
Ta nisësh sportin që në moshën 9-vjeçare, të kesh edhe mamanë në shtëpi që kujdeset dhe i ka sytë nga ty, sa herë topi kalon rrjetën, doemos që diçka të mirë do të nxjerrësh në dritë. Kleda Shkurti, kapitenia e ekipit Kombëtar të volejbollit, kështu mundi të dalë në krye, me punën rigoroze dhe me përkushtimin e mamasë së saj, Lumturi Shkurtit, ish-volejbolliste e ekipit Kombëtar të Tiranës, vend që sot ia ka zënë e bija. Te fëmijët prindërit shohin mundësinë për të bërë atë që nuk mundën në jetë. Natyrisht në rast se panë te vetja një të ardhme të mirë të parealizuar, mundësi që mund t’ia afrojnë sot fëmijës së tyre. Këtë pati bërë 16 vite të shkuara e ëma e Kleda Shkurtit, volejbollistes që për të dytin vit radhazi është shpallur volejbollistja më e mirë e vitit. E ëma, Lumturi Shkurti, dikur një nga volejbollistet më të mira të ekipit të Tiranës, u tërhoq shumë më herët nga ç’mund ta kishte parashikuar. Përkushtimi ndaj familjes, të dhënit prioritet fëmijëve e gjithë asaj shtëpie të re të sapo krijuar, e bëri që të shkëputej nga sporti, duke lënë kështu një emër dhe një dorë të saktë mangët jo vetëm Tiranës, por edhe ekipit Kombëtar. Vite më vonë, atë vend do ta zinte e bija, përfaqësuese po aq e denjë së pari, e ekipit të para të rinjve, të rinjve e deri sot që është pjesë e ekipit Kombëtar. Punën me të ëmën e ka nisur që kur ishte 9 vjeç, pra, thuajse paralelisht me librat e shkollës. Ata që janë në sport e dinë mirë se sa e vështirë është të mund t’i mbash të dyja. Kleda ia arriti, madje nuk u mjaftua vetëm të përfundonte Akademinë e Sporteve, por menjëherë më pas nisi studimet për juridik, degë ku aktualisht është në vit të tretë. Ku i dihet ç’ndodh më vonë! Tek e fundit, në sport nuk mund të investoj për shumë gjatë, përjashtuar mundësinë që një ditë do të jetë ajo trajnere ekipesh, ndërsa tani është kapitene.
Kled, këtë vit ekipi kampion i Shqipërisë për volejbollin e femrave u shpall “Minatori” i Rrëshenit. Çfarë lidhje ke ti me këtë ekip, si u gjende atje?
Po, prej një viti unë luaj me Rrëshenin. Tani që ka disa ditë që ka përfunduar kampionati, jam pa ekip, sepse kontratat janë njëvjeçare dhe rinovohen në kampionatin e radhës, por shpresojmë që t’i bashkohem sërish “Minatorit”. Ekipi vitin e shkuar u bë thuajse i ri, për shkak të blerjeve të presidentit Muhamet Troplini, i cili këtë kampionat bashkoi një grup vajzash nga Tirana, pra ishin të gjitha lojtare që i kishte nxjerrë Tirana.
Ndeshja finale ishte me Tiranën apo jo, pra ishte si të luanit kundër njëra-tjetrës?
Ka qenë sistem vajtje-ardhje, pra një ndeshje në Tiranë dhe një në Rrëshen, ku ishte edhe ndeshja e fundit e kthimit, të cilën e votuam. Rrësheni doli për herë të parë kampion në historinë e tij. Për më tepër që ka vetëm volejbollin si sport, futboll e basketboll nuk ka. Përveç se për titullin këto ndeshje i shërbyen pak edhe gjallërisë së vendit, ata e donin sportin. Tifozëria atje ndihej shumë më shumë se në Tiranë.
Ku stërviteshit, në Rrëshen?
Jo, punën përgatitore për ndeshjet e kemi nisur qysh në korrik në Gjirin e Lalzit në Durrës. E kemi qenë një ndër ekipet e para që kemi filluar stërvitjen për ta vijuar më pas në mënyrë të rregullt në pjesën tjetër të vitit në “Asllan Rusi”.
Për sa kohë ke qenë pjesë e ekipit të Tiranës?
Pas 15 vitesh që kam qenë lojtare e “Tiranës”, lëviza me “Minatorin”. Arsyet e këtyre lëvizjeve merren me mend që janë financiare, pasi presidenti, Troplini, na bëri ofertë shumë të mirë për të qenë pjesë e ekipit. Bashkë me të edhe Ilir Cara më kanë qëndruar pranë dhe më kanë mbështetur përgjatë gjithë vitit. Sepse përpos pjesës financiare, është po kaq e rëndësishme edhe mbështetja në të gjitha aspektet që mund të nevojitet.
Për të dytin vit radhazi shpallesh “Lojtarja e vitit” në volejboll. I gjithë ky sukses duhet ta ketë ndonjë histori gjenetike mbrapa?
Padyshim, dhe jo vetëm për talentin e trashëguar, por edhe sepse është gjithnjë mirë që të kesh një njeri shumë të afërt të kujdeset, të të ndihmojë, e të pretendojë për ty nivelet më të larta. Këtë gjë e ka bërë mamaja ime Lumturi Shkurti, ish-volejbolliste e ekipit të Tiranës dhe ekipit Kombëtar. Kam qenë vetëm 9 vjeç kur kam nisur të merrem me basketboll dhe s’do mend që në këtë moshë duhet patjetër të kesh një prind a të afërm që bëhet shkak për angazhimin tënd me një sport. Ime më nuk ka qenë vetëm nisma e gjithë kësaj, por edhe vazhdimësia. Është aty me mua në çdo ndeshje, përkushtohet njësoj si të ishte ajo vetë, në mos më shumë.
Drejtimi që prindërit mund t’i japin fëmijës mund të rezultojë edhe pak i rrezikshëm, në rast se fëmija nuk ka fort dëshirë. Me ty si ka ndodhur?
Ma do mendja që një farë prirjeje mamaja e ka parë tek unë, edhe pse në moshë fare të vogël, që më shtyu për më tej. Ndërsa më vonë, kur ka qenë koha që unë mund ta analizoja vetë këtë gjë, i jam përkushtuar padyshim me dëshirë. Mbase ishte e thënë që ime më ta linte përgjysmë volejbollin për të vijuar unë deri atje ku ajo nuk mundi. Veçse, tani e gjithmonë ka mundur të bëjë trajnieren, duke u marrë me mua. Shpesh rigoroze, por ndryshe nuk mund të jesh më i miri.
Mos vallë të qenit kaq i përkushtuar ndaj sportit, të lë pak të mënjanuar nga studimet?
Jam përpjekur që t’i bëj të funksionojnë mirë njëra me tjetrën. Tek e fundit, koha stërvitore dy orë është. Po të duash mund t’i bësh të gjitha. Nuk po them që është e lehtë, por me pak dëshirë dhe vullnet mund t’ia dalësh. Në më të shumtën e rasteve sporti është thjesht justifikimi për t’iu qëndruar larg librave, sepse nëse ke dëshirë, të gjitha mund t’i bësh.
Në ç’moshë ke filluar të luash me një ekip të vërtetë?
Që 14 vjeç kam qenë pjesë e ekipit të para të rinjve, më pas kam luajtur me të rinjtë, e deri sot që jam kapitene e ekipit Kombëtar.
Pash disa fotografi intime me një djalë, edhe ai atje me ty, pjesë e sportit?
Kam qenë me Francin, të fejuarin tim. Ai ka luajtur basketboll në të shkuarën, por nuk e kishte profesion të parë si unë. Ishte më shumë një hobi, por që i shërbeu tek e fundit për t’u njohur së bashku, sepse tani nuk luan më. I është përkushtuar drejtimit juridik.
Siç duket, ca më vonë do të keni të dy punë me ligjet?
Të shohim, nuk mund t’i kushtohem sportit gjithë jetës. Duhet të përkushtohesha edhe në një tjetër drejtim për të ardhmen.
ANI JAUPAJ











