
Shifrat e deklaruara nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë, në raportimet për të ardhurat apo shpenzimet e kryera në bankat e nivelit të dytë, nuk rakordojnë me njëra-tjetrën. Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin e buxhetit të vitit të kaluar, i cili është dorëzuar tashmë në Kuvend, jepen edhe detajet. Diferenca e rakordimeve në fund nuk është e lartë, por gjithsesi KLSH vlerëson se organet që kanë me ligj detyrimin e rakordimit të shifrave të raportuara, duhet ta sistemojnë sa më shpejt këtë situatë. “Diferenca prej 1.6 milionë lekësh është një diferencë midis të dhënave të evidencës së raportuar nga Banka e Shqipërisë dhe të dhënave kontabël në raportimin e të ardhurave të derdhura nga bankat e nivelit të dytë në Bankën e Shqipërisë. Pavarësisht justifikimeve dhe argumentimeve të parashtruara për diferencat e mësipërme, ato duhet të sistemohen si nga Banka e Shqipërisë, ashtu edhe nga Ministria e Financave dhe Drejtoria që merret me regjistrimin e të ardhurave dhe llogarinë ‘depozitë të qeverisë’” thuhet në raportin e KLSH-së.
Diferencat
Raporti vëren se gjendja e llogarisë “depozitë qeveritare”, e nxjerrë nga Ministria e Financave dhe nga Banka e Shqipërisë, është e njëjtë, por ka ndryshime ndërmjet zërave shpenzime dhe të ardhura. Por cilat janë zërat ku raportimet e Bankës dhe Financave nuk rakordojnë. Kështu, tek shpenzimet mosrakordim ka tek zëri “transferta për përmbytje”, ku sipas Bankës së Shqipërisë vlera është 5.1 milionë dollarë, kurse sipas Ministrisë së Financave 7.9 milionë dollarë, pra një diferencë prej 2.8 milionë dollarë më shumë. Sakaq, tek “të ardhurat” mosrakordime në evidenca ka plot shtatë zëra, duke filluar nga ‘financimet e huaja’ dhe deri te zëri “të tjera”. Kështu bie në sy që Banka e Shqipërisë nuk ka të deklaruar asnjë të ardhur tek zëri “të ardhura nga koncesionet”, kurse Ministria e Financave deklaron se këto të ardhura janë rreth 5.9 milionë dollarë. E kundërta ndodh në fakt tek zëri “kthim huaje vendore”, ku Banka e Shqipërisë raporton 170 mijë dollarë të ardhura, kurse Ministria e Financave nuk raporton asnjë shifër.
Dëmi
Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se në institucionet e kontrolluara prej tij janë vënë re shkelje dhe parregullsi, madje edhe shkelje financiare me dëm efektiv në përdorimin e shpenzimeve buxhetore në këtë vit buxhetor, me vlerë 13 milionë dollarë. Ndër këto institucione përfshihen ministri apo institucione të administratës së lartë publike së bashku me entet buxhetore, të cilat kanë kryer një dëm ekonomik prej 360 milionë lekësh. Në projektet me financim të huaj, dëmi i evidentuar është 427 milionë lekë, ndërsa në njësitë e pushtetit vendor dëmi llogaritet 510 milionë lekë. Te shpenzimet korrente KLSH-ja nxjerr në pah se në buxhetin e vitit 2010 ekziston një realizim prej 98.77 për qind krahasuar me planin, që korrespondon me rreth 37 milionë lekë. Tek shpenzimet e personelit në fushën e pagave dhe shpërblimeve, në raport detajohet se vlera e shkeljeve dhe dëmit ekonomik ka rezultuar 38 milionë lekë.
Dëmi te shpenzimet
1. Institucione qendrore
Ministria e Turizmit 14.9
QSUT 13.0
Drejtoria e Ujësjellësit 5.85
Ministria e Mbrojtjes 1.2
Drejtoria e Menaxhimit të Tokave 1.06
Ministria e Shëndetësisë 1.12
Dr. e Sigurimit të Info.Klas 0.07
Dr e Rezervave Materiale 0.06
Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë 0.05
Ministria e Arsimit 0.04
Ministria e Bujqësisë 0.01
2. Projekte
“Ndërtimi i rrugës Lushnjë-Fier” 200
Cilësi dhe barazim në arsim 2.8
Rehabilitimi i rrjetit hidrik Tiranë 21
Ndërtimi i spitalit Kavajë 44
Transmetim dhe shpërndarje
energjie elektrike Vau i Dejës 98
NERTILA MAHO
© Panorama.al











