Kombinat, makina vret në aksident 5-vjeçarin

Nov 4, 2011 | 10:48

Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Kombinat të Tiranës, ku gjeti vdekjen një 5-vjeçar. Nënë e bir u përplasën nga një makinë që po lëvizte me shpejtësi. Ngjarja ndodhi kur fëmija dhe nëna e tij po kalonin nga njëri krah i rrugës në tjetrin. Nga përplasja gjeti vdekjen e menjëhershme djali 5-vjeçar M. Hoxha, ndërsa ndodhet në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën nëna e tij, Antuena Hoxha, 37 vjeçe. Aksidenti ka ndodhur në qendër të Kombinatit, në kryeqytet, rreth orës 20:30 të mbrëmjes. Burime nga Policia thanë se drejtuesi i autoveturës, edhe pasi ka shkaktuar aksidentin e rëndë, nuk ka ndaluar për të dhënë ndihmën e parë, por është larguar me shpejtësi. Menjëherë kanë ndërhyrë forcat e policisë së Komisariatit Nr. 6 dhe një ambulancë për t’u ardhur në ndihmë nënës dhe djalit të saj të mitur. Të njëjtat burime thanë se nga përplasja e fortë djali 5-vjeçar nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa e ëma është transportuar në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Pak minuta pas ngjarjes, policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit, i cili u kap në afërsi të qendrës së Tiranës. Nga të dhënat e siguruara nga dëshmitarët që kanë parë momentin e aksidentit mësohet se nëna ka qenë duke ecur në vijat e bardha me djalin e mitur që e mbante nga dora, por në atë moment semafori kishte të hapur dritën jeshile për kalimin e automjeteve.

© Panorama.al

Te lidhura