“SPAK ka rol vendimtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një nga kërkesat kyçe për anëtarësim në BE”. Kështu u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato në një deklaratë për mediat, menjëherë pas zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, Klodian Braho.
Duke përgëzuar Brahon për emërimin, ai tha se BE pret që të vijojë punën e tij.
“Kemi ardhur këtu të tregojmë mbështetjen tonë për KLP, por edhe për të treguar interes në procedurën e emërimit. SPAK ka rol thelbësor në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Është një nga kërkesat kyçe për në BE.
Dje thamë që ajo që kërkojmë është një kryetar që do të vijojë punën e SPAK, dhe ajo që kërkonim ishte një kandidat me nivele pavarësie dhe integritet. Uroj z. Braho dhe që mirëpresim bashkëpunimin me të në vijim”, tha Gonzato.
Ndërkohë, përmes një postimi në rrjetet sociale delegacioni i BE-së në Tiranë njoftoi se Gonzato dhe ambasadorët e Shteteve Anëtare të BE-së ishin të pranishëm në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për të shprehur mbështetjen e tyre të plotë për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme.
BE, theksoi ndër të tjera, se SPAK ka rol themelor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një shtyllë thelbësore e procesit të anëtarësimit në BE.
Njoftimi i delegacionit të BE
Sot, Ambasadori i Bashkimit Evropian Silvio Gonzato dhe ambasadorët e Shteteve Anëtare të BE-së ishin të pranishëm në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për të shprehur mbështetjen e plotë për Këshillin në përmbushjen e këtij detyrimi të rëndësishëm dhe interesimin e tyre për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme, duke pasur parasysh rolin themelor të SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një shtyllë thelbësore e procesit të anëtarësimit në BE.
“Dje theksova se drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme duhet të tregojë integritet, pavarësi, qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj standardeve më të larta evropiane. Sot, dëshiroj ta përgëzoj z. Klodian Braho për emërimin e tij dhe pres të punojmë ngushtë me të dhe ekipin e tij në muajt dhe vitet në vijim,” tha Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
© Panorama.al













