Kjo protestë është historike dhe nuk i përket partive politike, por halleve të qytetarëve shqiptarë.
Kështu u shpreh sot gazetari i News24, Osman Stafa, teksa komentoi zhvillimet e aktualitetit në vend dhe veçanërisht revoltën qytetare që sot hyn në ditën e 52-të.
Kohëzgjatja e kësaj proteste sipas tij tregon se kjo është një revolte historike e papërsëritshme më parë.
“Kjo protestë popullore është një protestë historike, nuk kishte ndodhur asnjëherë një protestë e tillë qytetare. Nuk është protestë e partive politike, po të ishte politike nuk do e kisha mbështetur, të bënin çfarë të donin”, tha gazetari.
Stafa shtoi se kjo protestë i përket atyre shqiptarëve që kanë ikur të detyruar nga vendi, atyre nënave që vuajnë për të rritur fëmijët me ndihmë sociale, atyre të sëmurëve që nuk kanë ilaçe dhe sektorëve të tjerë, apo korrupsionit dhe keqqeverisjes që kanë dëmtuar vendin.
“Është protesta e nënave që nuk përballojnë dot koston e jetesës për të rritur një fëmijë dhe marrin 40 mijë lekë ndihmë sociale. Është për ata që kanë braktisur Shqipërinë. T’i harrojnë partitë politike, është për veten e tyre, ta harrojnë Ramën, Berishën dhe të tjerët. Nëse nuk ngrihen për hallet e tyre, nuk ka shpresë ky vend nëse do ngrihen, atëherë do të ketë shpresë për vendin. Dhe kështu me radhë për rininë, shpopullimin, shëndetësinë, arsimin e të tjera”, tha ai.
Stafa analizoi edhe gjendjen e shëndetësisë dhe skandalet me mungesën e pajisjeve kryesore përveç medikamenteve.
“Nuk mund të bësh politikë me shëndetin, shëndeti nuk ka parti politike, sëmuren edhe të majtët, edhe të djathtët. Spitalet nuk kanë pajisje, nuk kanë medikamente, nxjerrin lista për donacione. Nuk duhet të bëhet politikë me shëndetin në Shqipëri”, tha ai mes të tjerash.
© Panorama.al













