KLSH, Rama: Votë kundër Leskajt

Nov 23, 2011 | 9:22

Rama dje gjate mbleshjes se grupit parlamentar te PS

Kreu i PS në mbledhjen e Grupit u shpreh kundër dekretit të Presidentit për kreun e KLSH. “Kriza ekonomike po na çon në prag të humnerës”

Gjatë fjalës së tij, në fillim të mbledhjes së përjavshme të Grupit Parlamentar socialist, Rama tha se kandidatura e Bujar Leskajt është e papërshtatshme dhe se del jashtë kritereve që ai vetë ka vendosur me paktin për “Shqipërinë si gjithë Europa”. “Kuvendi do të shqyrtojë dekretin e Presidentit të Republikës për kryetarin e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kandidatura e propozuar nuk i përmbush kriteret e vendosura prej nesh në paktin prej 10 pikash që kemi propozuar “Për Shqipërinë si gjithë Europa”. Grupi ynë Parlamentar nuk mund ta votojë pro dekretin në fjalë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk mund të jetë i shtetit, por thjesht i pushtetit në rast se dekreti kalon. Ky është rasti për të vënë dhe një herë në pah vizionin tonë për një shtet shqiptar në shërbim të qytetarëve dhe jo të partive”, u shpreh Rama. Sipas tij, kjo kandidaturë vjen në kontradiktë dhe me traditën që kreun e KLSH-së e merr opozita.
“E them këtë me keqardhje, sepse ndërkohë që ka një traditë që Kontrollin e Shtetit nuk e merr qeveria dhe që ne për më tepër kemi deklaruar se nuk duam një kryetar të Kontrollit të Shtetit nga PS, por nga asnjë prej dy partive të mëdha, propozohet një figurë e cila jo vetëm vjen nga partia në pushtet, por nuk përmbush asnjë lloj kushti për t’u konsideruar seriozisht prej nesh”, u shpreh Rama.
Kriza
Kreu i opozitës paraqiti një situatë të zymtë ekonomike në vend, duke e parë krizën ekonomike në prag, ndërsa akuzoi qeverinë se nuk po merr asnjë masë për zbutjen e efekteve të saj. “Sot Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar konfirmojnë ad literam shqetësimin tonë publik të Asamblesë të posaçme Kombëtare të dhjetorit 2009. Ato flasin për një borxh që ka hyrë në zonën e riskut të lartë dhe për domosdoshmërinë e masave të kthesës përpara humnerës në horizont. Ndërsa ne jemi më të avancuar në shikimin tonë të aktualitetit ekonomik e financiar, sepse për ne humnera nuk është në horizont, por vendi është në buzë të humnerës dhe stuhia e pritshme financiare mund ta rrokullisë atë nëse nuk merren tani, menjëherë masa drastike për t’u mbrojtur nga stuhia duke e ndalur inercinë e të keqes. Është skandaloze që qeveria ka parashikuar një rritje ekonomike krejt utopike me qëllimin e vetëm që të vazhdojë lojën e rrezikshme të thellimit të borxhit”, u shpreh Rama. Kreu socialist paralajmëroi një debat të fortë në Parlament për buxhetin e vitit 2012 nga deputetët socialistë, duke dhënë alarmin se efektet e krizës do të jenë shumë të mëdha për vendin. “Ne Grupi Parlamentar i opozitës në qasjen tonë largpamëse duhet të vëmë alarmin fundor në debatin për projektbuxhetin. Nesër do të jetë shumë vonë dhe kostot e rimëkëmbjes do të jenë të papërballueshme për një kohë të gjatë”, u shpreh Rama.

“Më dërgoni propozime për Kryesinë”
Kreu socialist u kërkoi deputetëve që t’i dërgonin në e mail-in e tij propozimet e tyre për anëtarët e Kryesisë së re socialiste. Ashtu siç kishte bërë dhe me anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare që u zgjodhën nga Kongresi i 5 nëntorit, Rama u kërkoi propozime dhe deputetëve të Grupit socialist për të hartuar listën e tij të propozimeve. “Dua t’ju kërkoj të gjithëve që në kuadrin e përgatitjes së mbledhjes zgjedhore të Asamblesë Kombëtare të më ndihmoni me propozimet tuaja për listën e Kryesisë së re të Partisë Socialiste, që sipas statutit kam detyrimin t’ia paraqes Asamblesë. Të njëjtën gjë e kam kërkuar edhe nga anëtarët e porsazgjedhur në Asamblenë Kombëtare nga Kongresi i 5 nëntorit”, iu drejtua Rama deputetëve socialistë.

Anduel Xhindi
Deputeti i ri i Partisë Socialiste të qarkut të Fierit, Anduel Xhindi, mori pjesë dje për herë të parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS. Pasi bëri betimin në seancën plenare të enjten e shkuar, Andueli ishte ulur dje në krah të kolegëve të tij deputetë. Andueli, djali i deputetit të vrarë socialist, Fatmir Xhindi, pak para zgjedhjeve të 2009-s, mori mandatin e deputetit pas votimit të Ermelinda Meksit për në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Andueli mori dje dhe mirëseardhjen dhe nga kreu socialist që në nisje të fjalës së tij në mbledhje.

Votimi në Kuvend
Grupi Parlamentar socialist ka vendosur dje organizimin e një debati mjaft tematik lidhur me projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2012, i cili do të diskutohet ditën e premte në Kuvend. Debati për buxhetin, më i rëndësishmi i të gjithë vitit politik, do të zhvillohet për rreth 14 orë, 8 orë ka kërkuar maxhoranca dhe 6 orë opozita, pa përfshirë këtu ndërhyrjet e Kryeministrit dhe të ministrave për zëra të veçantë të këtij buxheti. Opozita ka vënë në lëvizje të gjitha potencialet e saj të ekspertëve për të përballuar debatin kryesor mes maxhorancës dhe opozitës në Kuvend.

Kryesia
Kreu socialist, Edi Rama, reagoi dje në Twitter në lidhje me hartimin apo jo të një liste me kandidatë për në Kryesinë e re socialiste. “S’ka listë Kryesie nëpër korridore, po vetëm lista korridoresh në gazeta dhe kronika”, është shprehur Rama në adresën e tij në rrjetin social Twitter. Një e përditshme publikoi dje një listë me emra kandidatësh për Kryesinë e re, listë e cila krijoi tension tek ata që përfshiheshin
Aristir Lumezi

© Panorama.al

Te lidhura