Komunari në qeli: Më zgjodhën me vota, dua arrest shtëpie

Jun 3, 2012 | 12:36

Kryekomunari i arrestuar, Kleves Muja

SHKODER/ Gjykata, 40 ditë burg Kleves Mujës. Kërkohej në Itali për drogë.

Gjykata e Shkodrës vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për 40 ditë, për kreun e komunës Rrethina, Kleves Muja. Pas shqyrtimit të provave shkresore në ngarkim të 38-vjeçarit, togat e zeza vendosën ta lënë atë në burg brenda afatit ligjor 40 ditë, kur duhet të kryhen edhe procedurat për ekstradimin e tij në Itali. Nëpërmjet avokatit mbrojtës, kryekomunari e cilësoi arrestimin e paligjshëm, ndërsa kërkoi ta linin në arrest shtëpie. Me vendimin e djeshëm do të njihet Ministria e Drejtësisë, në kohën më të shkurtër të mundur, me qëllim respektimin e afateve procedurale mbi ekstradimin e Mujës drejt shtetit fqinj. Në lidhje me këtë çështje, përfaqësuesi i akuzës, prokurori Ermir Lelçi, kërkoi që trupi gjykues ta vlerësojë të  ligjshëm arrestimin e Kleves Mujës, me detyrë kryetar i komunës  Rrethina në Shkodër, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Drejtësisë së Italisë. Për Mujën është lëshuar  urdhër-arresti me vendim të Gjykatës së Barit, për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të narkotikeve, më 31.05.209, kërkesë kjo e mbështetur në disa prova. Prokuroria paraqiti si prova shkresat e ardhura nga Prokurorisë e Përgjithshme, Ministria e Brendshme, si dhe Interpol Tirana. Ardjan Visha, avokati i Mujës, e konsideroi të paligjshëm arrestimin e klientit të tij, si dhe kundërshtoi kërkesën e prokurorit për masën e sigurisë arrest me burg. Sipas tij, Kleves Muja është shtetas shqiptar jo vetëm i mirëlokalizuar nga autoritetet në Shkodër, por dhe i përzgjedhur, prandaj arresti i tij nuk duhej të ishte i ngutshëm. Ai kërkoi arrest shtëpie për Mujën, pasi sipas tij, konventat e zbatueshme në këtë rast nuk urdhërojnë arrestin në burg, dhe vendimi i palës italiane i përket vitit 2009. Kështu, duke qenë një vendim i hershëm, nuk ka arsye për të vendosur burgun si masë arresti. Ndërsa i arrestuari Muja, i cili ishte prezent në sallën e gjyqit, u shpreh se “respektoj Gjykatën si institucion dhe kërkoj një vlerësim të saktë nga ana e saj. Jam dakord me deklaratat e avokatit tim”.

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura