Koalicionet, PD 99 mijë vota mbi PS

May 16, 2011 | 9:59

Koalicioni i djathtë “Aleanca për qytetarin” vazhdon të thellojë avantazhin ndaj koalicionit opozitar edhe në kutitë e fundit.Diferenca mes koalicionit “Aleanca për qytetarin” dhe “Aleanca për të Ardhmen” është, sipas KQZ-së, 99.288, ndërsa kanë mbetur dhe pak kuti për t’u numëruar në Njësinë Nr. 5 në Tiranë për Këshillin Bashkiak të kryeqytetit. Koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike, Aleanca për Qytetarin ka marrë sipas KQZ-së 800 426 vota, ndërsa koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste Aleanca për të Ardhmen, ka marrë deri dje 701 138 vota. Një grup partish që nuk janë përfshirë në asnjë prej koalicioneve, mes të cilave dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e drejtuar nga Dashamir Shehi apo Partia Komuniste e Hysni Milloshit, kanë marrë në total 34755. Vetë LZHK ka marrë 20 930 vota, ndërsa komunistët 6170 vota dhe Partia e Minoritetit Etnik Grek për të Ardhmen, 4996 vota, të ndjekur nga katër parti të tjera të vogla.

PS-PD
Në statistikat e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bien në sy votat që dy partitë e mëdha kanë marrë në shkallë vendi. Partia Socialiste ka marrë më shumë vota se Partia Demokratike. Socialistët kanë marrë 423 270 vota, ndërsa demokratët 325 138, me një diferencë prej 98 mijë votash. Demokratët si koalicion mbledhin më shumë vota, edhe pse kanë më pak parti në përbërjen e tyre. Edhe pse Partia Socialiste ka grumbulluar në koalicionin e saj 24 parti, nga 22 që ka koalicioni i djathtë, kjo nuk e ka ndihmuar atë të ketë epërsi në votën popullore ndaj së djathtës.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë në shkallë kombëtare 114 743 vota, e ndjekur nga Partia Republikane Shqiptare, me 72 757, e më pas nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, 62 957 vota. Edhe Partia Lëvizja e Legalitetit ka siguruar një numër jo të vogël votash, 36 947. Ndërsa në koalicionin e majtë, të kryesuar nga Partia Socialiste, partitë tradicionale të këtij koalicioni kanë mundur të marrin një numër jo të vogël votash, por më pak se ato të koalicionit të djathtë. Partia Demokracia Sociale ka arritur të grumbullojë 52 970 vota, Partia Demokristiane ka marrë 47 637 vota, Partia Socialdemokrate 43 679 vota, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 40 486 dhe Partia Socialiste e Vërtetë 91 ka marrë 23 285 vota. Ajo që bie në sy në votat e marra nga partitë e dy koalicioneve, janë numri i madh i votave të marra nga LSI, apo PDIU, të cilat kanë marrë më shumë vota se partitë më të vjetra të politikës shqiptare
Kandidatët
Dy kandidatët për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha dhe Edi Rama, kanë mbledhur më shumë vota se partitë që i kandidonin. Kryetari socialist, kandidat për mandatin e katër në Bashkinë e Tiranës, Edi Rama, ka marrë 124 623 vota, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 97787 vota për Këshillin Bashkiak. Kandidati demokrat, Lulzim Basha, ka arritur të grumbullojë pothuaj dyfishin e votave krahasuar me partinë Demokratike në Tiranë. Basha mblodhi 124 613 vota, ndërsa Partia Demokratike mblodhi 72578 vota për Këshillin Bashkiak. Por, ndryshe nga ç’pritej, këto zgjedhje nuk sollën votë plebishitare siç pritej nga Partia Socialiste. Kreu socialist zhvilloi një fushatë zgjedhore krejtësisht politike, duke kërkuar votë kundër qeverisë dhe më pak u fokusua tek administrimi i pushtetit lokal. Rama në të gjitha takimet dhe daljet e tij, u adresua tek dobësitë e qeverisë, që nga korrupsioni e deri tek ngjarjet e 21 janarit ku mbetën të vrarë katër qytetarë. Por rezultoi se qytetarët votuan në mënyrë të balancuar, duke votuar në bashkitë kryesore kandidatët e koalicionit “Aleanca për të ardhmen” dhe në zonat rurale dhe bashkitë e vogla, koalicionin “Aleanca për qytetarin”, të kryesuar nga Partia Demokratike.

99 mijë
vota është diferenca mes koalicionit “Aleanca për qytetarin” e drejtuar nga Partia Demokratike, nga koalicioni “Aleanca për të ardhmen” e drejtuar nga Partia Socialiste

LSI merr 114 743 vota
Lëvizja Socialiste për Integrim konfirmohet si forcë e dytë e koalicionit të djathtë “Aleanca për qytetarin”, por edhe forcë e tretë në të gjithë vendin. Ndryshe nga zgjedhjet e përgjithshme të 2009, LSI jo vetëm nuk pati rënie në vota, por është rritur ndjeshëm. Nga rreth 86 mijë vota që mori në 28 qershor 2009, LSI numëron 114 743 vota, duke treguar se mbështetja e saj si partie e koalicionit qeveritar është rritur.

PDIU numëron 62 957 vota
Partia e që mbron interesat e çamëve në Shqipëri duket se ka bërë një hap shumë të rëndësishëm në këto zgjedhje. Mjaft agresive, partia që mbron interesat e këtij komuniteti me dy deputetë në gjirin e saj, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, duket se kanë vendosur baza të forta në këto zgjedhje për zgjedhjet e përgjithshme të 2013, ku do të pretendojnë të rrisin përfaqësimin e tyre në Kuvend.

Koalicionet Zgjedhore

ALEANCA PER QYTETARIN
1. Aleanca Demokratike                         32.549
2. Aleanca Europiane Ekologjike                     5225
3. Bashkimi Liberal Demokrat                     26.659
4. Lëvizja Socialiste për Integrim                     114.743
5. Lidhja Demokristiane Shqiptare                     20.021
6. Partia Agrare Ambientaliste                     30375
7. Partia Aleanca Demokristiane                     6118
8. Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian         2504
9. Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet             2960
10. Partia Aleanca Popullore                     3020
11. Partia Balli Kombëtar                         20630
12. Partia Balli Kombëtar Demokrat                     15489
13. Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar                 6687
14. Partia Demokracia e Re Europiane                 4872
15. Partia Demokratike                         325.138
16. Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet                 62.957
17. Partia e të Drejtave të Mohuara e Re                 3819
18. Partia Konservatore                         2808
19. Partia Lëvizja e Legalitetit                     36.947
20. Partia Ora e Shqipërisë                     3257
21. Partia Personat me Aftësi të Kufizuar                 891
22. Partia Republikane Shqiptare                     72.757

ALEANCA PER TE ARDHMEN
1. Partia Aleanca Arbnore Kombëtare                 9087
2. Partia Ardhmëria Shqiptare                     2503
3. Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar             497
4. Partia Bashkimi Republikan Shqiptar                 4190
5. Partia Demokracia Sociale                     52.970
6. Partia Demokrate për Integrim e Prosperitet             69
7. Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë         1616
8. Partia Demokristiane e Shqipërisë                 47.637
9. Partia e Gjelbër                         8399
10. Partia e Pajtimit Kombëtar                     824
11. Partia e Punës e Riorganizuar                     4107
12. Partia e Unitetit Kombëtar                     4420
13. Partia G99                             15.091
14. Partia Ligj dhe Drejtësi                         7802
15. Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve         908
16. Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve         384
17. Partia Reformatore Demokratike                 1629
18. Partia Rruga e Lirisë                         1426
19. Partia Socialdemokrate                     43.679
20. Partia Socialiste e Moderuar                     6164
21. Partia Socialiste e Shqipërisë                     423.270
22. Partia Socialiste e Vërtetë ’91                     23.285
23. Partia Toleranca e Re e Shqipërisë                 695
24. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut                 40.486

Partitë jashtë koalicioneve
1. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar                     20.930
2. Partia Komuniste e Shqipërisë                     6170

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura