
PS “vjedh” partinë e pensionistëve. Kryetari: Jam me të djathtët.
Përfaqësuesi i PD dorëzoi dje dokumentacionin e partive të djathta.
Firmos edhe Partia e Ballit Kombëtar dhe ajo e Emigracionit.
Partia Demokratike ka dorëzuar mbrëmjen e djeshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve emrat e 26 partive politike që do të jenë pjesë e koalicionit “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”. Koalicioni i drejtuar nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka në përbërjen e saj 15 forca politike të spektrit të djathtë dhe të qendrës, të cilat i kanë qëndruar besnike PD-së në zgjedhjet e vitit 2009 dhe në zgjedhjet vendore të vitit 2011. Po ashtu, koalicioni “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” ka afruar në radhët e saj dhe 11 forca politike, të cilat renditen për herë të parë përkrah demokratëve. Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti, dorëzoi dokumentacionin e koalicionit të maxhorancës. Kosovrasti vlerësoi kontributin e tri partive aleate, që sipas tij janë: LZHK, PDK dhe PDIU. “Partitë e koalicionit të djathtë janë historikisht partitë e djathta tradicionale, aleate të përjetshme. Element mjaft pozitiv për këtë koalicion është që ka 3 parti me rëndësi në përbërjen e tij, si LZHK, PDK dhe PDIU”, tha ai.
Aleatët kryesorë
Më Partinë Demokratike kanë firmosur republikanët e Fatmir Mediut, si dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit. Risi në këtë koalicion është ardhja e Partisë Demokristiane e Nard Ndokës, që në zgjedhjet e 2009-s garoi me Polin e Lirisë, ndërsa në zgjedhje vendore të viti 2011 ishte në koalicionin e Partisë Socialiste. Gjithashtu të djathtët kanë afruar në radhët e saj dhe Partinë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, e drejtuar nga Dashamir Shehi. Po ashtu PD ka arritur të mbajë afër dhe Lidhjen Demokristiane të Nikoll Lesit, si dhe Aleancën Demokratike, e drejtuar nga Arben Demeti. Berisha siguroi mbështetjen e dy partive të Ballit Kombëtar. Dje PD negocioi marrëveshjen me Adriatik Alimadhin e Partisë Balli Kombëtar, ndërsa dy ditë më parë kishte siguruar mbështetjen e Artur Roshit, kryetarit të Partisë Balli Kombëtar Demokrat.
Të rinjtë
Në koalicionin e djathtë është rreshtuar për herë të parë Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë me kryetar Selami Jenisherin. Ky i fundit në zgjedhjet e vitit 2011 ishte në koalicion me Partinë Socialiste. Koalicionit Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim i janë bashkuar për herë të parë dhe Partia e Minoritetit Grek për të Ardhmen, me kryetar Kristo Kiçon. Partia Demokratike ka finalizuar ditën e djeshme marrëveshjen me Partinë e Emigracionit Shqiptar i drejtuar nga Krisaq Papa. Partia e drejtuar nga Kristaq Papa nuk është miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të marrë pjesë në garën elektorale të 23 qershorit. Por burime nga PD bëjnë të ditur se Partia e Emigracionit Shqiptar e ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KQZ-së. Maxhoranca ka afruar gjithashtu forca të reja, siç është LSHR e Edmond Vlashajt dhe Partinë Civile, me kryetar Dritan Brokën. Partia Civile është në proces ankimimi në Kolegjin Zgjedhor, pasi KQZ ka refuzuar kërkesën për ta regjistruar.
Koalicioni i djathtë
Partia Demokratike – Sali Berisha
Partia Republikane – Fatmir Mediu
Partia për Drejtësi, Integrim
dhe Unitet – Shpëtim Idrizi
Partia Agrare Ambientaliste – Lufter Xhuveli
Partia Lidhja Demokristiane – Nikoll Lesi
Partia Lëvizja e Legalitetit – Ekrem Spahia
Partia Aleanca Demokratike – Arben Demeti
Partia Bashkimi Liberal Demokrat – Arjan Starova
Partia Balli Kombëtar Demokrat – Artur Roshi
Partia e Ballit Kombëtar – Adriatik Alimadhi
Partia Aleanca për Demokraci
dhe Solidaritet – Gaqo Apostoli
Partia Ora e Shqipërisë – Zef Shtjefni
Partia Aleanca e Maqedonasve
për Integrim Europian – Edmond Themelko
Partia Demokracia e Re Europiane – Koçi Tahiri
Partia e të Drejtave të Mohuara e Re – Fatmir HoxhaPartitë që nuk ishin në 2009
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar – Dashamir Shehi
Partia Demokristiane – Nard Ndoka
Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar – Ylber Valteri
Partia Konservatore Shqiptare – Armando Ruço
Partia e të Drejtave të Mohuara – Ilir Vata
Partia e Minoritetit Grek për të
Ardhmen – Kristo Kiço
Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve
Shqiptarë – Selami Jenisheri
Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare- Muharrem Doda
Partia Civile e Shqipërisë – Dritan Broka
Partia Emigracionit Shqiptar – Kostaq Papa
Partia Lëvizja Shqipëria e Re – Edmond Vlashaj
Koalicioni i majtë, me 38 parti
PS paraqet në KQZ koalicionin me 40 parti. Në listë edhe partia e shkrirë PSV’91

PS “vjedh” partinë e pensionistëve, kryetari: Jam me PD.
Partia Socialiste depozitoi dje në KQZ listën e 40 partive të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, por realisht kjo listë përmban vetëm 38 parti. Një parti, ajo e pensionistëve nuk është pjesë e koalicionit të PS, pasi dy ditë më parë firmosi me koalicionin e PD, ndërsa Petro Koçi deklaroi shkrirjen e PSV91.
Lista e koalicionit opozitar përbëhet nga LSI, e cila rikthehet në grupimin e majtë dhe parti që tradicionalisht kanë qenë në krah të PS-së që prej 1997-s, si e Skënder Gjinushit. Por numrin 40 të partive të listës së PS e përbën dhe Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë, me kryetar Selami Jenishehrin. Kryetari i kësaj partie ishte ulur dy ditë më parë në krah të partive të koalicionit të djathtë të PD-së. I kontaktuar në telefon, Jenishehri e cilësoi si një provokim për incident përfshirjen e tij në koalicionin e PS. “Unë kam firmosur me Partinë Demokratike. Kam njoftuar me shkrim si në KQZ, ashtu dhe në PS, se nuk do të jem në koalicionin e majtë”, u shpreh për “Panorama” Jenishehri. Sipas tij, largimi i tij nga koalicioni i PS-së ishte sepse Edi Rama nuk pranoi të nënshkruante me të marrëveshje dypalëshe. “Pasi na u prezantua marrëveshja për t’u firmosur, unë kërkova të takoj Edi Ramën, siç na ishte thënë për të folur. Ai nuk pranoi, duke kërkuar që unë më parë të firmosja. Na ishte premtuar se çdo parti do të bënte marrëveshje dypalëshe. Nuk e mbajti fjalën. Unë përmes një shkrese të protokolluar si në PS, ashtu dhe në KQZ, lajmërova se largohem nga koalicioni i PS. Këto veprime bëhen për të provokuar dhe nxitur incidente”, u shpreh Jeninshehri. Shtatë parti të listës së këtij koalicioni kanë qenë në garë në zgjedhjet e shkuara parlamentare të vitit 2009. Ndërsa një numër i madh i tyre, 14 parti, janë shfaqur për herë të parë në zgjedhjet e 2011-s, në zgjedhjet për pushtetin vendor. Ndërsa 13 parti hyjnë për herë të parë në zgjedhje, duke iu bashkuar koalicionit opozitar.
Partitë
Pjesë e koalicionit opozitar janë bërë dhe tri parti, të cilat kur u paraqitën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk arritën të regjistrohen. Partia e Pajtimit Kombëtar, e drejtuar nga Spartak Dobi dhe Partia e Prosperitetit Demokratik të Shqipërisë, e drejtuar nga Yzeir Fetahu, nuk janë regjistruar në KQZ, pasi kanë pasur mungesa në dokumentacion. Edhe Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë, e drejtuar nga Osman Mema, nuk është regjistruar për shkak se është paraqitur në KQZ jashtë çdo afati. Në këtë situatë, këtyre partive u lind e drejta që t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor brenda pesë ditëve, nga dita që vendimi i KQZ-së për regjistrimin e partive hyn në fuqi. Në listën e gjatë të partive të koalicionit opozitar është dhe ish- partia e Petro Koçit, PSV91, të cilën vetë kryetari i saj, Koçi, e deklaroi të shkrirë, për shkak se i bashkohet Partisë Socialiste.
Koalicioni i majtë
KANË MARRË PJESË NË ZGJEDHJET E 2009
Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) – EDI RAMA
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) – ILIR META
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) – VANGJEL DULE
Partia Demokratike Sociale (PDS) – PASKAL MILO
Partia Social Demokrate (PSD) – SKËNDER GJINUSHI
Partia Ligj dhe Drejtësi (PLiDr) – SPARTAK NGJELA
Partia Aleanca Demokristiane (ADK) – ZEF BUSHATIKANË MARRË PJESË NË ZGJEDHJET E 2011
Aleanca Arbnore Kombëtare (AAK) – GJET NDOJ
Partia Ardhmëria Shqiptare (PASH) – EMIN SUBASHI
Partia Bashkimi Republikan Shqiptar (PBR) – ZANE LLAZI
Partia Demokratike Integrim e Prosperitet (PDIP)- HALIM SEITAJ
Partia Toleranca e re e Shqipërisë (PTR e Shqipërisë)- AVDI KECI
Partia e Gjelbër (PGJ) – EDLIR PETANI
Partia e Punës e Riorganizuar (PPR)- MARKO DAJTI
Partia e Reformave Demokratike të Shqipërisë SKENDER HALILI
Partia Unitetit Kombëtar (PUK) – IDAJET BEQIRI
Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve – YMER KURTI
Partia Socialiste e Moderuar (PSM)- GJERGJ KOJA
Partia Rruga e Lirisë (PRRL) – KURT KOLA
Partia Personat me Aftësi të Kufizuar (PPAK)- AFRIM JESHILI
Partia Aleanca Popullore (AP) – ARTUR DOJAKANUK kanë MARRË PJESË NË ZGJEDHJE
Partia Ambientaliste (PA)- NASI BOZHEKU
Aleanca për Barazi e Drejtësi Europiane (ABDE) – VALENTIN MUSTAKA
Partia e Çështjeve Shqiptare (PÇSH)- BUJAR SHURDHI
Partia Komuniste e Shqipërisë 8 Nëntori – PRENG ÇUNI
Partia Kristiandemokrate (PKDSH) – DHIMITËR MUSLIA
Partia e Punës e Shqipërisë (PPSH)- MUHARREM XHAFA
Partia Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve (LDSH) – ASTRIT KOSTURI
Partia Mendimi i Djathtë Liberal (MDL) – LAURETË LICI
Partia Lëvizja Demokratike për Ndryshim (PLDN)- NIKOLIN STAKA
Partia Lëvizja punëtore Shqiptare (PLPSH) – SHEFQET MUSARAJ
Partia Social Punëtore e Shqipërisë (PSP)- RAMADAN NDREKA
Partia Shqiptare Atdheu (PSHA) – KRESHNIK OSMANI
Partia Komuniste e Shqipërisë (PKSH) – QEMAL CICOLLARIPARTI E SHKRIRË
Partia Socialiste e Vërtetë 91 (PSV 91) – PETRO KOÇI
PARTI TË RRËZUARA NGA KQZ
Partia e Pajtimit Kombëtar (PPK) – SPARTAK DOBI
Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë OSMAN MEMA
Partia e Prosperitetit Demokratik të Shqipërisë – YZEIR FETAHU
PARTI NË DY KOALICIONE
Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë – SELAMI JENISHEHRI
Të pavarurit
Përveç dy koalicioneve që drejtohen nga dy partitë e mëdha dhe dy partive që do të garojnë jashtë koalicioneve, Aleanca Kuq e Zi dhe Fryma e re Demokratike, në zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë në garë dhe pesë kandidatë të pavarur. Një nga ish-të përndjekurit, Skënder Tufa, protagonist në grevën e urisë së tyre, do të garojë në Tiranë. Gjithashtu në Tiranë do të kandidojë Aziz Jata, ambientalisti Sazan Guri, në qarkun e Fierit Alket Troka dhe në Vlorë Loreta Gjoni. Në zgjedhjet e 2009-s, i vetmi kandidat i pavarur ishte shtetasi Abdullah Adil Omur, i cili mori 756 vota.
Te pavarurit
Kandidatët e pavarur më
23 qershorSkënder Tufa
si kandidat i pavarur në qarkun TiranëAziz Jata
si kandidat i pavarur në qarkun TiranëSazan Gruri
si kandidat i pavarur në qarkun Tiranë (Nuk u miratua nga KQZ, ankimimi në Kolegjin Zgjedhor)Alket Troka
si kandidat i pavarur në qarkun FierLoreta Gjoni
si kandidate e pavarur në qarkun Vlorë
FATION BINJAKU/ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











