Komuna Ana e Malit, 100 milionë lekë për ta shpëtuar nga përmbytja

Jan 30, 2012 | 12:11

SHKODER – Ministria e Bujqësisë do të investojë 100 milionë lekë për të shpëtuar tokat e komunës Ana e Malit nga erozioni dhe përmbytjet. Por realizimi i një investimi të tillë mund të realizohet vetëm në stinën e pranverës, pasi aktualisht niveli i ujit në këtë zonë arrin 1-3 m lartësi. Një fakt i tillë është pohuar nga drejtori i Bordit të Kullimit në Shkodër, Rudolf Rasha. “Të gjithë ne jemi në dijeni për problemet që lumenjtë e Shkodrës po u shkaktojnë tokave bujqësore në përgjithësi, e asaj të komunës Ana e Malit në veçanti. Ky është një problem shumë i madh. Nevojat për të investuar në shpëtimin e sipërfaqeve të tilla bujqësore, është tejet e madhe”, tha Rasha. Sipas tij, komuna e Anës së Malit është një nga komunat më të sakrifikuara në këtë drejtim, kjo për faktin se fusha e kësaj komune që ndodhet në anën e poshtme të rrugës Shkodër-Muriqan, është një fushë ekspansioni, pasi nga ujërat që fillojnë të shkarkojnë hidrocentralet, fusha e Oblikës është e destinuar që të përmbytet e para. Ministria e Bujqësisë, duke e shqyrtuar me vëmendje një shqetësim të tillë, ka programuar një fond prej afro 100 milionë lekësh për ndërtimin e një prite 1.3 km të gjatë në këtë segment. Ky investim do të jetë vazhdim i investimit të vitit të kaluar, i cili është bërë përballë kësaj zone, në fshatin Darragjat në anën tjetër të lumit Buna, nga krahu i komunës Dajç. Madje, sipas drejtuesve të komunës Ana e Malit, ka qenë ndërtimi i pritës të fshatit Darragjat ajo që ka stimuluar erozionin me shpejtësi të tokave në krahun e fushës së Oblikës gjatë kësaj periudhe. Gjithsesi, sipas Rashës, ndërhyrjet është e pamundur të realizohen pa u larguar stina e dimrit, pasi edhe niveli i ujit në fushën e Oblikës aktualisht është i lartë. Ndërkohë që specialistët e Bordit të Kullimit pohojnë se, sipas kontrolleve që ato kanë ushtruar konkretisht në këtë zonë, vërehet se krahas nivelit të lartë të ujit, edhe projekti i realizuar për ndërhyrje në këtë zone duhet rishikuar edhe një herë, pasi ka nevojë për përmirësim. Kjo gjë do të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur. Rishqyrtimi i projektit mund të bëhet fare mirë tani sa jemi në kohë, shprehen ato, duke ditur se aktualisht niveli i ujit në zonë arrin 1-3 metra lartësi. Me të filluar puna në pranverë për ndërtimin e kësaj prite, në mbarim të stinës së verës ajo do të jetë e përfunduar.                           r.d

Pasojat
Në komunën Ana e Malit, gërryerjet e tokës bujqësore po avancojnë dita-ditës me shpejtësi. Sipas kryetarit të kësaj komune, Xhevat Molla, vetëm gjer tani uji ka gërryer rreth 80 ha tokë, ndaj ndërhyrja duhet bërë sa më parë. Në përmbytjet e dhjetorit të vitit 2010, në komunën Ana e Malit u mbuluan nga uji 1300 ha tokë bujqësore, 125 shtëpi, si dhe janë evakuuar rreth 300 banorë.

© Panorama.al

Te lidhura