Të premten pritet të mblidhet Komisioni i Mandateve dhe Imunitetit për kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut, e marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim edhe për 7 procedura të tjera tenderuese, përfshirë lotet e Unazës së Madhe.
Analisti Ben Andoni, në një intervistë për News 24, theksoi se Belinda Balluku do të duhej që të kishte dhënë dorëheqjen që të mos e çonte vendin në këtë situatë. Duke iu referuar zhvillimeve të fundit për Ballukun, Andoni tha se, nëse ato rezultojnë të vërteta, përbëjnë një “trishtim shumë të madh për njerëzit që na drejtojnë”.
“Ajo zonja për të respektuar partinë e vet që i ka dhënë dy mandate, në krye të ekzekutivit pas zotit Rama, mund të jepte dorëheqjen dhe të përballej me drejtësinë nëse pretendon se është e pafajshme”, tha Andoni.
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi theksoi se ata do të kërkojnë seancë të hapur, ndryshe nga kërkesa e Prokurorisë së Posaçme, që kërkon që të jetë e mbyllur për shkak të sekretit hetimor. Sipas tij, janë deputetët që vendosin se si do të jetë seanca.
Po ashtu Korreshi theksoi se kanë bërë kërkesë për të mbajtur edhe një seancë të jashtëzakonshme në Kuvend.
“Nuk e vendos SPAK nëse do të vendoset me dyer të mbyllura. Kemi qëndrimin tonë për ta pasur me dyer të hapura. Nga çfarë kam lexuar, është në kuadër të një hetimi për të cilin është mbështetur, dhe sipas provave, në atë rolacion, them se vota ime është pro kërkesës së SPAK.”, u shpreh ai.
Ndërsa Andoni tha:
“Pres që socialistët në mënyrën se si po luftojnë do ta shtyjnë për në janar. Deri më 22 janar? Po besoj. Nga ana tjetër do të duhet luftë e madhe nga opzita për një seancë të jashtëzakonshme.”
Kujtojmë që SPAK iu drejtua pak ditë më parë me një kërkesë Kuvendit për t’i hequr imunitetin zëvendëskryeministres që tashmë është e pandehur dhe në hetim për disa procedura të tjera tenderuese.
Kjo lëvizje e SPAK, që hap rrugën për një masë më të ashpër sigurie, arrest në shtëpi apo në burg, erdhi pasi Gjykata Kushteutese vendosi përkohësisht ta kthente në detyrë Ballukun si ministre dhe zëvendëskryeministre, deri më 22 janar, kur do të shqyrtojë në themel ankimimin e qeverisë për pezullimin e saj nga detyra nga GJKKO.
Për dhënien e kësaj mase, Gjykata e Posaçme ka argumentuar se Balluku rrezikon të prishë provat dhe intimidojë dëshmitarët apo të kryejë sërish vepra penale.
© Panorama.al











