Koalicioni i PD, 99 mijë vota më shumë se aleanca e PS

May 17, 2011 | 10:27

Koalicioni “Aleanca për qytetarin” vazhdon të figurojë me më shumë vota se koalicioni i PS-së.Rezultatet zyrtare të KQZ-së tregojnë se epërsia në vota i koalicionit të maxhorancës aktuale shkon në rreth 99 348 më shumë se koalicioni opozitar. Edhe pse në këtë diferencë, Partia Socialiste vazhdon të ketë epërsi ndaj Partisë Demokratike. Partia Socialiste ka grumbulluar 425 678 vota në të gjithë vendin, ndërsa Partia Demokratike 326 290 vota, me një diferencë prej 99 380 votash. Por ajo që i jep avantazh koalicioni “Aleanca për qytetarin”, që drejtohet nga Partia Demokratike, janë partitë aleate që kanë grumbulluar nga ana e tyre me mijëra vota. Lëvizja Socialiste për Integrim është partia që ka kaluar kufirin e mbi 70 mijë votave që grumbulloi në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-s, duke grumbulluar 116 023 vota, duke u ndjekur nga Partia Republikane e Fatmir Mediut, me 72 946 e pas tij Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit, me 62 999 vota. Por, dhe partitë e tjera përbërëse të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, si Aleanca Demokratike, Lëvizja e Legalitetit, Partia Agrare Ambientaliste, apo dhe Partia e Ballit Kombëtar, kanë disa dhjetëra mijëra vota, duke krijuar në këtë mënyrë diferencën me koalicionin e majtë opozitar. Ajo që bie në sy te koalicioni “Aleanca për të ardhmen”, të drejtuar nga Partia Socialiste, është pesha e madhe që kjo parti mban në këtë koalicion. Përveç partive tradicionale të këtij koalicioni, ka dhe parti që nuk kanë mundur të grumbullojnë nga elektorati i tyre as një mijë vota në të gjithë vendin. Madje, Partia Demokrate për Integrim e Prosperitet ka marrë vetëm 69 vota, apo Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve, që ka marrë 384 vota. Në listën e partive aleate të këtij koalicioni, numrin më të madh të votave e ka marrë Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos, e cila ka marrë në shkallë vendi 53 069 vota, e që pasohet nga Partia Demokristiane, me 47 645 vota dhe Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit, me 43 801 vota. Vota e 8 majit duket se ka qenë e balancuar ndaj dy kampeve, ku qytetarët, me votën e tyre u kanë dhënë bashkitë e mëdha të majtëve, ndërsa bashkitë e vogla dhe shumicën e komunave të vendit e kanë fituar të djathtët. Ky fakt dhe shumica e votave që ka marrë e djathta si koalicion tregojnë se në zgjedhjet e 8 majit mungoi vota plebishitare, që pretendohej nga Partia Socialiste. Kreu socialist, Edi Rama, gjatë fushatës zgjedhore kërkoi votë kundër qeverisë, duke e akuzuar atë si të korruptuar dhe autore të ngjarjeve të 21 janarit në bulevard, ku humbën jetën katër qytetarë. Mbeten edhe dy kuti për Këshillin Bashkiak të Tiranës, në Njësinë Nr. 5, që të numërohen për të pasur shifrën e saktë të numrit të votave në rang kombëtar të partive dhe koalicioneve.

 

Koalicionet Zgjedhore

ALEANCA PER QYTETARIN
1. Aleanca Demokratike                     32.569
2. Aleanca Europiane Ekologjike                 5225
3. Bashkimi Liberal Demokrat                     26.662
4. Lëvizja Socialiste për Integrim                 116.023
5. Lidhja Demokristiane Shqiptare                 20.028
6. Partia Agrare Ambientaliste                     30375
7. Partia Aleanca Demokristiane                 6118
8. Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian     2504
9. Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet         2960
10. Partia Aleanca Popullore                     3020
11. Partia Balli Kombëtar                     20646
12. Partia Balli Kombëtar Demokrat                 15513
13. Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar                 6687
14. Partia Demokracia e Re Europiane                 4874
15. Partia Demokratike                     326.290
16. Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet                 62.999
17. Partia e të Drejtave të Mohuara e Re             3819
18. Partia Konservatore                     2808
19. Partia Lëvizja e Legalitetit                     36.959
20. Partia Ora e Shqipërisë                     3257
21. Partia Personat me Aftësi të Kufizuar             891
22. Partia Republikane Shqiptare                 72.946

ALEANCA PER TE ARDHMEN
1. Partia Aleanca Arbnore Kombëtare                 9093
2. Partia Ardhmëria Shqiptare                     2503
3. Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar         497
4. Partia Bashkimi Republikan Shqiptar                 4190
5. Partia Demokracia Sociale                     53.069
6. Partia Demokrate për Integrim e Prosperitet             69
7. Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë     1616
8. Partia Demokristiane e Shqipërisë                 47.645
9. Partia e Gjelbër                        8403
10. Partia e Pajtimit Kombëtar                     824
11. Partia e Punës e Riorganizuar                 4107
12. Partia e Unitetit Kombëtar                     4420
13. Partia G99                         15.104
14. Partia Ligj dhe Drejtësi                     7807
15. Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve         908
16. Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve         384
17. Partia Reformatore Demokratike                 1629
18. Partia Rruga e Lirisë                     1426
19. Partia Socialdemokrate                     43.801
20. Partia Socialiste e Moderuar                 6164
21. Partia Socialiste e Shqipërisë                 425.678
22. Partia Socialiste e Vërtetë ‘91                 23.307
23. Partia Toleranca e Re e Shqipërisë                 695
24. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut             40.486

Partitë jashtë koalicioneve
1. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar                 20.933
2. Lëvizja për Drejtësi Shqiptare                 540
3. Partia e Çështjeve shqiptare                 366
4. Partia Komuniste e Shqipërisë                 6173
5. Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë             495
6. Partia Lëvizja Punëtore e Shqipërisë             98
7. Partia Mendimi i Djathtë Liberal                 1160
8. Partia e Minoritetit Etnik Grek për të Ardhmen         4996

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura