Klosi: Më 15 janar nis viti elektoral, teserë e veçantë për anëtarët më aktivë

Jan 12, 2012 | 11:29

Blendi Klosi

VENDIMI: Sekretari Organizativ i PS: Ja reforma e re statutore

Sekretari Organizativ PS, Blendi Klosi, tha dje pas mbledhjes me krerët e PS-së në rrethe, se më 15 janar nis viti elektoral për këtë parti. “Viti elektoral nis më 15 janar dhe mbaron ditën e zgjedhjeve. Gjatë këtij viti do të ketë diskutime, debate, vjelje idesh jo vetëm me anëtarët e PS dhe ata që e mbështesin, por edhe me ata që gjejnë te PS forcën e cila do të ndryshojë vendin”, u shpreh Klosi. Sekretari Organizativ në Partinë Socialiste tregon dhe për stimulin që do t’u jepet anëtarëve më aktivë të PS, të cilët do të kenë një teserë të veçantë dhe të ndryshme nga të tjerët.
“Ne kemi ndërmarrë një reformë statutore, e cila ka të bëjë me anëtarin aktiv të Partisë Socialiste. Duke e parë edhe si vitin e 100-vjetorit të pavarësisë, do të shpërndajmë një teserë të anëtarit aktiv të PS në 100-vjetorin e shtetit shqiptar. Teserë, e cila do të jetë për individët që do jenë më aktivët në jetën e partisë. Natyrisht, ata që janë anëtarë partie dhe nuk janë aktivë në jetën e PS mbeten anëtarë të saj, janë pjesë e mbështetjes së PS, por do të jetë edhe një grup, që do të jetë grupi më aktiv. Për këtë grup, në mbledhjen e ardhme të Asamblesë do të paraqitet dhe një projekt i veçantë. Mendojmë që të bëjmë një shtresëzim në dy pjesë të anëtarësisë së partisë”, u shpreh Klosi.

Zgjedhjet në PS-në e Tiranës
Në mbledhjen e djeshme me kryetarët e PS në rrethe, kreu socialist, Rama, kërkoi përfundimin e zgjedhjeve për drejtuesit e PS në Tiranë dhe në 117 njësi vendore, bashki dhe komuna. Deri në fund të muajit shkurt do të zgjidhet edhe kryetari i PS së qytetit të Tiranës dhe krerët socialistë në të 11-të minibashkitë e kryeqytetit. Pas dorëheqjes së Besnik Bares nga kreu i PS-së Tiranë, Rama komandoi në këtë strukturë Sajmir Tahirin, i cili do të merrej me mbarëvajtjen e punëve në partinë e Tiranës dhe do të përgatiste zgjedhjet e reja.

© Panorama.al

Te lidhura