KLD kthen Gjermenin, u akuzua për Aldo Baren

Nov 15, 2011 | 15:39
Mbledhje e KLD

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka marrë dje 16 vendime për transferim gjyqtarësh në rrethe, ku bie në sy emërimi në Tiranë i Artan Gjermenit, gjyqtarit që vite më parë u përfshi në një betejë akuzash me maxhorancën e djathtë. Me vendim të KLD-së, Artan Gjermeni është transferuar dje me detyrë nga Gjykata e Elbasanit në Gjykatën e Tiranës. Zyra e shtypit pranë KLD njoftoi dje se transferimet e gjyqtarëve në rrethe janë bërë në kuadër të plotësimit të vendeve vakante në disa gjykata të rretheve gjyqësore. Pas detyrës së kryer në Lushnjë, ku u akuzua nga maxhoranca në lidhje me bandën e Lushnjës, më tej Gjermeni ishte anëtar i KLD dhe më vonë u emërua në Gjykatën e Elbasanit, prej nga është transferuar dje në një gjykatë karriere si Gjykata e Tiranës. Më 22 maj 2007, ministri i Drejtësisë i asaj kohe, Ilir Rusmali, dështoi me propozimin e tij në KLD për shkarkimin e Artan Gjermenit. Me një rezultat të ngushtë, 6 kundër dhe pesë pro, kërkesa e Rusmalit për shkarkimin e Gjermenit u rrëzua, edhe pse ish-gjyqtari i Lushnjës ishte akuzuar për parregullsi në gjykimin e anëtarëve të bandës së Aldo Bares. Me vendimet e djeshme, KLD ka propozuar plotësimin e gjashtë vendeve vakante në Gjykatën e Vlorës, vende të cilat kishin mbetur bosh pas largimit të gjyqtarëve në detyra të tjera, si dhe pas vrasjes së Skerdilajd Konomit në qendër të qytetit, në shtator të këtij viti. Me propozim të ministrit të Drejtësisë, Këshilli përcaktoi vendet vakante për kandidatët magjistratë, të cilët kanë mbaruar vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës, profili gjyqtar. Magjistratët janë propozuar për emërim në disa rrethe. RISITË Një tjetër vendim që bie në sy ka qenë propozimi i Skënder Halucës për emërim në Gjykatën e Vlorës. Haluca deri tani ka qenë komisioner i Avokatit të Popullit për sistemin e Drejtësisë dhe ka ndjekur nga afër çështje të abuzimit të Policisë me të ndaluarit, por edhe Prokurorinë dhe Përmbarimin. Haluca ka kandiduar për gjyqtar në Vlorë, duke lënë pas detyrën tek Avokati i Popullit, në rast se kreu i shtetit firmos dekretin për emërimin e tij në Gjykatën e Vlorës siç propozon KLDja. Në mbledhjen e djeshme, KLD ka vendosur gjithashtu që të komandojë një kryetar në Gjykatën e Apelit Tiranë, për shkak se kreut të deritanishëm i kishte mbaruar mandati disa muaj më parë. Kështu, me votim nga shumica e anëtarëve, KLD ka vendosur komandimin e Alaudin Malajt në detyrën e kryetarit të Gjykatës së Apelit, ndërsa ka larguar nga kjo detyrë Metush Saraçin. KLD në mbledhjen e djeshme ka vendosur edhe procedurën që do të ndjekë në përzgjedhjen e kryetarëve të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe gjykatat e Apelit. KLD njoftoi se në mbledhjen e djeshme u vendos që puna e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të fokusohet në vlerësimin me procedurë të përshpejtuar të kandidatëve për kryetarë, në vendet tashmë të shpallura vakante.    Trazhgim Sokolaj

Vjedhja, ikën Etleva Deda, Simoni te Krimet e Rënda

TIRANE – Humbja e një sasie parash nga dhoma e ruajtjes së provave materiale në Gjykatën për Krimet e Rënda “ndëshkon” kryetaren e komanduar dhe kancelarin e kësaj Gjykate. Ministria e Drejtësisë mori dje masat në lidhje me këtë ngjarje, pas përfundimit të inspektimit të bërë në këtë Gjykatë. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë u vendos shkarkimi i kancelarit nga detyra. Ndërsa kryetarja e komanduar e Krimeve të Rënda, gjyqtarja Etleva Deda, humbi pozicionin e saj si titulluare e Gjykatës, por ndaj saj nuk u fillua procedim disiplinor. Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, si edhe të KLD-së. “Ministria e Drejtësisë pas inspektimit të datës 8.11.2011 të ngjarjes së ndodhur në Gjykatën e Krimeve të Rënda në datën 7.11.2011, ku u konstatua mangësi e provave materiale, përfundoi raportin e inspektimit, evidentoi shkeljet e ligjit dhe zhvilloi seancën dëgjimore me kryetaren e komanduar të Gjykatës së Krimeve të Rënda, znj. Etleva Deda dhe me kancelarin z. Rozario Rica”, njoftoi dje zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, Migena Demirxhi. Sipas këtij burimi, në përfundim u konkludua me shkarkimin e kancelarit të Gjykatës së Krimeve, Rozario Rica. “Në lidhje me kryetaren e komanduar znj. Etleva Deda, ministri i Drejtësisë nuk aplikoi fillimin e procedimit disiplinor edhe për shkak të statusit të saj në detyrë si e deleguar dhe jo si kryetare e emëruar”, thuhej në njoftim. Pas revokimit të vendimit që e delegoi gjyqtaren Deda në krye të Gjykatës për Krimet e Rënda, në atë pozicion u delegua gjyqtari Sandër Simoni.

 

1.Artan Gjermeni, gjyqtar në Elbasan, transferohet në Tiranë

2.Vesel Bako, gjyqtar në Mat, transferohet në Kurbin

3.Eneida Civici, gjyqtare në Vlorë, transferohet në Tiranë

4.Vjosa Çela, gjyqtare në Korçë, transferohet në Tiranë

5.Brunilda Kadi, gjyqtare në Fier, transferohet në Tiranë

6.Marinela Nuni, gjyqtare Vlorë, transferohet në Tiranë

7.Rilinda Selimi, gjyqtare në Fier, transferohet në Tiranë 8.Irena Hoxha, gjyqtare në Dibër, transferohet në Tiranë

9.Julian Haxhiu, gjyqtar në Lezhë, transferohet në Tiranë

10.Arben Mullaj, gjyqtar në Kavajë, transferohet në Tiranë

11.Astrit Shema, gjyqtar në Gjirokastër, transferohet në Vlorë

12.Arbana Selmanaj, gjyqtare në Pukë, transferohet në Vlorë

13.Arqile Basho, gjyqtar në Gjirokastër, transferohet në Vlorë

14.Anastasi Shehu, gjyqtar në Krujë, transferohet në Vlorë

15.Ervin Trashi, gjyqtar në Gjirokastër, transferohet në Vlorë

16.Skënder Haluca, i propozohet Presidentit të Republikës të emërohet gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

 

© Panorama.al

Te lidhura