Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e parë për rezultatin në Bashkinë e Tiranës. Partia Socialiste i kërkoi Gjykatës ta detyrojë KQZ-në të nxjerrë rezultatin për Tiranën, një vendim që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë e ka marrë.Në mbledhjen e djeshme të Kolegjit u vu re një pjesëmarrje e madhe e juristëve dhe deputetëve të të dyja partive. Socialistët përfaqësoheshin në këtë seancë me Eno Bushin, Arian Salatin dhe Eridian Salianjin, ndërsa demokratët me Oerd Bylykbashin, njëri prej negociatorëve të Kodit Zgjedhor dhe Ivi Kason. Gjithashtu, në seancë ishin të pranishëm edhe 3 deputetë, Damian Gjiknuri, Eduard Halimi dhe Ilir Rusmali. Pas përfundimit të seancës, ku u parashtruan argumentet, trupa gjykuese, e kryesuar nga Petraq Dhimitri, u konsultua për rreth 60 minuta para se të vendoste pushimin e çështjes. “Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit në Tiranë, bazuar në nenin 468 të Kodit të Procedurës Civile dhe 158/5 të Kodit Zgjedhor, vendosi pushimin e shqyrtimit të çështjes. Ky vendim është i formës së prerë”, u shpreh gjyqtari i çështjes në përfundim të seancës.
Argumentet
Përfaqësuesi i PS-së në këtë seancë, Eno Bushi, u shpreh se KQZ duhet ta nxirrte rezultatin përfundimtar për Bashkinë e Tiranës mbi bazën e tabelave të ardhura nga grupet e numërimit. “Nga 11 KZAZ që ka Bashkia e Tiranës, 10 prej tyre e kanë nxjerrë rezultatin, ndërsa një KZAZ, ajo 49, nuk e miratoi tabelën përmbledhëse. PS paraqiti ankimim në KQZ për të miratuar tabelën përmbledhëse të kësaj zone dhe atë të Tiranës, por afati prej 48 orësh, që e detyron këtë institucion ta miratojë, nuk u zbatua. Ne kërkojmë që të urdhërohet KQZ-ja që bashkë me miratimin e tabelës së KZAZ-së Nr. 49 dhe tabelës përfundimtare të Tiranës, të nxjerrë rezultatin në bazë të tabelave të hartuara nga KZAZ-të”, u shpreh Eno Bushi. Duke iu referuar numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar, Bushi tha se KQZ e ndryshoi tabelën e rezultateve të sjella nga KZAZ-të. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u shprehën se objekti i padisë së kërkuar nga PS-ja duhet të pushohet pasi KQZ e ka marrë tashmë këtë vendim. “KQZ, me vendim, ka miratuar tabelën përmbledhëse për KZAZ-në 49. Pas përfundimit të procesit të dorëzimit të tabelave për të gjitha qendrat e votimit dhe miratimit të tabelës së KZAZ-së 49, KQZ miratoi rezultatin. Shkaku i padisë nuk ekziston më, pasi KQZ e ka nxjerrë rezultatin. Ne kërkojmë pushimin e çështjes”, tha Dëshira Pasko, përfaqësuese e KQZ-së. Në të njëjtën linjë ishte edhe përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso, i cili kërkoi pushimin e çështjes.
Seanca sot
Ndërkohë që seanca e parë u pushua, vëmendja kryesore e partive është përqendruar në seancën që do të zhvillojë sot, ku objekt shqyrtimi do të jetë padia e socialistëve për të vlerësuar si të jashtëligjshëm num-ërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar. Burime nga Partia Socialiste bënë të ditur mbrëmë për gazetën se nuk përjashtohet mundësia që gjatë seancës së sotme gjyqësore të paraqiten edhe kërkesa të tjera lidhur me rezultatin e nxjerrë të hënën në mbrëmje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nëse kjo ndodh, sipas të gjitha gjasave, trupa e Kolegjit Zgjedhor do të kërkojë më shumë kohë për t’u njohur me materialet e reja dhe mund të kërkojë shtyrjen e seancës për javën e ardhshme. Pas kësaj seance, vëmendja e socialistëve do të rikthehet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku do të diskutohet kërkesa ankimore për rezultatin e Bashkisë së Tiranës.
ADI SHKEMBI











