Kodi Rrugor, PS jep konsensusin

Sep 15, 2011 | 11:09
Komisioni i Ligjeve

Opozita jep votën pro për një nga kodet që kërkojnë 3/5 e votave për herë të parë pas një periudhe të gjatë bojkoti.Deputetët e Partisë Socialiste në Komisionin e Ligjeve kanë votuar projektligjin për Kodin Rrugor, të ardhur nga qeveria, pasi u pranuan nga maxhoranca disa amendamente në draft.  Gjatë mbledhjes, deputetët e PS-së shfaqën mendime të ndryshme lidhur me debatin nëse duhet miratuar një ligj, i cili qëndron prej më se dy vjetësh në Parlament, apo duhet hartuar një paketë e plotë për të rritur sigurinë në rrugë.
Debati
Gjatë diskutimit mbi projektligjin, deputeti Damian Gjiknuri u ndal te një nga nenet e tij që ka të bëjë me kufizimin e dhënies së licencave për autoshkollat, në varësi të numrit të banorëve të zonës. “Shikoj një lloj monopolizimi që për mua i mban çmimet shumë të larta. Për mua, reforma e parë do të ishte që të mos mësojnë pjesët e makinës, por t’i japin makinës. Po ju jap një shembull: në një zonë që unë përfaqësoj është vetëm një autoshkollë që e ka një prototip i pushtetit atje dhe asnjë tjetër nuk ka licencë për të dhënë kurse. Në një rreth me 40 mijë banorë, të gjithë do ta marrin atje patentën”. Ndërsa deputeti Sajmir Tahiri kërkoi që ndryshimet në Kod të mos miratohen, por t’i jepet më shumë kohë Komisionit për të hartuar një paketë më të plotë. “Unë kam një propozim procedural që mbase do të na shërbejë të gjithëve për ta përmirësuar qëllimin e nismëtarëve për këtë amendament. Ne nuk kemi ndonjë emergjencë specifike për miratimin e këtyre ndryshimeve. Ky projektligj ka ardhur në Parlament më 15 mars 2009, pra rri në Parlament 2 vjet, fle këtu. Unë propozoj t’i japim kohë Komisionit, të marrim kohë edhe ne, t’i japim mundësi vetes të shkojmë përtej nismës së Ministrisë në mënyrë që merakun tuaj për sigurinë rrugore dhe bombat lëvizëse ta adresojmë në mënyrë të plotë. Të marrim kohën tonë dhe ta kthejmë në një paketë për të hedhur bazat për të garantuar sigurinë në rrugë”, u shpreh Tahiri.
Pas tij, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, u shpreh se për aq kohë sa opozita nuk do ta japë votën, ligjet që kërkojnë 3/5 do të vazhdojnë të qëndrojnë në sirtarët e Kuvendit. Por pavarësisht qëndrimit të Tahirit, deputeti Pandeli Majko u shpreh dakord parimisht me projektligjin dhe u ndal te shqetësimi që ngriti Gjiknuri lidhur me dhënien e licencave të autoshkollave. “Unë mendoj që ne në parim s’mund të jemi kundër një rregullimi që ka të bëjë me mangësitë. Por besoj që edhe përfaqësuesi i Ministrisë duhet të na kuptojë në shqetësimin që shprehu zoti Gjiknuri në nenin 121, i cili, nëse hiqet, e bën të kalueshëm Kodin”, u shpreh Majko. Pas tij replikuan mes tyre Enkelejd Alibeaj dhe Vasilika Hysi, ku fillimisht deputeti demokrat u shpreh se votimi i këtij projektligji është një test për opozitën dhe si përgjigje, deputetja e PS-së tha se po synohet të futet në grackë pakica. Ndërsa deputeti Bashkim Fino, teksa replikoi në distancë me Alibeajn, tha: “Parafolësi, dashur pa dashur, na futi në një kurth politik, i cili e prishi atë klimën që ne erdhëm, bëmë pyetje dhe diskutuam. Meqenëse ky është një kurth politik, ka një mesazh të qartë të kryetarit të PS-së dhe një gjysmë përgjigje të Kryeministrit. Nuk është kjo tavolina që mund ta zgjidhë këtë ngërç politik. Kjo tavolinë nuk e zgjidh, por nuk pa pse ta prishë. Ky është një projektligj që duhet votuar, siç tha edhe Majko”. Në fund, teksa kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, e hodhi në votim, Tahiri u largua nga mbledhja, ndërsa përpara tij kishin ikur edhe Dashamir Peza e Shega Ligori. Deputetët e të dyja forcave ranë dakord për amendamentet e Kodit dhe e votuan me unanimitet nenin e ndryshuar.

Debati në Komision
Sajmir Tahiri:
Një zgjidhje efektive për shmangien e korrupsionit, a do të ishte kohëzgjatja e afatit të kursit për të marrë patentën, sot është 3 muaj, të bëhet 9 muaj?
Zamir Stefani (përfaqësues i METE): Duke u shprehur sinqerisht, mangësitë e mia në procedurat si jepen patentat, se unë e kam marrë 30 vjet përpara…
Ilir Rusmali: Para 30 vjetësh, për sa kohë e keni marrë?
Zamir Stefani: Ahu, 9 muaj.
Bashkim Fino: Këtë po kërkon edhe Sajmiri.
Pandeli Majko: Qenka politikë e vjetër fare.
Zamir Stefani: Ç’përgjigje të jap unë nëse përfaqësuesi i shtetit dhe privati japin një patentë të pajustifikueshme? Pasojat dihen.
Damian Gjiknuri: Shikoj një lloj monopolizimi që për mua i mban çmimet shumë të larta. Për mua reforma e parë do të ishte që të mos mësojnë pjesët e makinës, por t’i japin makinës. Po ju jap një shembull: në një zonë që unë përfaqësoj është vetëm një autoshkollë që e ka një prototip i pushtetit atje dhe asnjë tjetër nuk ka licencë për të dhënë kurse. Në një rreth me 40 mijë banorë, të gjithë do ta marrin atje patentën.
Sajmir Tahiri: Unë kam një propozim procedural që mbase do të na shërbejë të gjithëve për ta përmirësuar qëllimin e nismëtarëve për këtë amendament. Ne nuk kemi ndonjë emergjencë specifike për miratimin e këtyre ndryshimeve. Ky projektligj ka ardhur në Parlament më 15 mars 2009, pra rri në Parlament 2 vjet, fle këtu. Unë propozoj t’i japim kohë Komisionit, të marrim kohë edhe ne, t’i japim mundësi vetes të shkojmë përtej nismës së Ministrisë, në mënyrë që merakun tuaj për sigurinë rrugore dhe bombat lëvizëse ta adresojmë në mënyrë të plotë. Të marrim kohën tonë dhe ta kthejmë në një paketë për të hedhur bazat për të garantuar sigurinë në rrugë.
Ilir Rusmali: Në qoftë se ju nuk ia jepni votën këtij projektligji apo të tjerave që kërkojnë 3/5, në sirtar do flenë. Unë e mirëpres çdo nismë për t’i riparë të gjitha ligjet madhore që kemi ne dhe për ta pasur Parlamentin më shumë aktiv në një gjë të tillë, por është diskutim jashtë këtij rendi dite. Mund ta bëjmë edhe në tryeza të tjera. Unë propozoj që ne ta çojmë deri në fund këtë projektligj.
Pandeli Majko: Unë mendoj që ne në parim s’mund të jemi kundër një rregullimi që ka të bëjë me mangesat. Por besoj që edhe përfaqësuesi i Ministrisë duhet të na kuptojë në shqetësimin që shprehu zoti Gjiknuri në nenin 121, i cili, nëse hiqet, e bën të kalueshëm Kodin.
Enkelejd Alibeaj: Jemi para një testi. Do ta votojmë ne ligjin me 3/5, apo jo? Do t’i qëndrojmë ne, të gjithë bashkë, asaj çfarë thamë para ca ditësh, që reformat, të cilat kanë nevojë për votat e të gjithë parlamentit, t’i votojmë si një moment konfidence reciproke, apo jo?
Vasilika Hysi: Mendova se ardhja jonë në këtë komision do t’i shërbente punës dhe asnjë nga diskutimet tona nuk synoi politizimin e problemit. Meqenëse ju doni të fusni në grackë me këtë diskutim që bëtë, u rikujtoj që ky ligj erdhi në Komision në prill 2009, para zgjedhjeve të qershorit 2009. Do të vazhdojmë të shtojmë arnime nëpër ligje, apo do të kemi një paketë? Ne si ligjvënës a kemi të drejtë dhe detyrim që të jemi largpamës në nismat ligjore dhe të sugjerojmë paketa ligjore që të sigurojnë sigurinë rrugore.
Bashkim Fino: Parafolësi, dashur pa dashur, na futi në një kurth politik, i cili e prishi atë klimën që ne erdhëm, bëmë pyetje dhe diskutuam. Meqenëse ky është një kurth politik, ka një mesazh të qartë të kryetarit të PS-së dhe një gjysmë përgjigje të Kryeministrit. Nuk është kjo tavolina që mund ta zgjidhë këtë ngërç politik. Kjo tavolinë nuk e zgjidh, por nuk pa pse ta prishë. Ky është një projektligj që duhet votuar, siç tha edhe Majko.
Ilir Rusmali: Asnjë nga kolegët s’ka asgjë në parim kundër. Unë ju ftoj ta kalojmë në parim, kështu dhe t’u japim më shumë kohë amendimeve për nenet. Kush është dakord ta kalojmë në parim? Dakord. E miratojmë në parim.

Kodet në pritje në Kuvend
.    Kodi Detar
.    Kodi Penal (4 pr.ligje)
.    Kodi Rrugor (3 pr.ligje)
.    Kodi Detar
.    Kodi Doganor
.    Kodi Ajror
.    Kodi Hekurudhor
.    Kodi Civil

Ndryshimet në Kodin Rrugor
Gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve, deputetët e PD-së dhe PS-së ranë dakord që t’i dërgojnë Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, si komision përgjegjës, dy variante për nenin 121 të Kodit Rrugor. Varianti i parë i ardhur nga qeveria përcakton kufizim të numrit të licencave të autoshkollave në raport me numrin e banorëve të asaj zone. Ndërsa në variantin e dytë, kjo fjalë është hequr, çka nënkupton se licencat do të liberalizohen dhe gjithçka do t’i lihet në dorë tregut. Në variantin e ardhur nga qeveria u bënë edhe disa rregullime lidhur me kushtet kur mund të hiqet licenca e autoshkollës.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura