Kolegjet e Bashkuara, vendimi: “Arresti për Ilir Kumbaron, i rregullt”

Dec 21, 2011 | 12:30
Ilir Kumbaro

TIRANE – Ilir Kumbaro, i akuzuari për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha në vitin 1995, do t’i niste numërimi i ditëve mbrapsht, nëse do të ishte i arrestuar. Në një kohë që ai ndodhet në listën e “personave në  kërkim”, pas arratisë së tij të pak ditëve më parë në Angli, Gjykata e Lartë zbardhi dje vendimin e Kolegjeve të Bashkuara te datës 14 tetor 2011. Ky vendim la në fuqi vendimin e Apelit për Krimet e Rënda, që la më herët në fuqi “arrestin me burg” caktuar nga Shkalla e Parë ndaj Kumbaros, më 5 janar 2010. Zbardhja e vendimit unifikues ligjëron nisjen e procedurave nga ana e drejtësisë britanike për ekstradimin e Kumbaros në Shqipëri. Vendimi i zbardhur nxori në dritë diferencën e ngushtë në vendimmarrje, mes 7 gjyqtarëve pro “arrestit me burg” të Kumbaros dhe 6 gjyqtarëve kundër. Në vendimin unifikues, që pas shpalljes njehson praktikën gjyqësore, arsyetohej se masa të reja sigurimi ndaj një të pandehuri mund të kërkohen në çdo fazë të procedimit penal. Në vendim pohohej se masa e sigurimit mund të caktohet rishtazi edhe në fazën e gjykimit, madje nga e njëjta gjykatë që shqyrton themelin e akuzës. “Nëse ekzistojnë nevojat e sigurimit, të cilat, sikurse edhe respektimi i lirisë së individit, janë garanci e detyrime që burojnë nga Kushtetuta, pra nëse janë kushtet paraprake dhe verifikohen rrethanat e rrezikut të parashikuara nga ligji, jo vetëm që nuk është pengesë, por përkundrazi, është detyrim për gjykatën që të pranojë kërkesën e prokurorit dhe të caktojë masën e sigurimit”, arsyetohej në vendimin unifikues. Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi një masë sigurimi “arrest me burg” ndaj Kumbaros, kur ai u identifikua dhe arrestua në Angli.                               ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura