet që ka marrë përsipër në fillim.
280 HEC
janë marrë përsipër për t’u ndërtuar nga biznese të huaja dhe vendase me kontrata koncesioni në vendin tonë, sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë deri në mesin e vitit të kaluar.
98 koncesione
janë dhënë vitet e fundit nga METE për ndërtimin e disa hidrocentraleve. Në nëntor, Ministria zgjidhi kontratat me disa kompani, të cilat nuk kishin zbatuar detyrimet, duke filluar që nga investimet.
12 kontrata
për ndërtimin e parqeve eolike janë dhënë deri tani në vendin tonë. Këto parqe do të prodhojnë energji përmes shfrytëzimit të erës. Një pjesë e tyre kanë kaluar si vendime të KRRTRSH-së.
Si duhet të jenë procedurat e një koncesioni
1. Duhet analizuar mirë tregu të cilit i përket ky koncesion, p.sh. transport, energji, telekomunikacion, arsim.
2. Një koncesion mund të jetë i dëmshëm për konkurrencën në sektori/tregu përkatës nëse kanë disa karakteristika që ndikojnë një kufizimin e konkurrencës së lirë dhe efektive. Duhet të analizohen të gjitha kushtet.
3. Argumentim i faktit se pse po zgjidhet një koncesion, dhe jo privatizim apo autorizim administrativ.
4. Kohëzgjatja e koncesionit. Kohëzgjatja e koncesionit duhet të vendoset në mënyrë të tillë që të mos kufizojë konkurrencën e lirë përtej asaj që është kërkuar; që investimi është paguar dhe që ka një rikthim të arsyeshëm të kapitalit të investuar, ndërsa ka një risk të pandashëm në përdorimin nga koncesionari.
5. Vlerësimi ligjor. Paraprakisht duhet bërë një analizë e plotë ligjore për të parë nëse koncesioni është në përputhje me legjislacionin shqiptar, qoftë të sektorit përkatës, ashtu edhe të ligjeve të tjera, si ligji për mbrojtjen e konkurrencës, ligji për ndihmën shtetërore.
6. Analiza kontratës së koncesioneve. Në këtë mënyrë duhet të analizohen afatet/kushtet më të rëndësishme në kontratat ndërmjet shtetit dhe koncesionarit, të drejtat dhe detyrimet e koncesionarit, specifikim të tarifave, investimeve, niveleve të shërbimit ose të pagesave që do t’i paguhen qeverisë (nëse ka) etj.
7. Mënyra e zgjedhur për dhënien e koncesionit. Dhënia e koncesioneve nëpërmjet një procedure konkurruese të përzgjedhjes konsiderohet si mënyra më e mirë me qëllim që të sigurojë konkurrencën e duhur në treg.
Të lejohen ofertat e përbashkëta
Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se për të rritur konkurrencën gjatë ankandeve të dhënies së një koncesioni do të ndikonin edhe ofertat e përbashkëta. Madje ky institucion nxit lejimin e kësaj praktike, pasi nëse një ofertues nuk ka mundësi të marrë pjesë i vetëm në një ankand, së bashku me një ofertues tjetër mund të marrë pjesë. “Nëse autoriteti koncesionar ndalon plotësisht ofertat e përbashkëta, kjo do të ketë efekte negative të eliminimit të ofertuesve, të cilët mund të marrin pjesë vetëm bashkërisht nëse do të lejoheshin ofertat e përbashkëta nga dy ose më shumë palë”, thuhet në udhëzues.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











