
Akademia Shqiptare dhe ajo Maqedonase bien dakord për të ngritur një komitet të përbashkët në fushën e shkencave shoqërore. Ndonëse nuk e specifikon konkretisht, ky komitet do të punojë edhe për çështjen e rishikimit të Enciklopedisë. Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, zhvilluan një takim në Ohër, ku kryetarët Gudar Beqiraj dhe Georgi Stardellov nënshkruan ditën e hënë një memorandum bashkëpunimi. Sipas agjencisë INA, ky memorandum parashikon një program bashkëpunimi për vitin 2012. Kështu, një nga pikat e këtij memorandumi parashikon që në dy akademitë përkatëse të zhvillohen Ditët e shkencës të artit shqiptar dhe atij maqedonas, të cilat do të jenë të mbushura me aktivitete, si ekspozita, promovime librash, tryeza të rrumbullakëta etj. Në pikën e dytë thuhet se “me propozim të palës maqedonase, të dyja palët ranë dakord të krijojnë një komitet shkencor shqiptaro-maqedonas (maqedonas-shqiptar), me numër të njëjtë anëtarësh nga të dy palët (ex equo) në fushën e shkencave shoqërore, gjuhësore dhe historike. Ky komitet do të diskutojë çështjet, për të cilat të dyja akademitë kanë interes të ndërsjellë”. Pikat e tjera lidhen me bashkëpunimin në fushën mjedisore dhe më konkretisht mbi liqenin e Ohrit, për përmirësimin e faunës së liqenit, ndërtimin e qendrave të përpunimit për mbrojtjen e florës dhe faunës së liqenit etj. Një tjetër parashikon bashkëpunimin rreth idesë së krijimit të një Shoqate të Akademive të Ballkanit (SHAB) “si një mundësi e rëndësishme për një bashkëpunim të zgjuar dypalësh dhe shumëpalësh në shkenca dhe arte”. Kryetari i Akademisë së Shkencave Shqiptare, Gudar Beqiraj, u shpreh shumë i kënaqur nga nënshkrimi i këtij memorandumi mirëkuptimi. “Është e rëndësishme që ne arritëm të gjenim gjuhën e përbashkët dhe ramë në një mendje se detyra e shkencëtarëve është të zbardhin dhe të thonë vetëm të vërtetën”, tha ai, teksa shtoi që komiteti që do të ngrihet nuk do të shërbejë vetëm për çështjen e Enciklopedisë, por edhe për çështje të tjera. Së shpejti pritet të flitet më konkretisht për emrat e anëtarëve të komitetit dhe hapat që do të ndiqen.











