
Grupi i Singaporit, që po hetohet për trukimin e ndeshjeve nga Prokuroria e Kremonës në Itali, kishte arritur që të zotëronte klubin e Tampere United, në Finlandë (kampion në 2007-n) dhe një projekt të tillë ky grup e kishte edhe në Itali (Grosseto, Komo dhe Modena, ishin disa prej ekipeve që synoheshin). Për këtë arsye në Finlandë, Uilson Raj Perumal dhe Tan Set Eng, i quajtur “Dan”, kishin rreth një vit që i njihnin. Një vit më parë, ekipi i Tampere Unitet u përjashtua nga kampionati finlandez dhe ky aktivitet u nis me vonesë. Dhe i gjithë faji ishte i grupit të Singaporit. Nëpërmjet një shoqërie në pronësi të tyre, Exclusive Sport, ata kishin sponsorizuar me rreth 299.961 euro klubin. Por, me një kusht: që trajneri duhej të hidhte në fushë lojtarët që i kishte në pronësi kjo shoqëri. Menjëherë FIFA reagoi në lidhje me këtë kërkesë, pasi shkelej neni 18 i statusit dhe transferimit të futbollistëve. Më pas u zbulua se pas kësaj marrëveshjeje kryheshin baste ilegale. Detyrimi që të luanin disa lojtarë kishte lidhje me faktin që ata duhet të trukonin takimet ku aktivizoheshin. Policia arriti që të zbulonte këtë mekanizëm dhe në fund të shkurtit u ndalua Uilson Raj Perumal në Helsinki, pasi tregoi një kartë false identiteti. Si ai, edhe “Dan-i” ishin pjesë e shoqërisë sportive të dyshuar.











