Kombi dhe feja në shkollat publike

Sep 15, 2011 | 10:50

NEXHMEDIN SPAHIU

Sapo dola nga një emision në TV “Ora news” në Tiranë, mora dhjetëra telefonata të miqve të mi, të cilët më pyetën se kush na qenka Branko Merxhani?!  Ata ishin befasuar me vlerësimin tim për Branko Merxhanin (1894-1981) si për intelektualin shqiptar më të madh të të gjitha kohërave. Shumica e këtyre miqve të mi, edhe pse njerëz që lexojnë shumë, ose nuk paskëshin dëgjuar kurrë për Brankon, ose e kishin lexuar, por nuk u paskësh bërë shumë përshtypje.
Sot m’u lajmërua njëri nga ata që e kish lexuar për së dyti dhe më tha që paskam pasur shumë të drejtë.

Branko Merxhani – intelektual i kalibrit botëror që jetonte në provincë
Është ironi e kohës që Branko Merxhani jetonte dhe botonte në Gjirokastër, në gazeta provinciale, ndërkohë që elita e kohës në Tiranë e shikonte me përbuzje, derisa ai, me durim të pashembullt, imponoi respekt, saqë, sipas Petro Markos, kur Kryeministri i Shqipërisë, Mustafa Kruja, ftoi në një tubim intelektualët për të përkrahur fashizmin, Branko ishte i vetmi që mori fjalën për të kundërshtuar.
Branko Merxhanin e bën të pavdekshëm artikulli i tij “Pse nuk jam marksist?”, që u botua më 1937-n. Arsyet që jep Branko janë të një niveli akademik të paarritshëm jo vetëm për studiuesit botërorë të asaj kohe, por deri te niveli i tij nuk kanë arritur studiuesit bashkëkohorë botërorë as edhe në ditët e sotme, kur komunizmi ka rënë planetarisht.
Arsyet që përmend Branko Merxhani se pse nuk e përkrah marksizmin, i dëshmoi praktika planetare dhe ato po formulohen nga studiues botërorë, por asnjeri ndër ta nuk ka arritur të artikulojë aq bukur e qartë sa Branko Merxhani.
Për të qenë ironia më e madhe, kjo doktrinë filozofike e tregoi monstruozitetin e vet në përmasat më groteske pikërisht në atdheun e Branko Merxhanit, në Shqipëri. E, për të qenë ironia në kulm, ai që e praktikoi këtë ideologji, Enver Hoxha, ishte pikërisht nga qyteti ku jetoi e veproi Branko Merxhani, Gjirokastra.
Derisa veprimtarë të ndryshëm u morën me plagë të shoqërisë shqiptare, Branko Merxhani u mor me vetë ngjizjen e kombit shqiptar, me atë që mbërthente të gjitha plagët së bashku.
Për të shpjeguar se pse kjo ishte gjeja më e duhur për kohën, më duhet të shpjegoj me pak fjali historikun e lindjes së kombeve.
Historiku i lindjes së kombeve
Kombi i parë modern lindi më 1523-shin, kur më  6 qershor, mbreti suedez, Gustav Vasa Ericson, shpalli reformat e tij që Suedinë e bëjnë pronë të suedezëve dhe jo pronë të mbretit, siç ishte rasti me shtetet mesjetare, ku territori në zotërim të shtetit ishte, në fakt, pronë e mbretit dhe popullsia që banonte në atë territor nuk kishte asnjë rol në drejtimin e shtetit. Apo, më mirë thënë, kishte aq rol, sa kishte edhe bagëtia që popullonte atë territor.
Suedezët, pra, u bënë kombi i parë në botë. Anglezët këtë e arritëm me revolucionin e Oliver Cromwell-it më 1649-n, amerikanët me shpalljen e pavarësisë më 1776-n, ndërsa francezët me Revolucionin e vitit 1789, prej kur edhe fillon epoka e kombeve.
Pse pikërisht lindja e kombit francez shënon epokën e kombeve dhe jo lindja e tri kombeve të mëhershme, kjo është për faktin se komb-bërja franceze qe më e artikuluar (slogani “Liri, vëllazëri e barazi”, shkrimet Rousseau-os dhe Voltaire-it etj.) dhe se komb-bërja franceze u pasua menjëherë me komb-bërjet në gjithë Europën Perëndimore.
Fazat e krijimit të kombeve
Kombet e Europës Perëndimore dhe SHBA paraqesin fazën e parë të krijimit të kombeve (“kombet e lindura natyrshëm”). Fazën e dytë të krijimit të kombeve e përbëjnë kombet e Europës Qendrore dhe rusët, ndërsa të tretën, kombet e tjera. Profesori zviceran Urs Altermatt, fazat e komb-krijimeve në Europë i ndan në katër, por nga këndvështrimi im këto janë vetëm tri.
Për të mos e zgjatur shumë se çfarë karakteristikash mbartin këto faza, do të ndalem te kombet e fazës së fundit, ku bën pjesë edhe kombi shqiptar, edhe ai kosovar.
Kombet e lindura para kohe, pa e arritur pjekurinë kulturore e shpirtërore
Shumica e kombeve të fazës së fundit lindën me probleme, me përjashtim të Sllovenisë e deri diku Kroacisë e ndonjë vendi tjetër, lindën të pangjizura mirë, pa e arritur pjekurinë e nevojshme kulturore e shpirtërore. Ky është rasti edhe me Kosovën, edhe me Shqipërinë (këtë e thotë edhe Stavro Skëndi në doktoratën e tij).
Në kohën kur u kthye në Shqipëri dhe filloi të botonte Branko Merxhani, vitet 1928-1938, kombi shqiptar kishte 15-25 vjet që ishte njohur si komb, por e vërteta qe se ishte ndoshta më së largu të qenët komb nga të gjitha ato konstrukte politike që njiheshin si kombe, por që akoma nuk e meritonin  emrin komb.
Branko Merxhani dha formulat e krijimit dhe formësimit të këtij kombi, të cilat i quajti formula të neoshqiptarizmës. Këto duhet të lexohen me dhjetëra herë nga gjithë shqiptarët. Natyrisht, nga këto formula do të mund të mësonin pothuajse të gjitha kombet e fazës së tretë.
Branko Merxhani për fenë
Në këtë shkrim po nënvizoj vetëm një nga margaritarët e Branko Merxhanit.
Tani kur po bëhet debat në shoqërinë kosovare, për rolin e fesë dhe kur në emër të shqiptarizmës refuzohet edukata fetare në shkollat publike, ja se çfarë thotë Branko Merxhani më 1929-n:
“Rregulli i parë i përparimit është feja. Dhe fe nuk do të thotë tipe të caktuara ceremoniale, as orë të caktuara lutjesh, as tregime filantropike të djallëzuara. Fe do të thotë thellësim shpirtëror, bashkim i zemrave, dashuri, devocion, besim”.
Në kohën e lindjes së kombeve të para, idetë kombëtare ishin rebelim ndaj Perëndisë, sepse Perëndia përfaqësohej në tokë nga mbreti apo perandori, i cili gjithë territorin shtetëror dhe shtetin e kishte pronë të vetën.
Nën moton “Liri, vëllazëri barazi”, banorët e vendeve të ndryshme u bënë qytetarë, u bënë bashkëpronarë të shtetit. Kjo është esenca e kuptimit të fjalës komb, pra, kur çdo qytetar bashkëmbretëron me vendin e vet, ku mbreti apo presidenti janë vetëm të parët nga të barabartët. Të jesh komb dhe ta avancosh kombin nuk do të thotë ta luftosh Perëndinë dhe fenë, por do të thotë që në emër të Zotit të jesh bashkëpronar apo bashkëmbret i vendit tënd.
Rrjedhimisht, për ta lartësuar kombin tonë na duhet edukata fetare në shkollat publike. Ndonjë individ mund të jetë ateist, por kombi nuk është i qëndrueshëm pa pjesëmarrjen e fesë në jetën publike. Ata që klithin kundër fesë në emër të interesave kombëtare janë dy shekuj prapa.

© Panorama.al

Te lidhura