Koalicioni i PD, 46 mijë vota para PS

May 12, 2011 | 10:31

Koalicioni i maxhorancës “Aleanca për qytetarin” dominon me më shumë vota se koalicioni “Aleanca për të ardhmen” i opozitës.Aleanca për Qytetarin, e kryesuar nga Partia Demokratike, ka numëruar dje 539 076 vota, ndërsa Aleanca për të Ardhmen ka marrë vetëm 492 221 vota. Në përllogaritjen e përgjithshme rezultojnë dhe 61 662 vota të dhëna për partitë jashtë dy koalicioneve. Deri tani kemi përfundim të numërimit dhe nxjerrje të rezultatit për 46 bashki, nga 65 dhe disa qindra komuna, të cilat në përgjithësi janë fituar nga koalicioni i djathtë. Por dhe në ato bashki ku ka humbur PD, në disa raste, elektorati ka votuar Partinë Demokratike si subjekt, duke mos votuar kandidatin për cilësitë e tij. Në të gjitha bashkitë apo komunat e fituara nga koalicionet, kandidatët kanë marrë më shumë vota se subjektet politike që i kanë mbështetur, duke u vlerësuar më shumë edhe për cilësitë individuale të tyre. Por, karakteri politik që iu dha këtyre zgjedhjeve nga ana e Partisë Socialiste, duket se nuk dha rezultatet e pritshme. Kryetari socialist, Edi Rama, në asnjë moment nuk i pranoi këto zgjedhje si zgjedhje administrative, duke kërkuar votë kundër qeverisë dhe largimin e saj. Madje, shumë herë ai kërkoi votë plebishitare nga shqiptarët. Por, numrat e dhënë dje nga KQZ për votat e marra nga koalicionet respektive tregojnë se koalicioni i PS, “Aleanca për të ardhmen”, nuk arriti të sigurojë votën plebishitare kundër qeverisë. Dhe pse ka fituar disa nga bashkitë kryesore, Korçën, Vlorën, Beratin, Sarandën, Elbasanin, që është me një diferencë mjaft të madhe prej 6 mijë votash, Partia Socialiste dhe koalicioni i saj nuk kanë arritur të grumbullojnë shumicën e votave popullore. Numri më i madh i votave të grumbulluara vjen nga bashkitë e mëdha të vendit, ku dhe numri i zgjedhësve dhe pjesëmarrja në zgjedhje është më e madhe. Në zgjedhjet e shkuara, si ato të 2005-s, 2007-s apo dhe në 2009-n, ku Partia Socialiste arriti të grumbullojë më shumë vota si subjekt, dhe pse nuk ka mundur të marrë shumicën e deputetëve apo njësive bashkiake. Mbeten për t’u numëruar ende votat për bashkinë e Durrësit, Elbasanit dhe shumë kuti për Tiranën, pasi nuk ka nisur ende numërimi për kryetarët e minibashkive dhe këshillave të tyre që do të ndikojnë në numrin e votave për partitë dhe koalicionet. Por, në këtë rezultat dominues në vota të përgjithshme të koalicionit të maxhorancës të përbërë nga 22 parti, ka luajtur rol dhe fitorja e tij në shumicën e komunave në të gjithë vendin, duke përsëritur sërish, deri në këto momente, rezultatin e vitit 2007, kur koalicioni i djathtë dominoi komunat në të gjithë vendin. Sot pritet që të kemi një rezultat përfundimtar si për kutitë e mbetura në Tiranë, ashtu dhe për kutitë që kanë mbetur dhe të rrethet e tjera, për bashkitë dhe komunat.

539 076 vota
ka grumbulluar Aleanca për Qytetarin, e kryesuar nga Partia Demokratike, duke marrë në këtë mënyrë dhe shumicën e votave të zgjedhësve shqiptarë

492 221 vota
ka marrë Aleanca për të Ardhmen, e kryesuar nga Partia Socialiste, e cila kishte kërkuar votë politike e plebishitare kundër qeverisë

61 662 vota
Janë dhënë për subjektet dhe individët që garuan më 8 maj jashtë koalicioneve të dy partive të mëdha, PD dhe PS, vota që bëjnë diferencën mes tyre

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura