Partia Socialiste i ka dhënë kohë Partisë Demokratike deri të hënën që të marrë pjesë në Komisionin për Reformën Territoriale.
Burimet bëjnë të ditur se Komisioni do të mblidhet të hënën dhe nëse opozita merr pjesë, kërkesa e mazhorancës për të marrë drejtimin dhe shumicën e anëtarëve do të rrëzohet.
Gazment Bardhi në Konferencën e Kryetarëve ka deklaruar se ata nuk kanë bojkotuar mbledhjen.
Ai u shpreh se opozita gjithmonë ka bërë thirrje për të gjetur mekanizma dialoguese, duke ndjekur vlerat e rregullat e BE.
Sipas tij dy datat që ishin përcaktuar për zhvillimin e Komisionit, anëtarët tanë nuk kanë qenë të pranishëm për shkak të angazhimeve të tjera të mëparshme.
“Ne ju themi se duhen procese konsensuale, hajdeni të gjejmë mekanizma dialogu, nën frymën e rekomandimeve të BE-së. Ju thoni: jo! Hajdeni këtu, flisni kot, ne do të bëjmë çfarë të duam. Për çfarë ju duhet opozita në tryezë? Për të shitur ju fasadën sikur çdo gjë funksionon normalisht. Jo, nuk është asgjë normale! Ju e dini këtë dhe çdo mik i yni ndërkombëtar e di. Në gjithë sjelljen tuaj keni bërë të kundërtën e asaj që keni thënë publikisht për konsensus dhe konstruktivitet. Ju nuk keni qëllim qytetarët, por hartën elektorale. E bëtë këtë në vitin 2014 dhe e pamë se çfarë bëtë, duke shkatërruar pushtetin vendor dhe duke dëmtuar qytetarët. Ne nuk kemi bojkotuar mbledhje. Në dy datat që ishin përcaktuar për zhvillimin e saj, anëtarët tanë nuk kanë qenë të pranishëm për shkak të angazhimeve të tjera të mëparshme. Kjo nuk përbën bojkot, por mungesë fizike për arsye objektive dhe të justifikuara”, tha Bardhi.
PS kerkon te marre drejtimin dhe shumicen e komisionit
Partia Socialistë është vënë në lëvizje ku kërkon ndryshime në përbërje te Komisionit per Reformen Territoriale, me qëllim sipas tyre hapjen rrugë të zhvillimit të punimeve të këtij komisionit.
Me një shkresë drejtuar Kuvendit, socialistët kërkojnë që të mos ketë barazi anëtarësh dhe as bashkëkryetarë, por të jenë ata shumicë dhe të marrin edhe drejtimin e komisionit.
Ata propozojnë që të shtohet një anëtar nga radhët e PS dhe në total shkojnë 19 anëtarë, 9 mazhoranca, nga 8 që ka aktualisht, 6 PD, 1 Grupi Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 Partia e Lirisë.
Sipas dokumentit, që prej krijimit të komisionit më 27 tetor 2025 janë njoftuar katër mbledhje zyrtare. Vetëm mbledhja e datës 27 nëntor 2025 është zhvilluar me praninë e plotë të të gjithë anëtarëve, ndërsa në dy mbledhje të tjera, më 17 dhjetor 2025 dhe 22 janar 2026, opozita nuk ka marrë pjesë, duke bërë të pamundur zhvillimin normal të punimeve.
© Panorama.al












