Klodian Duro premton debutim me gol

Sep 20, 2011 | 12:27

Klodian Duro është afruar vetëm të premten te Tirana, mirëpo ende nuk ka debutuar. E gjithë kjo vjen për shkak të procedurave burokratike për çështjen e federimit. Megjithatë, mesfushori beson se gjithçka do të zgjidhet sot dhe ka shumë mundësi, nëse nuk do të luajë në Himarë, të zbresë në fushë në fundjavë kundër Pogradecit. Dëshira e tij më e madhe është që të debutojë me gol, kjo për të justifikuar besimin e të gjithëve, duke filluar nga presidenca e për të kaluar te trajneri. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, 33-vjeçari nuk ngurron të analizojë ekipin e tij në këtë fillimsezoni. “Pres me ankth që të zbres në fushë me fanellën e Tiranës, debutim që është shtyrë për shkak të disa procedurave burokratike. I vetmi problem vjen nga një procedurë e kalimit të kartonit tim, nga federata austriake te ajo shqiptare. Besoj se kjo nuk do të zgjasë shumë, madje brenda ditës së sotme do të kalojnë letrat në klub. Nuk e di nëse do të luaj nesër në Himarë, por nëse nuk ndodh, kemi Pogradecin në prag. Uroj që të shënoj në atë takim, pasi do të ishte një mrekulli që të debutoja me gol”, – tha fillimisht Duro. Mesfushori nuk nguron të flasë as për ekipin e tij dhe trajnerin. “E kam ndjekur Tiranën ndaj Teutës dhe ndaj Kastriotit. Ndonëse në start i mungoi fati, në të dytën ekipi fitoi duke bindur edhe me lojë. Kjo skuadër premton shumë dhe do të jetë pretendente e padiskutueshme për titull”.

Bala: Pas kthesës, s’do të ndalemi
Bekim Bala ka pa dyshim meritat e tij për kthesën në Krujë. Sulmuesi shkodran ishte ai që hapi siparin e golave ndaj Kastriotit. Gjatë një deklarate të dhënë për mediat, lojtari shprehet optimist për të ardhmen. “Reaguam në mënyrën e duhur, por tashmë nuk kemi ndër mend të ndalemi. Gabuam në start, por ditëm të bëjmë detyrën tonë duke triumfuar dhe bindshëm madje. Dy ndeshjet e radhës i luajmë në shtëpi, ndaj nuk duhet të tolerojmë ndaj Pogradecit dhe Flamurtarit. Ky 6-pikësh do të na ndihmojë për t’iu afruar zonën së nxehtë. Tashmë s’na mbetet gjë tjetër veçse të ecim përpara dhe të tregojmë se jemi pretendentë kryesorë për titull”, – tha sulmuesi i bardhebluve.

© Panorama.al

Te lidhura