Në një reagim publik, kreu i Komunitetit Mysliman në qarkun e Elbasanit, myftiu Agim Duka, ka deklaruar se kompania CEZ, bashkëngjitur me faturat e konsumimit të energjisë elektrike, ka vënë si detyrim shtojcë edhe pagesën prej 100 lekësh të reja në muaj, (1.200 lekë në vit) për televizionin publik. Sipas tij, janë 70 xhami në qarkun e Elbasanit që duhet të paguajnë taksën në fjalë, paralel me pagesat mujore të energjisë elektrike. Duka sqaron se feja islame e ka të ndaluar instalimin apo shikimin e programeve televizive në objektet e kultit. Nisur nga kjo, sekretari i Myftinisë, Shaban Xhemali, ka bërë një ditë më parë ankesën zyrtare në Zyrën e Ankimimit për klientë pranë filialit të CEZ-it, ku edhe ka marrë përgjigjen se faturat në fjalë janë ta parevokueshme dhe se ankesat në adresë të kompanisë çeke mund të përcillen vetëm me anë të postës elektronike dhe përgjigja merret në Tiranë. Në fakt, të njëjtin shqetësim ka ngritur edhe bashkësia e krishterë. Përfaqësues të kishës ortodokse në lagjen “Kala” kanë bërë të njëjtin reagim, në mungesë të at Nikollës, i cili ndodhet jashtë vendit. Në Elbasan numërohen mbi 30 kisha ortodokse dhe katolike, që CEZ u ka dërguar të njëjtën tarifë si taksë e mirëfilltë për televizionin shtetëror. Në të vërtetë, në asnjë nga kishat apo xhamitë e qarkut të Elbasanit nuk është vënë qoftë edhe një aparat televizioni apo mjet tjetër elektronik viziv, por duket se institucionet nuk e dinë ende këtë fakt, por ua dërgojnë si familjeve dhe subjekteve shtetërore apo private, të njëjtën faturë për të shlyer, duke mos ndarë nga faturimi objektet e kultit. Sipas myftiut të Elbasanit, Agim Duka, nëse kërkesa e tyre nuk do të merret parasysh, atëherë përfaqësitë fetare në Elbasan do të protestojnë publikisht në lidhje me këtë padrejtësi, siç e cilëson ai, që i bëhet komunitetit mysliman në këtë qark. Ai pohon se asnjëherë më parë, ky komunitet nuk ka paguar taksën e televizionit, por gjithmonë ka qenë i shmangur nga ky detyrim. Ndërkohë, në lidhje me çështjen e faturimit, zyrtarë të Myftinisë deklarojnë se do t’i drejtojnë një kërkesë prefektit të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, të cilit do t’i kërkojnë të ndërhyjë për këtë problem. Të njëjtën kërkesë do t’ia dërgojnë për dijeni edhe kryeministrit Berisha dhe më pas nëse ky problem nuk do të marrë zgjidhje, do të pasohet me protesta. “Kjo është hera e parë që fatura të tilla vijnë në adresë të Myftinisë së Elbasanit, e cila gjithmonë ka qenë korrekte në shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit”.
ELBASAN/ ALDO KOZARIA











