Kombëtarja, 7 gola Olimpikut, Salihi siglon një tripletë

Mar 23, 2011 | 9:53

Kuqezinjtë kanë zhvilluar dje një ndeshje miqësore me ekipin e Olimpikut të Tiranës, të cilën e kanë fituar me rezultatin tenistik 7-1.Megjithëse kishin përballë një kundërshtar tepër modest, djemtë e drejtuar nga Josip Kuzhe kanë dhënë maksimumin në fushën e lojës, duke shënuar plot 7 herë në portën kundërshtare. Për të disatën herë me radhë, ekipi kombëtar ka zgjedhur stadiumin “Besa” në Kavajë për të zhvilluar seancat stërvitore, por edhe ndeshje miqësore si ajo e djeshmja. Ekipi tashmë është ambientuar me këtë fushë dhe përpara ndeshjes me Bjellorusinë forma e lojtarëve ka qenë mjaft e mirë. Trajneri Kuzhe ka preferuar që të hedhë në fushën e lojës që nga minuta e parë formacionin e tij më të mirë, atë me të cilin pritet që të luajë ndaj Bjellorusisë. Në portë i përhershmi Beqaj, më pas në mbrojtje katërshja Lila në krahun e djathtë, Beqiri dhe Cana në qendër dhe Agolli në krahun e majtë. Një modifikim i cili rezultoi i suksesshëm në këtë ndeshje miqësore. Ndërsa në mesfushë, në krahun e djathtë ishte pozicionuar Skela, në të majtin Bakaj, në qendër Bulku dhe Lala, ndërsa në sulm ishte dyshja Salihi-Bogdani. Këtë skemë dhe këtë përbërje trajneri Kuzhe e aplikon për herë të parë, kjo edhe për shkak të mungesave që ka. Ndeshja ka nisur shpejt dhe ka qenë Bogdani ai që ka realizuar i pari në minutën e 6-të. Më pas do të ishin tre gola rresht të bomberit të Kombëtares Hamdi Salihi, respektivisht në minutat 17, 25 dhe 35.
Në pjesën e dytë do të kishte ende gola të tjerë. Trajneri Kuzhe do të bënte ndryshime dhe do të fuste në fushën e lojës pjesën tjetër të ekipit, që nga Ujkani, Vrapi, Teli, Vangjeli, Vila, Lika, Duro dhe Hyka. Ndërsa në minutën e 64-rt do të futej në fushën e lojës edhe Gjergji Muzaka. Goleada do të vazhdonte në minutën e 65-të, kur Hyka me një goditje nga jashtë zone do të realizonte një eurogol. Forma e tij, ashtu siç e ka shfaqur edhe në kampionat, ishte shumë e mirë, por për fat të keq do të jetë në stol ndaj Bjellorusisë. Në minutën e 66-të Olimpiku do të realizonte një autogol me anë të Shimës, duke e çuar rezultatin në 6-0. Por kuqezinjtë nuk ishin ndalur ende pasi Emiliano Vila do të shënonte në minutën e 83-të. Ndërkohë që golin e nderit për ekipin modest të Olipmikut e shënoi E. Fuçia, në minutën e 88-të.

Federata

Ndeshjen e djeshme miqësore të zhvilluar në Kavajë nuk e ka ndjekur asnjë nga zyrtarët e FSHF. Për çudinë e të gjithëve në një ndeshje të tillë, zyrtarët e Federatës kanë qenë indiferentë. Në seancat e kaluara të pranishëm kanë qenë sekretari Prodani apo zv.presidenti Kasmi, ndërsa dje nuk u pa asnjë nga të dy. Ndeshja e djeshme, përveç ekipit kombëtar dhe stafit, nuk ka pasur asnjë personalitet tjetër.

Mediat

Ndryshe nga disa seanca stërvitore përpara ndeshjeve të kaluara, këtë herë mediat nuk janë ndalur në stadium. Ka pasur disa televizione, por edhe media lokale, të cilat kanë ndjekur nga afër këtë ndeshje miqësore. Interesimi ka qenë i madh nga ana e mediave, ndërkohë që nuk është dhënë asnjë deklaratë, sipas rregullit të paracaktuar tashmë, që ekipi kombëtar shprehet vetëm në konferenca për shtyp që zhvillohen përpara stërvitjes.

Shqipëria – Olimpik 7-1

Shënues: Bogdani 6′, Salihi 17′, 25′, 35′, Hyka 65′, Shima 66′ (autogol), Vila 83′ / E.Fuçia 88′
Në portë: Beqaj
Në mbrojtje: Lila, Beqiri, Cana, Agolli;
Në mesfushë: Lala, Bulku, Skela, Bakaj;
Në sulm: Bogdani, Salihi;
(U aktivizuan: Ujkani, Vrapi, Teli, Muzaka, Vangjeli, Vila, G.Lika, Duro dhe Hyka)

© Panorama.al

Te lidhura