Komisionerët rikthejnë opozitën në KQZ

Mar 26, 2011 | 12:20

Votimi i komisionerëve të PS-së dhe PBDNJ-së për KZAZ-të pritet të kthejë në KQZ tre anëtarët e opozitës.Burime pranë KQZ pohuan se kthimi i tre anëtarëve të opozitës, Dëshira Subashi, Artan Laze dhe Pandeli Varfi do të bëhet për të zhbllokuar situatën në institucionin qendror të zgjedhjeve, lidhur me miratimin e listës së komisionerëve. Votimi i komisionerëve të KZAZ-ve të dorëzuar ditët e hënë nga opozita është bllokuar për shkak të votës së kryetarit të KQZ-së, Ristani. Kreu i këtij institucioni, përmes një prononcimi për mediat pak ditë më parë, tha se nuk ka ndërmend të largojë nga detyra anëtarët e KZAZ-ve të emëruar nga ky institucion në mungesë të propozimeve të opozitës. “Anëtarët e KZAZ-ve të emëruar nga KQZ-ja për të plotësuar kuorumin e vendimmarrjes në këto komisione, janë në detyrë dhe do të qëndrojnë normalisht në detyrë”, u shpreh Ristani. Kjo do të thotë se vota e tij në votim do të jetë kundër listës së PS-së dhe PBDNJ-së për anëtarët e KZAZ-ve. Sipas nenit 24 të Kodit Zgjedhor, votimi në KQZ për anëtarët e KZAZ-ve kërkon shumicë të thjeshtë, 4 vota pro, ndërsa aktualisht, me refuzimin e Ristanit, maxhoranca nuk e plotëson shumicën. Kjo situatë do të detyrojë anëtarët e opozitës në KQZ që të rikthehen në detyrë për të votuar komisionerët e opozitës në KZAZ. Votimi i komisionerëve të PS-së dhe PBDNJ-së për në KZAZ do të nxjerrë këtë institucion nga kolapsi i tanishëm, duke bërë komisionet zonale të nisin nga puna sipas Kodit Zgjedhor. Në këtë mënyrë, opozita do t’i japë fund bojkotit të KQZ-së dhe do të marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e institucionit qendror të zgjedhjeve. Të hënën, partitë do të dorëzojnë listat e kandidatëve për komunat dhe bashkitë e vendit, ndërsa KQZ-ja futet në një aktivitet të ngjeshur teknik, ku duhet të miratojë çdo ditë vendime në funksion të zgjedhjeve të 8 majit. Regjistrimi i partive opozitare në garën e 8 majit, regjistrimi i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, por dhe shpallja e kandidaturës së Edi Ramës për Bashkinë e Tiranës, tregon se opozita ka hequr dorë nga qëndrimet e saj bojkotuese dhe refuzuese nga maxhorancës dhe institucioneve të drejtuara nga shumica në pushtet. Tre anëtarët e opozitës bojkotuan mbledhjet e KQZ-së, që pas vendimeve të marra nga shumica në këtë institucion për djegien e fletëve të votimit dhe hapjen e kutive të materialeve zgjedhore të zgjedhjeve të 18 qershorit 2009. Qëndrimi kundërshtues i anëtarëve të pakicës në këtë institucion erdhi pas miratimit të urdhëresave të brendshme të kreut të KQZ-së, të cilat nuk u firmosën dhe nga nënkryatarja Dëshira Subashi sipas Kodit Zgjedhor.

Kodi Zgjedhor

Neni 24
Vendimmarrja në KQZ
1. Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro”, jo më pak se 5
anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me: a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve
162, 163 dhe 165 të këtij Kodi; b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore, sipas nenit 122 të këtij Kodi dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore; c) kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi; ç) shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin dhe përsëritjen e tyre; d) aktet me karakter normativ dhe që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet; dh) propozimin për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, sipas pikës 2 të nenit 18 të këtij Kodi; e) miratimin e strukturës organike të KQZ-së, si dhe rregulloren e funksionimit të KQZ-së; ë) caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas nenit 76 të Kodit; f) caktimin e zonave të administrimit zgjedhor, sipas nenit 27 të Kodit. Vendimet e tjera miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së.

Ristani, letër PS: Edi Rama të regjistrohet në KQZ

Kreu i KQZ-së Ristani, përmes një letre dërguar dy partive kryesore, PD dhe PS, njofton se kandidatët e tyre që do të garojnë për Bashkinë e Tiranës, duhet të regjistrohen pranë këtij institucioni. Për shkak të një boshllëku ligjor në Kodin Zgjedhor, Bashkia e Tiranës nuk ka një KZAZ të vetën, ashtu siç është vepruar në të gjitha zgjedhjet e mëparshme. Ky vakum ligjor u krijua për shkak të ngërçit politik që pas zgjedhjeve të qershorit 2009, duke mos lënë të përcaktuar qartë disa çështje që lidhen me zgjedhjet vendore. Në këto kushte, kreu i KQZ-së kërkon që rolin e KZAZ-së së kryeqytetit ta luajë institucioni qendror i zgjedhjeve. Neni 33 i Kodit Zgjedhor përcakton se KZAZ-ja “f) regjistron subjektet zgjedhore dhe kandidatët për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore; g) shpall kandidatët fitues për kryetar të njësisë vendore”, ndërkohë që në Tiranë ka 11 KZAZ për njësitë vendore të kryeqytetit.

Miratohen vëzhguesit e zgjedhjeve të 8 majit

KQZ-ja miratoi në mbledhjen e djeshme vëzhguesit afatgjatë të Shoqatës për Kulturë Demokratike, për vëzhgimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 8 maj 2011. Vëzhguesit vendorë, numri i të cilëve në zgjedhjet e 2009 kalonte të 4 mijë vetët, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në monitorimin e zgjedhjeve dhe hartimin e raportit përfundimtar mbi procesin zgjedhor. Madje, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe monitoruesit e proceseve zgjedhore në Shqipëri kanë mbështetur dhe vlerësuar vazhdimisht rolin e vëzhguesve vendorë.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura