
Heqja e elementit “kombësi” në certifikatat e lëshuara prej tri ditësh nga Zyrat e Gjendjes Civile në mbarë vendin, solli reagim të ashpër të OMONIA-s.Krerët e kësaj organizate i kërkuan shtetit shqiptar ta korrigjojnë atë në mënyrë të menjëhershme. Nëpërmjet një deklarate publike të bërë mesditën e djeshme, organizata e minoritetit etnik grek në jug të vendit, shprehet se dënon ndryshimin e formatit të dokumentit bazik të shtetasve shqiptarë, nga ana e Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë. Heqja e kombësisë nga certifikatat konsiderohet nga krerët e OMONIA-s si shkelje brutale e të drejtave të njeriut, ndërkohë që kërkohet korrigjimi i menjëhershëm i saj. Sipas OMONIA-s, ky akt është veçse gjenocid statistikor. “Janë të shumta pikat e dobëta dhe tendencioziteti në çështjen që lidhet me procedurën dhe formatin e ri të lëshimit të certifikatave nga gjendja civile. Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek OMONIA, pasi e shqyrtoi çështjen, e denoncon publikisht atë, përderisa kjo është tejet ligjore dhe e mbështetur në Kushtetutën e Shqipërisë, në ligjshmërinë e brendshme, atë europiane e botërore dhe kërkon me këmbëngulje që shteti shqiptar ta korrigjojë në mënyrë të menjëhershme. Edhe një herë tjetër, theksojmë se nuk është e mundur që të tolerojmë dinakëri anadollake të kësaj natyre, me të cilat burokracia dhe klasa politike tentojnë gjenocidin statistikor të Minoritetit Etnik Grek në tokat e tij amtare”, thuhej ndër të tjera në deklaratën e OMONIA-s. Sipas drejtuesve të kësaj organizate, akti në fjalë, pa asnjë lloj paralajmërimi, me autor qeverinë shqiptare për të ndryshuar formatin dhe përmbajtjen e certifikatës së lindjes dhe që të mos referohet më elementi i kombësisë, përveçse krijon probleme të shumta të karakterit teknik dhe burokratik, konfirmon me fakte se cilat janë mentalitetet që zotërojnë në aparatin shtetëror edhe për sa i përket çështjes së regjistrimit të popullsisë OMONIA bëri thirrje për anulimin e procedurës dhe premtoi ndërmarrjen e të gjitha hapave ligjorë, me qëllim që akti në fjalë të denoncohet, si dhe të rregullohet procedura e lëshimit të certifikatave të lindjes. “Elementi i kombësisë përbën një argument themelor për theksimin e veçorive të një minoriteti dhe për ne përbën një të drejtë të dhënë. Nuk është e mundur që ndërsa presim avancimin e një sërë çështjesh dhe problematikash të tjera që lidhen me të drejtat e Minoritetit Etnik Grek në trojet e tij amtare, të kemi prapakthime të tjera të rrezikshme, thuhej në deklaratën e lëshuar nga OMONIA.
Boboshtica, dëshmitarja: Konsullata, në dijeni të punimeve në varreza
KORÇE- “Konsullata ka qenë në dijeni të projektit për punimet që u kryen në varrezat e Boboshticës, por, për mungesë fondesh, ajo nuk e kreu financimin”. Kjo ishte deklarata e dhënë dje nga dëshmitarja e fundit e thirrur në këtë proces, me kërkesë të kreut të “Omonias” për qarkun e Korçës, Naum Disho. Në cilësinë e anëtares së bordit të kësaj organizate, Mariela Stefanllari, i është përgjigjur pyetjeve së akuzës në lidhje me çështjen “Boboshtica”, nga ky dyshohet se janë betonizuar eshtrat. Pas dëshmisë së saj, pritet që në seancat e ardhshme të japë konkluzionet përfundimtare Prokuroria e këtij rrethi. Në cilësinë e dëshmitarit ishte thirrur edhe Arqile Kapurani. “Për të kryer punimet në varrezat e vjetra të fshatit Boboshticë, u mor një vendim verbal në një mbledhje të “Omonia”-s, rreth dy muaj para se të kryheshin ceremonitë në nderim të një ushtari të rënë grek, memoriali i të cilit është ngritur në këto varreza”, u shpreh anëtarja e bordit të “Omonia”-s. Ajo pohoi se ceremonia e përvitshme organizohej nga “Omonia” e qarkut Korçë, në bashkëpunim me konsullatën greke në këtë qytet. Por, nga ana e konsullatës nuk u dhanë financime për kryerjen e punimeve. g.a
GJIROKASTER/ PIRO NASE
© Panorama.al











