Kim Jong Un ndan pushtetin me ushtrinë dhe kushërinjtë

Dec 22, 2011 | 11:34
Koreano-veriorët duke vajtuar Kim Jong II

Pamjet televizive të vajtimit të popullit koreano-verior për vdekjen e liderit të tyre Kim Jong Il, tregojnë dënesat e tyre të pafundme, duke rikthyer edhe në Shqipëri kujtimin e një epoke të trishtueshme. Mijëra njerëz ishin mbledhur përpara portreteve gjigante të Kim Jong Ilit. Shumë prej tyre tregonin devotshmërinë dhe besnikërinë për pasardhësin e ri, të cilin e quajtën “Lider i dashur”, djalin e diktatorit, Kim Jong Un. Sok Chol Jin, një punonjës spitali, 26 vjeç, tha në televizionin korean se: “Do t’i jem besnik gjeneralit Kim Jong Un dhe do t’ia dedikoj veten zbatimit të mësimeve të liderit Kim Jong Il”. Ka pasur një vajtim shpërthyes në të gjithë vendin që kur Koreja e Veriut njoftoi të hënën vdekjen e Kim Jong Ilit. Lideri 69-vjeçar i vendit komunist vdiq të shtunën nga një infarkt. Djali i tij, Kim Jong Un, u caktua si “Pasardhësi i Madh”, duke vazhduar një linjë që nisi me gjyshin e tij, Kim il-Sung. Nga Koreja e Veriut u njoftua se pushteti i djalit të liderit do të ndahet me bashkëshortin e  hallës së tij dhe ushtrinë, duke i dhënë më shumë ngjyra të një pushteti kolektiv. Sipas burimeve të “Reuters” nga Pongiangu dhe Pekini, ushtria, e cila po përpiqet të prodhojë një arsenal nuklear, është zotuar për aleancë me Kim Jong Unin, i cili nuk e ka testuar ende aftësinë e tij për të drejtuar dinastinë familjare që ka drejtuar Korenë e Veriut që pas themelimit të saj nga Kim il Sung, pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo është hera e parë që Koreja, ashtu siç ishte parashikuar nga shumë analistë, do të qeveriset nga një grup njerëzish që kur u themelua në vitin 1948.

Cilët janë drejtuesit
Lidershipi kolektiv i Koresë së Veriut përfshin Kim Jong Un (i cili është në të 20-at), Jang Song Thaek, 65 vjeç, burri i hallës së Kimit, i parë si fuqia pas fronit bashkë me gruan e tij, Kim Kyong-hui, motra e Kim Jong Ilit. Është edhe Ri Yong-ho ylli në ngritje i ushtrisë koreano-veriore dhe gjenerali më i vjetër i saj, që do të jetë pjesë e pushtetit.

© Panorama.al

Te lidhura